Poezi nga Merita Paparisto

 
Poezi nga Merita Paparisto
 
 
Kur vjeshta vjen
 
Çdo herë kur vjeshta shtrohet përmbi tokë
e stinë e shtegëtimit than e largon…
ti pranë më vjen si për çudi
me zë të ëmbël, sy të përhumbur…
-je shegë- më thua- dua të të ha
-jam zog-përgjigjem
-atëherë…ku e ke folenë?
Unë shqis një brinjë
dhe ti vështrimin hedh e sheh:
një pemë bajameje përherë të lulëzuar
një gjarpër rreth trungut përdredhur
…dhe një fole.
 
 
Përmbi liqen
 
O masë e ujshme shpirtrash
përmbi suprinë e nën të…
 
Prej uji, si ty jam edhe unë
në më shumë se gjysmën time
dhe si avull do t’i kthehem qiellit
në një re të kaltër në cep të tij
kur koha të vijë
 
Pjesa e mbetur,
rrugë të shtrembëra,
gardhe,
shputa këmbësh
të gjakosura në vallzim,
troku dhe hingëllima e një kali
në bregun tënd,
degët e shelgjeve lotuese
të mbira mbi flokë
dhe mjellmat e zeza,
të gjitha,
të gjitha do t’i kthehen tokës
 
Zogjtë e egër të ujit
krokasin mbi suprinë.
O masë e ujshme shpirtrash
a e dëgjon edhe ti si unë
zërin e hollë e të fortë
me nota të larta
që më thërret me emrin tënd?
 
 
Pikëshim
 
Bie shi.
Ti sheh me një pikëllim indifferent
rrobat e tua që lagen.
pastaj troket porta e jashtëme
shkoj ta hap dhe vë re që kam gabuar
nuk ka njeri
 
një flutur nate ngjyrë dheu
futet në shtëpi
qëndron mbi mua dhe sheh
këto vargje që po shkruaj
 
Për sa kohë?
Deri kur do qëndrojë në mua
shpirti yt, pluhur yjesh grimcuar imët
në mullirin e heshtur të kohës
 
I lag ky rrebesh i egër
rrobat e tua
nën dhè.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s