Poezi nga Petraq Risto

 
Poezi nga Petraq Risto
 
 
Korridori i pasqyrave 1
 
…Një trëndafil të bardhë ta ndeza mes kaçurrelave të zinj: flamur dorëzimi
në korridorin e pasqyrave trëndafili im luante një iluzion përçudnimi.
Pasqyrat gjithnjë gënjejnë prandaj edhe janë shpikur.
Deti dhe qielli luajnë gjithnjë rolin e Narcizit dhe pasqyrës.
Një lis gënjehet nga hija e Whitmanit, një shelg – nga hija e Audenit.
Ofelia nuk u mbyt në rrjedhën e një lumi
po u zhyt në argjendin e një pasqyre të lodhur nga dialogimi.
Pasqyrat gjithnjë gënjejnë prandaj edhe janë shpikur.
Dalë rrugëve menjëherë pasi shoh veten në pasqyrë dhe kuptoj se s’jam i bukur
se gënjeshtra e pasqyrës nuk vlen më shumë se pasqyra në shtëpinë e Frojdit
kuptoj pse ti nuk del nga alkimia e pasqyrave në formë idoli.
Heshtja është pasqyrë me ndërgjegje të oksiduar: vetvritet çdo ditë nga drita
pasqyrë me mirazh të alarmuar: të vërtetat u thyekan…
Pasqyrat gjithnjë gënjejnë prandaj edhe janë shpikur.
 
 
***
 
Kam një jetë që ndjek pas hijen time: projekt-harta e varrit tim
truproja ime.
Hija ime – tulipan drite në një kopsht absurd
joshës i dheut
veç hija ime më mund.
Tronditet dheu
dashurohet me hijen gjer në amëshim
Dorëzohem. Trupi dhe gjaku shkrihen.
Hija bëhet mendim.
 
 
NJË PIKË (.)
 
Ishte një pikë e thjeshtë . si të gjitha pikat
si shenja që lë kompasi mbi letrën e bardhë
para se dikush të krijoj Botën.
Një pikë e vockël në kërkim të mbylljes së një fjalie
mbase të harruar nga Shekspiri…
Një pikë shumë e vockël: majëz nga bari i përjetësisë
rrëmbyer nga gjarpëri i Gilgameshit…
Një pikë thuajse e padukshme: njollëz loti zvogëluar me lupë ligësie.
Rrotull asaj pike u mblodhën të gjithë
të mëdhenj e të vegjël
shikonin njeri – tjetrin në sy
                    për të zbuluar
                    nga cila retinë
                    kish rënë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s