Poezi nga Odise Kote

 
Poezi nga Odise Kote
 
 
VJESHTA I KËPUTI GJETHET …
 
Vjeshta i këputi gjethet e kafta, të tharat,
si letra lamtumire për stacione të tjera.
Fate të intriguar në hamendje trillesh,
për udhë të panjohura ku do t’i shpjerë era …
 
Si të gjitha çmenduritë që e kanë një fund,
tejmbushur me kujtime e kënaqësi oshënari.
Vejushat martohen shpejt, ato që ngurojnë,
unazat shesin të japin mësime morali …
 
I këputi vjeshta gjethet …
 
 
PREJA
 
Ia rrëmbejnë kohën dhe durimin, e shtrijnë mbi rërë me kujdes,
duart i vendosin gjoksit, s’kanë kurajë që t’i mbyllin sytë.
Mbetur trup pa shpirt, i pakundshoq, tokë e shkretë, tmerr,
krahëkëputur, mbi krye krokojnë korba mbi pezullitë.
 
Zëprerë, përhumbur, mbytur në pendesë të paqëllimtë e pikëllim,
prej të perënduarit, në sa hëna josh kotsëkoti pyjet për shëtitje.
Kumb’ vaji mbështjellë trup të hirnosur që e ngroh me pak frymë,
flutura fantazie që vijnë rrotull, t’i zgjasin agonitë dhe pritjet …
 
Ia shkulin edhe çastin fluturues mbi hon të gabimit e mërzisë,
u duhet i gjithi, me rrënjët e paepura, të fshehura, me urrejtjet.
Përskaj i shkon vdekjes pa ditur që bujarisht paska falur lirinë,
kanë frikë se në thëllim të stuhisë, zgjohet dhe dëbon vetveten…
 
 
PEMË E DJEGUR RRUFEJE …
 
Pemë e mbetur trung, djegur rrufeje,
me plagë të gjakosura, të paepshme,
tharë, hirnosur, zezuar hobeve.
Harresa nuk të vuri dot poshtë para kohe,
ngase e tërhoqi zhakthi trupin tënd,
mu si një fjollë të vetmuar mjegulle …
 
Pemë e mbetur cung, djegur rrufeje,
me ndriçime vetëtimash nëpër deje,
frikësuar më shumë se unë,
pa ëndërra, pa këngë, pa lëng,
me brengën që s’çel dot gjethe,
me trishtimet – zgavra, plagë foleje …
 
Pemë me sy të mëdhenj, bërë agull,
si të jetë lodhur limfa e cokatur,
qē klith në trup e krat,
mbi sytha bisqesh a xixa zjarr,
cytyr shpërthimesh përqark,
përvëluar në pamund, gjakim çmendurak.
 
Mos e qortoni pemën djegur rrufeje,
qëndrestare të paepur beteje,
luftoi si askush, e tërbuar, e vetme
me fatin e vet zemërak!
 
Ai trung – cung, djegur rrufeje,
pret të fryjë era e mbarë,
të ikë pa kthim, si një varkë,
të ikë larg, kush e di se ku?
Larg …

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s