Poezi nga Rudina Muharremi Beja
SY
Në këtë kohë angështie
me trajta e përmasa të frikshme
gojët i mbyllëm,
Folëm me sy.
Vështrimeve shkëmbyer,
shungëllonin mendimet e trembura aty…!
***
Ja deti atje tej,
zhurmën ia ndjej ende dallgëve,
ja rëra me gjurmët e mia të bardha,
ndjej ende kumbimin e hapave.
Të njëjtat gjurmë,
mbart dhe qyteti i ndriçuar me fenerë të zbehtë
përhumbur përshtjellimit të njerëzve,
ndërsa zemra,
ah, zemra,
ajo gjallërohet vetëm atëherë
kur sy mbyllur të mendoj
tek qëndron ulur aty ku qielli puth tokën
me flokët e zbardhur e fytyrën e lodhur
përballë horizontit të paskaj,
tek më pret,
ndërsa orët vrapojnë pa ndalim!
***
Majë gishtërinjsh shkel mbi livadhin e ëndrrave
mbrujtur dëshirave të heshtura
udhëtimit, mes krahëve të muzave,
pa busull,
vorbullës së fuqishme të ndjesive
që nganjëherë më përhumb thellësive
shtjellave gri
e nganjëherë zbardhëllimit të vesuar të agimeve,
herë horizonteve në perëndime
e herë përtej vezullimave,
territ të përflakur të yjeve
ku labirintet dhe meridianët e ngurtë
fshehin udhëkryqe,
vetvetes gjithmonë në kërkim!