Zija Çela: I GOZHDUAR PËRFUNDIMISHT NË KRYQIN E KRIJIMIT – Më duhet ta pranoj këtë perifrazë në javën e Panairit të Librit

 
Zija Çela
 
 
“I GOZHDUAR PËRFUNDIMISHT NË KRYQIN E KRIJIMIT”
– Më duhet ta pranoj këtë perifrazë në javën e Panairit të Librit –
 
Është thënë këtu, kur shkruhej për tre romanet e Triptikut në botimet e para, ato veç e veç dhe që tani vijnë të tre së bashku në një libër nga ONUFRI. Ky është botimi i katërt për “Gjakun e dallëndyshes”. Sipas një projekti qe u zbatua në disa vende europiane, kur në shenjën e mbylljes se shekullit XX, Biblioteka “Koha Ditore” botoi njëzet tituj, gjashtëmbëdhjetë ishin përkthime nga letërsia e huaj dhe katër romane nga letërsia shqipe, njëri prej të cilëve “Gjaku i dallëndyshes”. Për “Gjysmën e Xhokondës” është botimi i tretë, ndërsa i dyti për “Banketin e hijeve”, i cili mori çmimin e romanit më të mirë të vitit 1997. Tri ballinat u përkasin botimeve të para.
 
Xhemail MUSTAFA: Identiteti i prozës moderne shqiptare do të ishte i gjymtë dhe do të ngjante me një gjysmëxhokondë të njëmendtë pa prozën e Zija Çelës, veçmas pa triptikun e romaneve të tij të mrekullueshme për jetën dhe vdekjen, për dashurinë dhe për deformimet e skajshme morale në një mjedis të izoluar dhe të vetëmbyllur. Veçori dhe vlerë kryesore e këtij triptiku është prirja për fantastikën letrare, për ironinë dhe parodizimet autentike, të ndërtuara mbi këtë prirje të veçantë krijuese. Romani “Gjysma e Xhokondës” paraqet modelin më tipik të kësaj prirjeje e koncepti letrar dhe është pikërisht kjo arsyeja pse lexohet e përjetohet si një libër plot me situata e me zgjidhje letrare të papritura dhe me një potencë ironizimesh e parodizimesh krejt origjinale.
Kujtoj se bashkë me dy romanet e këtij triptiku, “Gjakun e dallëndyshes” dhe “Banketin e hijeve”, romani “Gjysma e Xhokondës i Zija Çelës artikulon figurshmërinë e parodizimeve më inventive në prozën shqipe.
 
Tefik ÇAUSHI: Të flasësh për përmbajtjen e “Banketit të hijeve”, do të thotë ta thjeshtosh e ndoshta ta banalizosh atë, t’i heqësh tisin mitik dhe magjinë e rrëfimit, të shpërbësh bukurinë e kompozicionit. Është njësoj si në rastin e mumjeve, të cilat shpërbëhen sapo t’i nxjerrësh në dritë për të kuptuar teknikën e ballsamosjes së mjeshtrave të dikurshëm.
Romani ka rreth 80 personazhe. Secili ka biografinë e vet tejet origjinale, në dukje të pavarur nga ajo e të tjerëve, por si në sixhadet persiane, ku edhe filli më i parëndësishëm e nxjerr kokën atje ku duhet dhe atëherë kur duhet për të krijuar atë bukuri të mahnitshme, edhe te romani i Çelës ajo është funksionale dhe e pashlyeshme nga panoja fantazmagorike që krijohet gjatë leximit.
 
Arbër AHMETAJ: Mamaci i Çelës (romani “Banketi i hijeve”) është plot e përplot me jetë, me hasmëri e kurvëri, me tregti e me festa, me idiotësi e me burg, me të marrë e me të mençur, me emigrantë të ikur e të rikthyer, me të vdekur e me të gjallë që enden herë me krye e herë pa krye, me armiq përballë, me armiqësi të vjetra sa jeta.
Autori mban nën kontroll jo vetëm linjat, personazhet, por edhe detaje e gdhendje nga më të imtat, të cilat i sjell e risjell në mënyrë të befasishme për kënaqësinë më të madhe të lexuesit. Ajo që e shndërron leximin e këtij libri në një kënaqësi të vërtetë, është aftësia e shkrimtarit që të përziejë në të njëjtën materie letrare hiperbolizime fantastike me mite e rrëfenja të vjetra, që i japin shkrimit një natyrë eterike e mistike, njëherësh e këndshme për t’u lexuar dhe marramendëse si përfytyrim.
Nëse vërtet nuk arrijmë “të dëgjojmë zhurmën që bën rruzulli i tokës duke u vërtitur në boshtin e vet”, siç i ndodh një personazhi të Zija Çelës, e sigurt që ndiejmë gurgullimën e pastër gjuhësore dhe mjeshtrinë e një shkrimtari të madh bashkëkohor.
 
Ismail SYLA: Nëse dikund në letërsinë shqiptare do të gjente zbatim thënia e G. G. Markesit se Makondoja e romaneve të tij më parë se vend gjeografik është gjendje shpirtërore, atëherë pikërisht Mamaci dhe Barabia e romanit “Banketi i hijeve”, para se vendbanime janë gjendje shpirtërore, të cilat kuptimësohen në kontekstin e ngjarjeve të romanit. Ky roman është model letrar i përkryer për t’u ngritur në lartësi metafore mbi përmasat devijante të psikologjisë kolektive. Nëse romani “Njëqind vjet vetmi” i Markesit është metaforë e njëqind vjetëve izolimi, e një prapambetjeje tepër të gjatë të njerëzve, ky roman është metaforë e 101 vjetëve jetë kotësie dhe shterpësie shpirtërore. Nëse letërsia i mbushëllon idetë teorike, atëherë Zija Çela ka dhënë të gjitha situatat e nevojshme fabulare dhe ka krijuar personazhet tipike për të përçuar artistikisht aspekte të degjenerimit shoqëror, si të individit ashtu edhe të institucioneve. Një destruksion tmerrues, i gdhendur në mënyrë lapidare, për të treguar shenjat emblematike të degradimit shpirtëror, kur mbi një kolektivitet sundon marrëzia.
 
Linda ABAZI: Zbulimi, shpikja e një gjuhe të tillë si shprehje e ndjenjës, është zbulim i një gjuhe të re. Zija Çela prej kohësh e ka zbuluar këtë kontinent të gjuhës së re dhe stili të ri, krejt të vetin, në të cilin nuk ka paraardhës dhe, them, as nuk do të këtë. Realizmi magjik i stilit të tij, koaguluar në satirën groteske të “Banketit të hijeve”, është arti i çlirimit prej nyjes gordiane të pse-ve të rënduara me dije në një çlirim ndoshta të ngjashëm me nihilizmin kristian. Qeshja në kryq, ku thirremi nga autori, është qeshja për të lindur. Ka ndodhur se është talent rrëfimi, përvojë e pasur krijuese, shumë dashuri njeriu, por edhe për shkak të asaj shqisës tjetër, pikërisht shqisës së gjashtë që në vend të thotë “Di”, thotë “Njoh”.
Kur njëherë i kam thënë Zija Çelës se është njeri i lumtur, qeshi hidhur. Tani po i them prapë se kam të drejtë, sepse ai është krijues i gozhduar përfundimisht në kryqin e krijimit, ka kohë që nuk zbret prej aty dhe, i gjakosur e me kurorë, na fton në Banket, domethënë në banketin e tij letrar.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s