RIGAT E SHIUT JONIAN NЁ POEZINЁ E AGIM MATOS! / Nga: Nexhat REXHA

 
Agim Mato
 
RIGAT E SHIUT JONIAN NЁ POEZINЁ E AGIM MATOS!
(Agim Mato: “Lundrimet…” Botoi “Milosao”, Sarandë, 2014. f. 163.)
 
Bota poetike rezulton në përditshmërinë tonë si rrezatim i përjetimit në leximet e para, duke veçuar veprat e autorëve me ndikim në letrat shqipe. Fjala artistike ka fuqinë ndikuese dhe arrin ndikimin e saj, pa imponime dhe pa diktate. Arti i shkrimit dhe arti i leximit i kanë diktatet e veta, të cilat të pushtojnë me magjinë e fjalës. Kështu u takuam me botën poetike të Agim Matos në kohë të vonshme. Takimet letrare kanë edhe këtë rëndësi, ato gjithmonë ngritin ura në mesnjerëzve e popujve. Në jetën kulturore takimet dikur bëheshin vetëm për të zgjedhurit e artit, koha ndryshoi njeriun e artin, ajo vjen në komunikim më të lirshëm,por edhe më të kompleksuar, sepse libri shqip sot, ka depërtimet nga më të vonuarat, siç po vonohet edhe vetë jeta jonë në zhvillimet ekonomike.
 
Në këto relacione dramatike vijnë edhe vargjet poetike të Agimit. Duke lexuar poezinë e Agim Matos, cilëndo nga vëllimet e tija, domosdo lexuesi i kujdesshëm do të krijojë profilin e poetit të veçantë, sepse vargu poetik i tij saktëson fjalën dhe ndërlidh kohët. Poezia e Agim Matos është e shtruar në parashtrimet artistike në përmasa të gjëra, sa artistike, po aq dokumentare, e cila saktëson paraqitjet artistike në korelacion të mjaftueshëm të përjetimeve të tija . Poezia e tij vjen si rezultat i njohjeve të gjata nëpër vlimet e kohëve, ajo qartëson idenë e vargut dhe në të gjitha konjukturat e nevojshme arsyeton mesazhin poetik.
Vëllimi poetik “Lundrimet…” ka parashtrim në pesë cikle, të cilat komunikojnë në mes vete bukur ,sepse lidhja e tematike e këtyre lirikave ndërlidh përjetimin në variantin më funksional, duke artikuluar botën joniane gjer në thellësi të botës shqiptare. Libri hapet me poezinë “Deti” për të paraqitur edhe ciklet tjera ,si: Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti,Shtëpia ime prej deti, Kryqëzimi im,…dhe prisje lejlekët, Cikli i fundit. Deti dhe bota poetike e Agimit i kanë lidhjet e gjata ata komunikojnë që herët në mes veti.
 
Qyteti i Sarandës buzë deti dhe Lëkursi sogjetar mbi detin jonian janë sa meteorolog të stinëve të buta natyrore, po aq janë edhe sogjetar të klithjeve të gjata në përjetimit e kohëve të egra. Në këto korelacione kohësh e ngjarjesh kapërdihet edhe poezia, jeta e Agimit. Ajo është ruajtur në shpirtin poetik të tij si rigat e shiut kur natyra shqiptare ndjen nevojën për të, ato vijnë me ters nga maja e Lëkursit mbi çatit e shtëpive të qytetit për të
bashkudhëtuar me valët e njelmësinë joniane.
Në poezinë “Deti”, e cila i paraprin librit, autori ka komunikuar me valët e detit, ato krijojnë pamjet nga më të ndryshmet. Nëpër vargjet e kësaj poezie gjejmë figuracion të pasur artistik. Komunikimi bëhet në kohën e ndodhive të rënda për njeriun poet, ai ka shfaqur hapur mospajtimin me veprimet e asaj kohe që deti me kthjelltësinë e tij nuk jepte mundësinë e gjallërimit të dëshirueshëm.
 
Anija dhe lundrimet në Detin Jon janë përjetime që aktualizojnë kohën e rëndë,në këto rrethana vargu saktëson përjetimin jetësor, pasthirrmat në kontekstin avancues karakterizojnë kërkesën për shtegtime të ardhme,sepse ato janë kërkesa për dalje nga gjendja e pakuptimtë e njeriut tonë,kurse britmat shënojnë kulmin kërkesave nga thellësitë e detit deri në kupë të qiellit dhe atë si dëshmitarë i mospajtimeve të proceseve shoqërore. Në vargun e fundit të poezisë “Lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti” Poenta e poezisë arrin fuqishëm mesazhin sa artistik,po aq edhe filozofik. ”Vërtet,nuk e di se lundrimet e mëdha fillojnë nga shpirti”.
 
Kontaktet e poetike arrijnë të depërtojnë në të gjitha poret e jetës, sado që rrënimet shqetësuese karakterizojnë botën reale të autorit. Ai di të tejkalojë dhembjet shpirtërore nëpërmes vargut, sepse poezia është ajo që e bënë poetin të ndjejë të gjitha ëndrrat, të gjitha pikat aktualizuese kanë destinacionin e pikëtakimeve të përbashkëta. Shpalosja e të bukurës është reflektim kah e ardhmja, Agim Mato beson në këto ëndrra të nënkresave të ndryshme, ani pse ato nënkresa krijojnë pagjumësi, ato vijnë me fatin e ruajtjen e substancës së kolektivitetit kombëtar, si pasuri e origjinës burimore në atdheun tonë.
Fati në shtegtime i ka krajatat e mundimeve të lodhshme, mirëpo ato kur kanë brumosje edukative, e dashuri prindore mundin të gjitha valët e vorbullave të jetës,sepse lotët për disa dekada kanë ruajtur në brendi testamentin shpirtërorë të kaluarës edhe mitike.
 
Të ruash qartësinë nga evokimet jetësore do të thotë ke krijuar bazamentin konstant që poezia të marrë përmbajtjen shtjelluese sa më estetike,e kjo frymë ka mbështetje vizionin e tij prej njeriu e artisti që artikulon dashuri.
Dallgët e detit me baticat e zbaticat që krijojnë stinët gjatë vitit të marrin dhe të japim trazimin e mallëngjimin shpirtërorë të vetmisë, kur loti peshon sa vetë deti. Në poezinë”Thertorja”, pamjet trishtuese jetojnë gjatë në kujtesën e njeriut, ato parafytyrojnë skena nga më të ndryshmet,sepse gjaku ngjyros detin, e këto goditje kasapësh tronditin botën e qytetit në krijimin e klimës për frymëmarrjen e ankthit,si në vargjet:
 
Oshëtinte salla e madhe,/gurgullonte kanali!/Ishim spektatorë të një teatri/ tragjedish që luhej çdo/ ditë para syve tanë/me skenat e kasapëve e të peshkaqenëve/në sallën e madhe, në detin e hapur/dhe bridhnim këmbëzbathur mbi shkëmbinj /deri pasditeve vonë./Përpëliteshim netëve në gjumë,shihnim ëndrra me /kasapë e peshkaqenë/……….si në truallin e Trojës./Fq.56.
 
Hapësira gjeografike në poezinë e Agimit ka shtrirje nëpër valë të ndryshme, ajo komunikon me gjuhën poetike, kurse fuqia e veprimit kohor të jep shpresën,anipse në disa momente ato shprehin dhembjet e gjata. Deti këtej dhe andej Korfuzit i ka plagët e veta, këto plagë tejkalojnë nëpër veprimit e peshkatarëve ,të cilët nuk ndalojnë lundrimin e tyre,ata peshkojnë për të mundur edhe mitet. Lidhja e detit me poetin konfirmon gjentjen e goditur metaforike në shtjellimin e vargut, duke i dhënë perceptimin sa më artistik, po aq edhe filozofik,sepse vetë jeta krijon dinamikën e rrjedhës së ngjarjeve, ajo dikton avancimin e njëmendësisë nga mjeshtria e dijes në magjinë e fjalës.
 
Konturat e poezisë në vepër kanë drejtpeshimin artistik , të cilat shpalosin periudha e botëkuptime te heshtura, kjo edhe i jep sharmin e fuqinë artistike poezisë në tërësinë e saj. Cikli “ Kryqëzimi im” hapet po me të njëjtën poezi, e cila vjen me fuqinë e dhembjeve të mundimshme,atëherë kur ideologjia totalitare ngalfaste frymëmarrjen e lirë. Nëpër këto intimitete fatesh, poezia saktëson vitet e rënda për të shkrirë këtë kohë të pakuptimtë, ai ka dronë se kërkohet kohë e mundi për të tejkaliuar këtë turmë të epokës përmbytëse, si në vargjet:Po biblën e vuajtjeve të mia/ kurrë nuk e pranuan.Shiringat e ideologjive/shpirtrat ua kishin sterilizuar/ fq.72.
 
Ruajtja e kujtesës në memorien e poetit ka dashurinë për atdheun , për të gjitha kohët, ajo vjen si retrospektivë nëpër këto devijime shoqërore, sepse protagonistët e Agimit janë njerëzit që ai i ka njohur, si dhe ata me të cilët ai është brumosur që në fëmijëri, e në familjen e tij, siç janë poezitë: Kryqëzimi, Duart e Tatës,Pinjoj, Ata që s!janë më-kujdesen për mua,i them trishtimt. Konsideroj së ky cikël poetik ka nivelin më të lakmueshëm artistik,sepse përjetimet e fëmijërisë ruajnë pika më të ndjeshme të jetës njerëzore.
 
Në këto pika takimi konfirmohet realiteti i jetës me magjinë artistike. Karakteri i brendshëm ka edhe diskretet e veta, të cilat si mendim shfaqin kulmin e zhgënjimit apo të lumturisë. Në këto relacione ekzistenciale deti Jon, sikur ka lidhur fatet për një ditë me tjetër, ky akumulim ka qëndruar për shumë vite i strehuar në muzën poetike të Agim Matos.
 
Libri “Lundrimet…” në të gjitha dukjet e veta të brendshme ka shtrirjen funksionale,duke bashkëjetuar nëpër epoka e perandori nga më të ndryshmet, kurse qyteti i Sarandës e deti Jon kanë dhënë e marrë nëpër këto epoka. Vegimet poetike krijojnë mundësinë e këtyre njohjeve sa të gjata e të thella, falë trajtimit të arrirë estetik nëpër meditimet e thurjet e vargjeve, si në; ide, kompozicion, mesazh, muzikalitet e figurshmërinë artistike që e kërkon vetë poezia. Në këto orientime, pikëtakimet e dhëna japin dokumen-taritetin faktik me artikulimin artistik që të jep fjala si fuqi e arritjeve kozmike në drejtpeshimin e qëndrueshëm të poezisë.
 
Deti i Agimit dhe deti real janë dy hallka që lidhin jetën, kohët dhe mitologjinë e botës shqiptare. Poezia si realitet e imagjinatë krijon e ruan në brendësi elementet me të rëndësishme, të cilat krijonë rrethanën e frymëmarrjeve për vijimësinë e njeriut nëpër periudha të ndryshme. Deti sa i afërt ,sa i largët, sa i lakmueshëm është në historiagrafinë e pupujve të Ballkanit. Duke e ditur sipas mitlogjisë se Poseidoni në lashtësi është vetë Zoti i detit. Odiesue i luftërave të gjata e të mundimshme lidh fatin me detin e atdheun. Rozafa mitike e sakrificës. Kreshnikët e moçëm,si Muja e Halili me shumë elemente glorifikuese të tjera mitike lidhin kohët. Agimi ka ndërlidh ngjarjet me protagonistë edhe nga kultura botërore, si; Kolombo, Magelani, Robinson Kruze etj., janë këto ndërlidhje me detin e poetit Agim Mato.
 
Libri në mbarështrimin e tij e tërësishëm ka të ngjeshur figuracionin nevojshëm të metaforës si dhe figurave të tjera artistike, të cilat i japin brumosje e ngjeshje të lakmueshme poezisë si dhe krijojnë qartësinë filozofike, duke i shtuar vlerën e pakontes-tueshme në fjalëformimin gjuhësor, burimor si thesar në ruajtjen e gjuhës standarde.
 
Vëllimi poetik “Lundrimet…”në lexim e përjetim të krijon përshtypjen afruese për jetë, e dashuri për njerëzimin e atdheun. Ajo rrezaton bukur në të gjitha variantet e saja si krijim estetik me vlera të dalluara artistike që dosmosdo begaton tabanin kulturor e kombëtar.
 
 

Nga: Nexhat REXHA

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s