POEZIA / Esse nga Raimonda Moisiu

 
 
Esse nga Raimonda Moisiu
 
 
POEZIA
 
Gjithmonë kam menduar se edhe një mjekrosh i poezisë mund të ketë rast gjatë jetës së tij të turpërohet para poezisë së një vajze adoleshente. Në të vërtetë ky lloj turpërimi mund të shqisohet nga një mjekrosh që vazhdon të jetë poet përsëri. Se, për fat të keq, ngjet që dikush mund të njohë poezi dhe poetë pa fund, por ndërkohë…
Tashmë lëkura e tij që të shpohet aq sa t’i lëvrijnë nervat menjëherë, do shumë më tepër të shpuar se sa maja e mprehtë dhe fare e vockël e një gjilpëre qëndisje.
Një poet që vazhdon të jetë poet tërë jetën është në kërkim të së bukurës, të poezisë së bukur, e cila gëlon ngado, patjetër ashtu, sikurse gëlon gjallesa e jetës, sikurse gëlon natyra; sikurse gëlon një kopsht me fëmijë të vegjël dhe që askush nuk e parashikon se cili prej tyre do të bëhet ministër, cila kryetare kuvendi, kush do të bëhet vrasës, kush shkrimtar e poet i mjerë.
Derzhavini i shquar i Rusisë, kur dëgjoi vetëm një poezi nga një djalosh 16 vjeçar tha vetëm kaq: “Ja se kush do ta zëvendësojë Derzhavinin”. Djaloshi ishte Pushkini.
Kam vënë re që poetë që kanë pas bërë emër, kanë patur ndofarë arritjeje, kanë nisur dhe vështrojnë me shtrembërim buze ngado. Sigurisht që është e dhimbshme, kur lexon penën e dikujt që ka qenë aq rinore, aq e freskët, që nga gjetjet e deri te mënyra origjinale e shpërthimit, por sot shkruan duke të kujtuar dikë që është i velur, i dëshpëruar, i neveritur nga jeta, i “qetësuar” me mllefin para gotës së alkoolit, lajkatar me elozhe hipokrite, e fjalë të përzgjedhura elokuente.
Do të arsyetoja se janë dy përbindësha të liq dhe të fuqishëm shumë, që sulmojnë shpirtrat poetikë derisa i mbytin duke i kthyer në përbindësha vetë edhe ata.
Këta dy shtriganë quhen – etja për të bërë pasuri dhe etja për të bërë karrierë.
Poetët e vërtetë, si kanë kaluar lulishten e tyre pranverore dhe po ngrënë një park kombëtar poetik të vetin, u kanë qëndruar me sa e si kanë mundur larg këtyre joshjeve. Zakonisht kësi njerëzish, bota e egër përqark i shtyp, bëhet e tëra kundër tyre; kjo botë i tmerrohet vetmisë së poetëve dhe gjen gjithfarë formash për t’ua marrë atë dhe, kur nuk arrin dot, atëherë, i detyron të rrojnë në mjerim e deri në vetëvrasje. “Poeti është i pambrojtur, siç është e pambrojtur retina e syrit”, ka shkruar patriarku i poezisë, poeti Xhevahir Spahiu që sot, për shkaqe …e kush i di shkaqet…gjendet rëndë, megjithëse në moshë të mesoburrit.
Majakovski i madh dy herë ka dorëzuar teserën e Partisë Komuniste në kohën kur përjashtimi nga Partia Komuniste konsiderohej “pushkatim politik”; shpirti i tij poetik nuk duroi dot dhe, pas këtyre tentativave, ai vrau veten.
Ja të marrim një shembull nga më të freskëtit. Besnik Mustafaj botoi do kohesh në gazetën “Panorama” një artikull që sulmonte gjithsesi despotizmin berishian. Z. Mustafaj ka qenë edhe ministër i z. Berisha – post që e lakmojnë kaq e aq karrieristë që janë gati të bëjnë çfarëdo lloj maskarallëku për të arritur në një punonjës të shkallës së tretë ambasade, por ka dhënë dorëheqjen. Mirëpo Mustafaj shkruan poezi.
Unë kam pasë fatin ta lexoj poezinë e Besnik Mustafajt që në hapat e para të krijimtarisë së tij.
Besniku është poet! Nga ai kamp dalin dhe shpërthejnë rebelët. Jo nga kampi i skllevërve; skllevërve të parasë apo të karriges.
Për mua poezia i ngjet dashurisë. Askush nuk ka mundur të japë një përkufizim të pranuar përfundimisht nga të gjithë se, vallë; Çfarë është dashuria? Sikurse edhe për poezinë, do të thosha unë. Që të dyja presupozojnë detyrimisht një gjendje të pazakontë e organizmit, kur njeriu ka mobilizuar gjithçka të tijën, ndjenjat, mallin, dhimbjen, kujtimet, shpirtin, nerva, rrahje zemre, adrenalinë. Fytyra e poetit kur është duke shkruar në një gjendje të tillë ekstaze, ndryshon krejtësisht nga një gjendje e tillë normale, sikurse ndryshon fytyra e të dashuruarit apo të dashuruarës në çastet hyjnore të orgazmës.
Natyrisht që edhe kultura letrare është një tjetër furi që ka rëndësinë e saj. Mirëpo ajo nuk arrin në shkallën e shpërthimeve poetike. Kultura letrare, të lexuarit, të njohurit thellësisht të poezisë, etj, këto , dakord, kanë pozicionin e vet. Por jo determinuesin. Kultura i përngjet njohurive të gjithanshme që ka një trajner boksi, por që i mungojnë reflekset dhe forca rinore. Apo i ngjajnë sekreteve të panumërta të seksit që di një punonjëse veterane bordelloje, por që i mungon rinia, freskia, bukuria e dikurshme dhe e panikosur nga shenjat e pleqërisë.
Të këtillë gjendje ekstaze poetike, që është e domosdoshme të shkruhet poezia, e provojnë më dendur të rinjtë, por, askush nuk ia ka privuar këtë të drejtë asnjë moshe.
Mmm….Për të krahasuar …Mbase do të qe bukur…dakord…po vazhdojmë … Po e marrim shembullin që kisha ndër mënd.
Tregimin e Gorkit “Hani dhe i Biri”.
Që të dy, baba e bir, kishin rënë në dashuri me një vajzë nga vajzat e haremit të tyre dhe vendosën që ta vrisnin. Sepse askush nuk i hapte rrugë njëri-tjetrit. Në kësi punësh, askush nuk hap rrugë, nuk toleron askush.
Shkuan për ta vrarë. Deri atje përfundon “bagazhi kulturor” i të dy rivalëve, ku presupozohen erudicione të ndryshme, në kuadrin e krahasimit tonë. Le ta zëmë dinte më shumë hani me përvojë të madhe jete; le ta zëmë se dinte më shumë i biri, që kishte gjithçka gati nga i ati, shkollë më shumë nga ai, etj. Pra, deri te humnera shkuan që të dy me vajzën e re për krahu dhe qe natë.
Që të dy atëherë shkruan poezinë e tyre – tashmë të zhveshur nga “bagazhi kulturor”. Shkruan poezinë për dashurinë e tyre të përbashkët që do ta hidhnin në humnerë.
Cila ishte më e fuqishmja vallë? E djaloshit të ri, apo e plakut të tharë?
Si dëgjuan të luturat e vajzës, si dëgjuan klithmat e saja ndërsa fluturonte teposhtë humnerës, baba e bir u nisën për në shtëpi. Hani plak, pa nga i biri një herë, bëri disa hapa nëpër natë për nga kish rënë drejt ujërave dashuria e tij dhe nuk u kthye më kurrë.
Sigurisht prurjet me të fuqishme poetike vijnë nga moshat e reja, por …hehe… a nuk kemi vënë re se sa “hanë” po ndjehen në poezinë e sotme shqiptare , së paku? Sipas hulumtimeve të mia, kësi “hanësh” që janë gati të hidhen në humnerë për dashurinë e tyre të parë ( mbase të pa vënë re) dhe të fundit, për poezinë, vijën në mënyrë determinuese nga “kampi i grave”.
Nuk dua të përmend emra, se mos harroj dikë a mos më zemërohet dikush, por, a nuk është kështu në poezinë e sotme? Së paku në atë të emigracionit? Me këtë rast, pa dashur të bie në pozitat e ndonjë militanteje të “lëvizjes feministe”, do të theksoja edhe një konstatim tjetër.
Në brezin tim kanë qenë disa poetesha që zunë të bëjnë emër për freskinë dhe origjinalitetin e tyre. Ato ngadalë – ngadalë humbën. Para disa vitesh, dy tre poetesha të reja korçare, vërtetë shumë të bukura shpirtërisht, më dhuruan librat e tyre të parë. Askund nuk i lexoj më ato. Kam përshtypjen se poetet e reja bien në masë viktimë e meshkujve poetë, bien viktimë e gjendjes shpirtërore të këtyre poetëve, të cilët, si arrijnë me shumë përpjekje atë majë që kanë mundur, venë e veshin një kostum dopiopet, me kollare e marrin një dosje profesori për t’u dhënë mënd poeteshave të reja (të rinjtë, çunat, mbase janë më moskokëçarës ndaj kësaj ëmbëlsie prej plaku “të tharë” në shpirt, (varg i një përkthimi të bërë nga Kadareja kur qe djalë i ri, i paarritshëm, nga poema e Majakovskit “Obllaka v shtanah” ( Re ndër brekë).
Vijnë kjo kategoria e “profesorëve “ dhe u japin këshilla e vërejtje brezit të ri të poeteve që të bëjnë çmos e, ishalla prej zotit, arrijnë deri diku nivelin e “profesorit”. Mirëpo ky “profesor” aktualisht është i pakarikuar më për poezinë, është më pak i talentuar nga vajza. Tanimë ai i përngjet një burri që nuk i bën më efekt as Viagra. Të lumtura qofshin ato poetesha që nuk bien viktimë e këtyre “profesorëve”, që ecin para pa pyetur askënd. Të çfarëdo moshe qofshin ato.
Në diktatura, duhet thënë një e vërtetë e tillë;Diktatorët, edhe injorantë të kenë qenë, janë përpjekur t’i mbajnë pranë poetët. Në traditën e orientit diktatorial, për shembull, poetit, diktatori i siguronte vilë me bahçe, shatërvan, shërbëtorë, vetëm që të shkruante. Dhe…Përsëri ata nuk mposhteshin që të ktheheshin në “Yesman” -në siç plasin t’i kthejnë poetët diktatorët. Edhe në diktaturat tona në Shqipëri, në atë monarkiste dhe atë komuniste, diktatorët kanë vazhduar traditën e diktatorëve. Mbreti Zog kishte poet oborri Ali Asllanin, Enver Hoxha përpiqej të mbante nën sqetulla Agollin dhe Kadarenë.
Në demokraci… Poetët ndodhen para këtyre alternativave.
Ose të çvirgjërohen, duke iu bashkangjitur politikanëve, ose të vuajnë ekonomikisht deri për të pirë një kafe .
Alternativa e parë ka bukuritë dhe “bukuritë” e saja. Poeti nis e merr emër, bën promovime në vende luksoze, përkthen në gjuhë të huaja veprën e tij dhe as që bëhet fjalë të gjejë para të botojë librat e tij, të cilët tanimë i shkruan jo një njeri sovran, siç ka qenë ai më parë.
Alternativa e dytë është shumë e rëndë. Në kushtet e vendit tonë është katastrofike.
N.q.s. poetët që zgjedhin alternativën e parë humbasin virgjërinë e tyre poetike, të dytët, humbasin si një lumë që humbet në shkretëtirë. Vendi ynë rrezikohet të hyjë në BE pa poetë kompetitivë.
Në këtë kontekst, kanë dalë në plan të parë kategoria e poetëve dhe poeteshave nga diaspora. Ata nuk vuajnë për karrierë. U mungon atdheu dhe kjo ndjenjë i shtyn te pena. Aq të holla sa për të mos i shtrirë dorën dikujt, i kanë, në shkëmbim të jetës së privuar të emigrantit.
Poetët që futen në politikë nganjëherë edhe rebelojnë. I thërret gjaku i të parëve dhe kujtohen se kanë qenë dikur të rinj e të pafrikshëm. Dhe rebelojnë …
Poetët e tjerë…Në vend që të thonë një fjalë të mirë për njëri-tjetrin, ja, lëndojnë shpirtin e njëri-tjetrit me vrerin që kanë në shpirt për shkaqe që tashmë i dimë.
 
Poezia….
 
Qenia më e dashur e më e brishtë e kësaj bote.
Siç është dashuria për të fejuarën
Siç është dashuria për bijën a birin.
Siç është dashuria për nipin a mbesën topolake të një mesogruaje që ka qenë dikur aq e pasionuar me poezinë dhe ndruante t’i thoshte qoftë dhe një njeriu të vetëm.
Dhe që vendos të këndojë edhe ajo këngën e saj para se të vdesë…
 
Raimonda Moisiu
Author/ Freelancer
Jacksonville Florida USA

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s