LE TA DUAM DIMRIN – Cikël poetik nga Erina ÇOKU

 
Cikël poetik nga Erina ÇOKU
 
 
LE TA DUAM DIMRIN
 
 
GJITHSEJ
 
Asgjë e harruar.
Nata shtillet trupit, kotele e bindur,
shpirti ikën lart, gufuar me jetë.
Asgjë e harruar.
Kujtesa është diçka tjetër.
Dashuria gjithashtu.
 
 
NDIJIMI YT
 
Mendo mollëzat e gishtave të tu,
mendo si lidhen ato në një vijë të hollë me qafën,
e qafa vetë me shpatullën si një nyje e pashmangshme,
mandej mendo çfarë ndiejnë mollëzat e gishtave të tjetrit
dhe gjuhën e tyre të magjishme, të patingullt e të thjeshtë.
 
 
LE TA DUAM DIMRIN
 
Stinë e vizatuar si linjë me laps plumbi
pa ndërprerje,
kujtesë e pastër e gruas
frymë e gjatë, ngatërruar me re.
 
Harabelat i shtohen klimës së thatë
dhe pemët rrëzohen
më ngadalë se herët e tjera
historia e tyre e shkurtër e përmend dashurinë
lakuriqe,
jo krejt të përsosur,
por marramendëse.
 
Nuk kam frikë,
le ta qërojmë dimrin
si një portokall të trishtuar me lëng
që orët e veta me diell
i ka mbledhur në cipën e hollë,
të ndjeshme për gojë vetmore.
 
Fryma e mbledhur
gatitet ta shpërthejë zemrën
endje me fije delikate
të pambrojtura.
 
Le të duhemi dhe në dimër
thjesht
meqë u deshëm në stinët e tjera,
thjesht
meqë kështu jemi gatuar.
 
Le të duhemi edhe këtë dimër
që të na gjejë pranvera gjallë
me ekuinoks në hartën e ndijimit
dhe pragun e kullave plot me borë,
borë të bardhë që nuk ka rënë ende,
por edhe sikur të bjerë do të shkrijë,
apo jo?
 
Le ta duam këtë dimër
që hesht e nuk i ndërron gjendjet
që mbase s’na do aspak,
që mbase na do shumë pak,
që mbase na do ndryshe,
që mbase dashurinë nuk e njeh
por shpirtin ndoshta po.
 
Le ta duam dimrin
lule e paçelë,
le ta duam thellë
gjersa të na dhembë ashti,
gjersa të na therin kyçet,
gjersa gjaku të na hollohet
e zemra të na plasë e lumtur,
prej vrullit.
 
Se deshëm,
deshëm si kush nuk deshi.
 
15 dhjetor 2017
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s