Cikël poetik nga Teuta Shaqiraj

 
Cikël poetik nga Teuta Shaqiraj
 
 
Kur….e kur
 
Kur përhumbem në përqafimin tënd
bota sa një pëllëmbë, e ne të dy në mes.
Kur tingulli i puthjes ajrin ndrydh e tremb
bota pushon së qëni, shëët mbani…vesh!
 
 
Lojë
 
Dremitja e ëmbël më erdhi ngadalë ……..
I ulur n’mendimet e mia , i pafjalë ,
rrekem të sgjas krahët e përqafimit
me hapat ngujuar, n’rrënjet e dëshirimit.
 
E mbetem aty me tundimin e marrë
ballin e mencur tja lëmoj , si erë .
Si fëshfërimë pastaj, puhizë e lehtë
t’arratisem pa u ndjerë , si varka me velë.
 
Ah moj bredharakja dhe ti melankoli
ç’lojë hileqare luan n’sytë e mi ?
Pse zemrën ma shkund e përkund
si zog i plagosur që krahët ende tund?
 
Kacafytem me imazhin tënd, si dragua,
në fushën e betejës as unë, as ti.
Para syve t’mi çarmaroset fantazia
dhe shpirti i ndezur e pritshmja stuhi.
 
Marr shpresën e humbur, e nisem për udhë,
përmes detit shkumëbardhë të trazimit ,
lehtas me përmend e më përcjellë
në rrugën kaltëroshe të kthimit .
 
 
Gjurmë të pashlyera
 
Stinëjetë hallakatur, e çmendur me teka,
e njoh zemërimin tënd famëkeq,
ngrysur si njerka.
Kur shfryn kaluar mbi shalë të erës,
shoh bulcitë e tua me dhimbjet e lindjes,
ndërsa gjurmët lë në ditarin e kujtesës…..
 
Kam mbjellë gjurmë, me hapat e shpirtit ;
dora – dorës
ngrohtësi zemre kam lënë.
Herë herë si kërcej të njomë
të brishtat , të dlirat
pa mëshirë janë përpirë
nga hapa tinzare figurinash
aktorë filmash 007!..
 
Gjurmë penelatash,
përjetimi, vegimesh
stërkala emocionesh
netëve kanë rënë;
të freskëta, të ngrohta,
të thella si rrudhat mbi ballë.
Me aromën e jetës,
sI drenushë vrapoj e trembur
zgjuar,
       etur
            prej mallit e ëndrrës “.
 
Debora e parë mbi mua bie
si vello nusërie…
Hapa të lehtë trokasin pranë zemrës…
imazhin tim ruajnë
mes regetimave të shpresës.
 
 
Në rikthim të dy….
 
Ti je në mua, shpirtërisht brenda meje
e unë në ty, shkrirë ndër arterie.
Prej Venere vij, ti zbritur nga Marsi
tërheqje trupash, manjetikë graviteti.
 
Herë të ndarë, e herë si dallgët e detit
herë kredhur në ëndrra e jashtë realitetit.
Herë një oaz, n’shkretëtiren e ndjenjave,
kredhur ,t’përqafuar si”vallja e mjellmave “.
 
Po një ditë e di, se në ikjen time,
padashur do jem
gjethe vjeshtake në parvazin e zemrës tënde
Si grimcë meteori do vij n’ajrin e ndezur,
ti mbash ngrohtë kujtimet, udhës së mbetur.
 
Do të lë për shumë kohë, në pritje sy malluar
drejt yjesive, po të pres, nga kishim fluturuar….
 
 
Të kërkoj në fluturim
 
Nektarin e jetës
e mbledh me ëndje
kori engjejve njëzëri si n’ekstazë :
Zgjohu ti marrashe si shtojzovalle
jehon zëri im , shpërndarë mbi meridianë!
 
Shtegut yjezuar,
vrapoj nëpër kohë
të të gjej ty gjurmët , ngjizur mbi orbitë
ti zjarri e unë shiu shkrirë në stuhi
rrezëndërra diellore për ne bëhet fli .
 
 
Të ndjej
 
Ta ndjej zërin e heshtjes tënde
mes pëshpëritje fjalësh, t’pathëna ende.
Ta rrembej,
ngjyrën e syve me nuancat e lëndinës,
kur më veshin e zhveshin me trille stinësh.
 
Ndërsa sytë e mi, me refleks të gështenjtë
herë ngjyrë bajamesh të pjekura n’vjeshtë,
e herë të errët si toka djerrishtë,
kur të tutë e humbin imazhin e klorofiltë.
 
Ta ndjej buzën e ngrohtë, si bukë sapopjekur
dhe avujt e frymës në ajrin e mrekulluar.
Ta marr përqafimin vjedhur
mbrëmjes së vakët,
Si mantel i butë kur shuan flakët.
 
Të ndjej, të prek të shoh nën flakadanet è zemrës.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s