Zbigniew Herbert
Kalendari poetik: Zbigniew Herbert 29 tetor 1924
Sot më, 29 tetor, është 97 vjetori i lindjes së Zbigniew Herbert (1924-1998), poet, eseist dhe dramaturg polak, njëri nga autorët më të njohur evropianë të shekullit të kaluar. Gjatë luftës II botërore në Poloni u krijuan dy formacione luftarake: Armia Krajowa me nacionalistë dhe Armia Ludowa e komanduar nga komunistët. Zbigniew Herbert u rreshtua në radhët e formacionit nacionalist polak – Armia Krajowa. Pati gjithmonë probleme me censurën politike komuniste polake, (por në Poloni, me sa di unë, asnjë disident nuk u burgos). Vitet 1986-1992 jetoi dhe punoi si gazetar në Paris në shtypin disident polak. Gjatë jetës fitoi mjaft çmime të rëndësishme letrare jo vetëm në Evropë. Në përkujtim të poetit polak me prejardhje engleze përzgjodha nga arkivi im këtë shqipërim:
NËNA
Mendoja:
s’ka për të ndryshuar ndonjëherë
gjithmonë do të më presë
me atë fustan të bardhë
me ata sy të kaltër
në pragun e çdo dere
gjithnjë me buzë në gaz
duke vënë gjerdanin
kur beftas
nga fill i këputur
tani kokrrat e perlave janë futur
nëpër të çarat e dyshemesë
nëna e do kafenë
sobën e nxehtë
qetësinë
ulet
ujdis syzet
mbi hundën e mprehtë
lexon një poezi timen
tund kokën e pakënaqur
libri i bie mbi prehër
mbyll gojën e hesht
e fillon pa fjalë flet
nën dritën e butë të llambës
o dhëmbje që s’qetësohesh
në ç’puse ka shuar etjen
në ç’udhë më bredh
më doli ndryshe nga ç’shpresoja
me qumësht të mirë e mënda
merakun që djeg
e lava në gjak të nxehtë
duart e mbërdhira dhe të vrara do t’i ketë
larg syve të tu
shuar nga dashuri e verbër
përballim i vetmisë bëhet më i lehtë
pas një jave
në dhomën e ftohtë
me një lëmsh në fyt
letrën tënde lexoj
këtë letër
ku gërmat janë larg njëra tjetrës
si zemrat që duhen
© shqipëroi Maksim Rakipaj