Kalendari Poetik: Ndre Mjeda (19 nëntor 1866-1 gusht 1937) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

 
Ndre Mjeda
 
Kalendari Poetik: Ndre Mjeda (19 nëntor 1866-1 gusht 1937)
 
Sot asht data e lindjes së Ndre Mjedës, bylbylit të gjuhës shqipe qi me madhështinë e poezisë së tij na ban thirrje mos m’e harrue gegnishten, se asht mkat, asht krim, asht turp, asht faqja e zezë e atyne qi deshtën m’e vra gegnishten qi ka mijra vite jetë!
 
 
LIRIA
 
– I –
 
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n’ato maja;
mbi bjesh’ t’thepisuna e n’ograja,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?
 
A keni ndie ndikund, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni!
 
“Lirim, lirim!” — bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t’mjerin e mblon anemban’ robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,
e vështroje ku i del lirimit ama.
 
 
ANDRRA E JETËS (TRINA)
 
I
Molla t’kputuna nji deget,
dy qershia lidhë n’nji rrfanë,
ku fillojnë kufijt’ e Geget,
rrijnë dy çika me nji nanë.
 
Kreskë e bre perzie me lisa
rriten rrotull, me çetinë,
plepa t’but’ e qiparisa
mbëlojnë e veshin at’ ledinë.
 
S’ushton mali prej baktie,
s’fryn murrlani me duhi;
paq i kthelltë prej perendie,
paq prej njerit e qeti.
 
Gurra e lugut veç ushtonte
si lahutë me kangë kreshnike;
e ndër pemë bylbyli këndonte
valle dasmet e fisnike.
 
Ngreh, bylbyl, n’at’ hije valle,
ushto, gurrë trimneshë, n’shkambije;
bulk i natës kungallë, qi talle
nëpër gemba e për lamie,
 
Këndoni, këndoni. Veç prej stanit
t’ardhmen Trina mbramje n’shpi,
tue blegrue nji kij mbas zanit
t’deles nanë keni me ndi.
 
Veç prej plehut gjel-kokoti
me njat za që s’nd’rron kurr-herë,
ka me gjegjë se a tue ndërrue moti
se a tue çue nji tjetër erë.
 
II
U ndie nji za te shtegu;
Cice! del se erdh murgjina,
e mbrapa po vjen Trina
me ‘j qingj të sykës ngryk.
 
E duel me mjelcë te burgu
Lokja, nxuer viçin jashtë,
e Shega, e lehtë si kashtë
tue kcyemun u bërlyk.
 
Iu suell oborrit rrotull
tu’ u hjedhë me bisht përpjetë;
derisa plaka vetë
rrshanë tu murgjina e çoj.
 
Moli tue këndue, lopën,
tue pritur viçin prorë;
e tambli, bardh si borë
përmbrenda mjelcës gufoj.
 
Mandej muer kijin pezull
e u vu me sykën n’sanë,
sa çote tamblin anë
Zoga me nxe do pak.
 
Muer edhe krande e cokla,
e Trinkën muer për bri:
ish lodhë: i dhimbte nd’ijë,
e kishte mollzat gjak.
 
Vuni do krande n’votër
e fryni n’zjerm qi ish ndalë;
thej pshesh me tambël valë,
e mbushi kupat plot.
 
Pshesha me kollomoqe,
t’mirë edhe për zotni,
kur don për rob e shpi,
me i fal’ i madhi zot.
 
E hangri Zoga shishëm,
por Tringa s’hangri gja,
as Lokja, qi ishte vra
mbas çikës, nuk hangri dot.
 
Por tirte ndejë te votra,
tue kqyrë me zemër t’plasun,
tue nduk’ at’ shllugë të rrasun
iu mbushnin sytë me lot.
 
Kur nji mbas nji pranë zjermit
u mblodhën gjumit fëmija,
u çue, e t’dy, si kija,
mbi t’shtruemen i vendoj.
 
E tirte prap te votra;
penj tirte për xhubleta,
e i dukej se tu këneta,
se n’shpella me dragoj,
 
Tirshin dhe shtojzovallet
tue luejtë pa mejun gishtat;
siellshin me pleq ferishtat
ndoshta edhe fëmin’ e vet?
 
E shloj me pa tue pritun
dritën e pishës me dorë;
ngrykas, si dy qiellorë,
me krahë pa pupla i gjet.
 
III
Cice, shka ka sot Trinka
qi po priton m’u çue?
Zgjoje me dalë me mue,
me lëshue bag’tin’ e vet.
 
– Bij’, mos e prek, se njomja
tash a tue folë me Zojën;
len zan’ e mos çil gojën
se e lumja Zojë t’bërtet.
 
Qe prifti, nanë, qe dajat
mbas tij, me qiri n’dorë;
katundca me malcorë
sa shpia nuk i xe.
 
– Rri, bij’ se sonte Trinka
po shkon me bujtë te Zoja;
merri këto lule e çoja
së lumës dhunti për të.
 
 
ANDRRA E JETËS (LOKJA)
 
I
E n’balkue mbaruen lulet:
shurdh’ a vendi e shpia tytë;
jo, me Loken nji e dytë
nëpër shpi ma nuk u gjet.
 
Vetun zbardh’ e vetun erret
me krye n’hi e shuemja plakë;
nji dorë krande me i ba flakë
përmbi votër kush s’ia qet.
 
E disprohet me vetveti
që nuk bani kurrnji djalë:
sot e reja i kish dalë
bashkë me dritë për dru në shpat.
 
Kish mbajtë zjermin ndezë mbi votër,
ia kish njomë njat buk’ e mjera;
edhe Lokja me gjith’ tjera
kishte dalë me petka n’shtat.
 
Kish shkue motin si pranvera
me ndo’j fëmijë tu’ e kalamendun;
ishte knaqë tue u përmendun
tash e tash ferishta n’djep.
 
E disprohet ku i ve mendja
or’ e ças te Trina, e shkreta!
ia lypë mortës n’ankime t’veta,
por mizorja nuk ia nep.
 
II
U shty vjeshta e krisantemi
vetun vorreve lul’zon;
landët e pyje, gjith’ ku kemi,
tue fry veri po i cungon.
 
Nd’rron prej dimnit landa veshën,
e lëshon gjeth’t qe para pat;
e, për mëshirë, duhitë qi ndeshen,
ia çojnë t’vorfnit me i ba shtrat.
 
Binte bor’ e frynte veri
tue çue akull për gjith’ vis;
nalt orteku ushton për mneri
tue fundue çetin’ e lis.
 
Me dy cokla n’votër plaka
rri gjith’ natën e vajton;
rri me duer kah ndezet flaka
porsi njeri kur uron.
 
E shikjon nji dritë t’venitun,
vron pasqyrën e jetës s’vet:
e larg morten tue kositun
e kujton e pran’ e thrret.
 
E ndie ‘j frymë përmbrenda shpie
porsi erë qe vjen pa shkas;
e, n’at muzg, nji vegim hije
Lokes n’votër leht’ iu qas;
 
përmbi plakën krahët i uli
e ngryk t’shuemen e shtrëngoi;
buzët t’shpulpueme n’ball’ ia nguli;
u ndal drita e ajo mbaroi.
 
 

Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s