Dekoratori plak / Skicë nga Edmond Llaçi

 
Skicë nga Edmond Llaçi
 
 
Dekoratori plak
 
Sa herë do të merja rrugën për nga puna e tij do të qeshja nën zë, pasi e dija se çfarë më priste aty.
Si gjithmonë do të çohej nga karrikja. Në qoftë se ishte duke punuar, do të lënte mjetet e punës për të më dhënë dorën. Nuk është njeri i keq. Si i thonë andej nga zona jonë, hyn në tipat “e leshtë “
Në qoftë se vazhdimi i bisedës do të drejtohej nga ai, në artikulimin e fjalës ose më saktë të ligjëratës, nuk do të mungonte as edhe një prejse, pikëprejse, kllapa, thonjëza e kush i mban mend përveç atij të gjitha ato shenja pikësimi. Dhe për të plotësuar të gjithë atë kohë që kishte në dispozicion, ku në të shumtën e rasteve e kishte vet në dorë, do të gërmonte deri në imtësitë më të pakapshme të ngjarjes që tregonte ose komentonte, duke vënë në lëvizje të gjithë trupin e tij. Duhej ta lëje të mbaronte dhe më pas të nisje të flisje pasi edhe ai, pothuajse e respektonte këtë veprim.
Në çastet e para të dëgjimit të tjetrit, ishte i vëmendshëm. Dalëngadalë, duke të dëgjuar dhe pa e kuptuar as ai vetë do të fillonte të merrej me pëllë-mbët e duarve të tij. Duke i vendosur ato përballë njera tjetrës dhe puthitur mollëzat e të dhjetë gish-trinjve me njeri-tjetrin, do të ndiqte linjat e të gjithë atyre “vëllezërve siamezë” për të parë deri ku shkonte ngjajshmëria e tyre. Me gishtrinjtë të puthi-tur kokë më kokë, do t’i lëvizte të dyja duart për të parë edhe më thellë atë ngjajshmëri të madhe që u kishte dhënë Zoti.
Në ato çaste vëmendjen nuk e kishte më nga unë. Tek niste të ndjente formën e gishtrinjve sikur të kishte arritur të prodhonte me to një lloj energjie biologjike tek i prekte një nga një, duke provuar njëlloj ndjenje mistike me shfaqjen e kësaj “energjie”. Pyetjes time për t’i kërkuar mendimin, i përgjigjej sikur nuk ishte aty: Si e the. Pa përsërite edhe njëherë. Buzëqeshja e shfaqur në ato çaste më çarmatoste. Naiviteti i tij sikur më thoshte: “Duhet të ma thuash edhe njëherë që ta kuptoj. Për ta shkëputur nga ajo që po jetonte në ato çaste, i thoshja se duhej t’i numëronte edhe njëherë gishtërinjtë, pasi mund t’i mungonte ndonjë prej tyre. Rrëmbimthi do t’i shkëpuste duart dhe do t’i kalonte mbrapa si për t’i fshehur nga diçka e frikshme. Si i zënë në faj do të më dhuronte disa buzëqeshje të shpejta.
Nuk dua të futem në kundërshtitë, shijet dhe konceptet e kundërta, ku herë pas here na bënin të flisnim me zë të lartë, por do të vazhdoj të tregoj këtë shfaqje të pavetëdijshme të karakterit, që më nxiste të zhbiroja thellë qenies së tij.
Gjatë kohës që i flisja, ndiqja me vëmendje lëvizjet e duarve. Sendet e ndryshme të ndodhura mbi tavolinën e punës do t’i zhvendoste, e vendoste në vende e pozicione të tilla, duke krijuar figura gjeometrike, simetrira të ndryshme të konfiguruara në ato çaste përbrenda trurit të tij. Duhej t’i shikonte nga pozicione të ndryshme ato figura për të vendosur nëse do t’i lënte në idenë e parë. Me humor, në ato momente ja lëvizja ato pjesëza të atij pazëlli që jetonte përbrenda tij, duke i thënë se kështu mund të dukej më mirë. Prapë, duke buzëqeshur do të fshehte duart mbrapa.
Në jetë kishte realizuar me dhjetra makete si dekorator. Kishte qenë i kërkuar sidomos për maketet e muzeumeve. Edhe në muzeumin kombëtar e patën thirrur dikur. Gjithmonë dukej sikur ndërtonte në miniaturë skena të ngjarjeve nga më të ndryshmet. Edhe pse butafori, ato i jepnin atij ndjesinë e të lëvizurit lirshëm brenda tyre. Shtesa e një kthese rruge, vendosja e një porte me qemer shpesh i nxiste fantazinë që historisë t’i jepte një drejtim të ri.. Edhe pas kaq kohësh duart e tij ndërtonin në ajër skena të lira, ashtu siç do të donte të kishin ecur gjërat. Duhej t’i tërhiqje vëmendjen për ta kthyer tek e tashmja. I zënë në befasi, gjithmonë shpikte një sebep me bashkëbiseduesin.
Edhe kur shkonim për kafe, gjatë kohës tek qëndronim ulur, nuk fliste por do të merrej me tavllën e paketën e duhanit, e me çfardo objekti tjetër që ndodhej aty. Në çastet kur i kërkohej fjala ose dëshironte, do të fliste pasi të bindej se tavlla do të ndodhej në një prej kuadrateve të stampuar mbi syprinën plastike, ose do të qe në pozicionin që e dëshironte ai. Duke kuptuar se shikimi im nukpo i ndahej veprimeve që ai kryente, duke i përplasur duart lehtë me njera tjetrën sikur i pastronte nga diçka, do t’i shkëpuste prej andej.
Kur kam kohë shkoj shpesh nga ai pasi ndjehem këndshëm.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s