NË PRITJE / Skicë nga Edmond Llaçi!

 
Skicë nga Edmond Llaçi!
 
 
NË PRITJE
 
E rrotulloi atë kapak të metaltë me një lëvizje të shpejtë dore. Përpara i u shfaq sipërfaqja e atij lëngu në ngjyrë vishnje gati të errët. U përkul mbi të. Në të shuar ndjeu pëshpërima e atyre bulëzave të vogla tek përpiqeshin të dilnin në sipërfaqe. Po i tha vetes. Si vazhdim i asaj shprehje rivendosi kapakun duke e rrotulluar lehtë në grykën e asaj ene metalike. Atë veprim e përsëriti në të tria enët të cilat mbanin në barkun e tyre gjakun e birit të perëndisë, Krishtit. Pasi i hodhi një vështrim të shpejtë asaj hapësire që i shërbente për këto punë, mori për të dalë. Por, pa hedhur këmbë jashtë asaj porte tepër të vjetër u ri kthye. Aroma e atij mushtin dehës prej rrushi shesh i zi e tundoi. Buzëqeshi nga kënaqësia që ndjeu. Rrotulloi kapakun e njërës prej tyre duke nuhatur aromën e tij. Ishte e këndëshme. Nga rafti aty pranë mori një gotë. E zhyti duke e mbushur me atë lëng dehës. Ndjeu se do të kishte një verë të mirë për të cilën pretendonte se do t’i mjaftonte për gjatë gjithë vitit. Me kënaqësi ktheu dy tre gllënka. Pjesën tjetër e konsumoi duke mbledhur manderina dhe portokalle nga pemët që ndodheshin jo shumë larg prej andej. Tek po i sistemonte ato në çantë, i tha vetes edhe për një gotë, vetëm për një. Me gjithë se e dinte se duhej të fillonte ta hidhte atë lëng në shishe qelqi duke i siguruar në atë vendin e përhershëm ku përveç errësirës të plotë, kishte edhe temperaturën e duhur pasi do të duhej kohë për t’u shijuar, tundimi ishte tepër i madh. E ri mbushi rrafsh gotën duke kthyer me shpejtësi gllënkat e para. E vendosi kapakun duke e rrotulluar në atë grykë me spirale. Pas të gjitha atyre veprimeve deri tek mbyllja e të dyja portave nga e shtëpisë dhe e rrethimit, u ndodh jashtë. Mori frymë thellë dhe me një buzëqeshje tepër të brendëshme u nis drejt qendrës të fshatit. Aty do të priste autobuzin e linjës. Pa e kuptuar pëshpëriti përsëri se duhej të priste. Duke hedhur shikimin nga të dyja anët e rrugës e përsëriti edhe dy a tri herë të tjera atë shprehje. Zbërtheu dy komçat e para të këmishës pasi po ndjente vapë. Pa orën, autobuzit do t’i duhej rreth një orë e gjysëm të mbrinte aty. Filloi të shfrynte nga inati pasi ajo shprehja se duhej të priste filloi t’i çukiste mbi tëmtha tepër çuditshëm. E pa edhe një herë orën por asgjë, duhej të priste, të priste. Ktheu shikimin nga dyqani që i ndodhej aty mbrapa shpinës i cili shërbente edhe si kafene. Mori çantën dhe së bashku me to kapërceu tri shallët e pakta të tij. Duke u ulur porositi një gotë me verë. Si në rastet kur do t’i duhej të shihte një fotografi, të cilën e largonte për ta qartësuar në shikimin e tij, largoi edhe gotën. E rrotulloi mbi tavolinë dhe ktheu dy tre gllënka prej saj. Hëm i tha vetes, tani po. Pasi u mbështet mirë mbi shpinoren e karikes për t’u rehatuar hodhi shikimin mbi pamjen që i shfaqej përpara. Në qendër një kryq i hekurt si memorial për kishën e dikurshme por pa shpëtimtarin e njerëzisë, Krishtin. Në të majtë, në thellësi një memorial tjetër, i cili u kushtohej atyre që dhanë jetën gjatë luftës për shporjen e pushtuesit të fundit, këtu e shtatëdhjet e ca vjet përpara. Në pikën më të lartë të atyre kollonave të betonta ende kuqëlonin dobët tre yje. Diku poshtë tyre emrat e atyre që kishin dhënë jetën për ditët e sotme. E rikthehu shikimin prej kryqit. Pamja e trishtë e atij memoriali edhe besimtarin më të devotshëm nuk do ta afronte. Improviztuar me blloqe betoni të lyera me gëlqere dhe e lyer në ngjyrë kafe të kuqëremtë me një çatizë e vogël mbi to. Vuri re se në brendësi të saj një nga tre qirinjtë që ndodhej në këmbë, po digjej duke u ngutur. E hoqi shikimin prej andej sepse nuk i pëlqeu tek i shihte të treteshin pikë më pikë mbi atë sipërfaqe të pistë nga mbetjet e pararendësve. Ngriti kokën dhe vuri re se edhe ndriçuesi që ndodhej pas, ndjehej si vazhdues i tij. Natën duhet të krijohet efekt i bukur i tha vetes. E lëvizi kokën herë majtas e herë djathtas. Buzëqeshi pa e shfaqur në fytyrë. Rastësia e asaj tek e shihte ndriçuesin si vazhdues të atij simboli metalik e bëri të mendohej. Buzëqeshi përsëri duke i u drejtuar vetes: Unë në pritje, kryqi në pritje edhe ato tre kollona me yjet komuniste në krye të tyre në pritje. Unë autobuzin e linjës, kryqi i bërë njësh me ndriçuesin pas tij të ndonjë besimtari dhe ai memoriali i çuditshëm me tre yje, të ndonjë prej atyre që kishin kontribuar në atë luftë me pushtuesit e huaj. Çështë kjo pritje i tha vetes, unë nuk kam punë me ta. Hodhi shikimin mbi masën e verës mbetur në gotë. Pa hezitim e ktheu menjëherë. Tek po fshinte buzët me kurizin e dorës së djathtë, vuri re se dikush brenda një bensi të ndalur aty në çast, po e thërriste. Atë kapardisjen tek u ngrit prej andej e shfaqi edhe kur hapi portën edhe kur u ul. Duke u mbështetur mirë në sedile i dha atë buzëqeshjen e tij të përherëshme kur vinte në qejf.E pa në sy mikun e tij të vjetër duke e urdhëruar të iknin sa më shpejt prej andej.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s