Poezi nga Erina Çoku

 
Poezi nga Erina Çoku
 
 
KËNGË KOCKASH
 
pezull mbi qytet
rri një ishull i blertë
prej kraharorit tim dalë.
 
numrin e brinjëve
shtoma qiell
janë pak, sa pak.
asgjë nuk mbajnë.
 
tejzat e zemrës
zgjaten e zgjaten
pa u ndalë,
do më shpërthejnë
prej trupi
e arratinë do të marrin
gjer te ti.
 
pezull mbi qytet
ujana ndien baticat
e vrullit të platitur.
gjatoji krahët e mi
mbi pemët e tua të gjelbra
matanë brengave ishullore,
 
gjatoji gjer në hënë
të kalamendem
e mendimet
të më bien
të plota mbi dhe
fruta të ngrënshme
për krijesa
të vogla ikanake.
 
pezull mbi qytet
rri unë si një re e vranët
me shiun mbështjellë në gji
gati për vërshim.
 
shtomi kockat qiell
pilë
t’i bëjnë pritë
lumit që mbledh
zaje për brigjet e mia.
 
palca më këndon
brenda eshtrave
me një zë tjetër
mishi i flet lëkurës
e gjaku gulfe-gulfe
mblidhet,
ndijim, ndijuar, ndijë.
 
prej ndijoreve
era fryn
e tingujt m’i mbart
lart, lart
larg, larg.
 
shtomi këngët qiell
asht më asht
të lidhen nyjat
të ruhet dashnia
ninëzave thellë.
 
eja në asht qiell
të lidhen nyjat
nyjat të lidhen
të lidhen, të lidhen
nyjë, nyjë,
nyjat, nyjat
të mbahet krijesa
krijesa e gjitha
në një.
 
 
GRUSHTDHE
 
Atdhé, mëmëdhé, fëmijëdhé,
bukëdhé, ujëdhé, ajërdhé,
mirëdhé, keqdhé,
ridhé, largdhé, afërdhé,
ikjedhé, ardhjedhé, malldhé, asdhé,
thjeshtdhé, mbidhé, nëndhé,
dhé – dheu bré!
I varur, i pavarur, i ndërmjetëm,
i përkohshëm, i jashtëkohshëm, i brendakohshëm,
dhé në dhé,
dhé, çka dheu të dha,
dhé, çka dheut i dhe.
 
 
VENDI I UJIT
 
Qyteti shter në pikë të ditës
me dialektikën e vet të mbledhur shuk
dielli e djeg,
shiu e myk,
era i kalon anash
e fryn gjithmonë në orën e gabuar.
 
Qyteti shter e tërheq zvarrë
në plasat e veta
figura të përçatura njerëzish,
figura ngushtake që nuk nxënë
veçse një gram shpirt
një thërrime, një cifël,
diçka që nuk mbrun asgjë
veçse një hukatje të verdhë.
 
Qyteti shter
ti mos ki frikë,
ti nuk je brenda tij,
je një shpirt me gojën plot ujë
e sy të kapsallitur,
ngjyra e tyre
më kujton aromën e dheut
të ngopur me shi.
 
Mos ki frikë
në shpirtin tënd ka ujë.
 
Qyteti shter
unë nuk kam frikë,
shqisat ndiejnë
si bërtet korja e dheut
dhe plasat zgjerohen,
marrin brenda
figurat e njerëzve,
fjalët, heshtjet, gurët.
 
Shter, shter,
shteret qyteti,
nuk kam frikë
sytë e mi janë plot me ujë.
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s