Poezi nga Rexhep Shahu  

 
Poezi nga Rexhep Shahu
 
 
***
 
I kam marrë me vete duart tua, gishtat tu lodrojnë fytyrës time
Duke lexue nëper brazda si i verbëri fatin e njeriut.
 
Ti tash ke mbetë pa duar, nuk dinë me prekë duart e tua
Me përkëdhelë, gishtat e tu nuk dinë me lexue fatin
Nuk dinë me dridhë buzë burri siç drithëronin buzët e mia.
 
 
Nëse do të vij
 
Kur të vij ndonjëherë, nëse do të vij
Do të them se duke të dashtë ty
Kalova vitet më të bukura të jetës time
Deshta gruan më të bukur që e çmonte dashurinë.
 
Unë të deshta nga thoi te thoi
Edhe hijen ta deshta
Dhe ta putha qeshjen me zjarr se nuk qesh askush aq bukur sa ti
Ta putha dorën sa ta sosa se nuk më drithëron asgjë si dora jote në fytyrë.
 
Sa shumë të doja, gjithmonë më dukej pak
Dhe ndjehesha ngushtë me veten
Ti e ndjeje sa shumë të doja se te zmadhoheshin sytë prej deti
Dhe trembeshe gjithmonë prej dashurisë.
 
Kam me i vuajtë mungesat e mia
Se nuk u gjeta gjithmone kur më deshe
Nuk ndenjta zgjuar
Të shihja dallgët në detet e syve tu.
 
Para syve tu kam me u thermue
E di se ke me ra në gjunjë me mbledhë trohat e mia
Me qendisë dhimbjen
Me gurë loti.
 
 
***
 
Sa herë trishtimi më mbulon
vij e vishem me qeshjen tënde
me vështrimin e ëmbël të syve tu
dhe bëhëm zogu më i bukur i qiellit.
 
 
NUK E DI ORËN KUR DO TË VDES
 
Unë nuk e di orën kur do të vdes
As ditën as muajin nuk e di
Veç di se çasti do vërbohet, do t’i dhembë
Do t’i therë çastit brinjë më brinjë
Do të turbullohet, do të lëkundet të shembet përdhe’
Por shpejt do të përmendet
Do të qëndrojë në këmbë të mos turpërohet.
 
Kur të vdes do të doja të ishte dielli i shndritshëm si sot
Të derdhej kështu si tani mbi flokët e tu
Mbi fytyrën tënde, të ishte si buzëqeshja jote
Tani pasi përkëdhele fytyrën time
Dhe unë u rrëmbeva tek ta puth dorën
Dorën tënde që mban peshë ëndrrat e mia.
 
Unë nuk e di kur vdes
As orë as ditë as muaj as vit
Çastit kanë me iu mbushë sytë me lotë
Kanë me i djegë sytë
Ndoshta edhe gjithë ditës i dalin lotë herë pas here
Ndoshta edhe natës në vetmi.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s