Biletë për në qiell”, një copëz Gjirokastre në letërsinë bashkëkohore / Nga: Blerim Kore

 
Biletë për në qiell”, një copëz Gjirokastre në letërsinë bashkëkohore
 
Nga: Blerim Kore
 
Shkrimtari Odise Kote vjen sërish përpara lexuesit, kësaj radhe, me përmbledhjen me tregime “Biletë për në qiell”. Autor i 13 librave, mes të cilëve përmbledhje me poezi, romane, monodramë, etj tashmë ai është konfirmuar si një shkrimtar i mirënjohur i letërsisë bashkëkohore shqiptare, ndërsa diskutimet për librat e tij gjithmonë kanë zgjuar kërshërinë e kritikës letrare, specialistëve dhe studiuesve të letërsisë. Në përmbledhjen me tregime “Biletë për në qiell”, Odise Kote shënon një stad të ri në krijimtarinë letrare jo vetëm përsa i përket nivelit të të shkruarit por edhe motiveve dhe origjinalitetit krijues, mbi të cilat bazohen tregimet e përmbledhura në këtë libër. Në botimin e fundit ai prezantohet më shumë si autor lokal dhe pjesë e qytetit të gurtë krahasuar me librat paraardhës. Pjesa me e madhe e ngjarjeve dhe rrëfimeve artistike zhvillohen në Gjirokastër,në lagjet dhe mëhallat karakteristike të qytetit të gurtë. Në këtë kuadër personazhet e tregimeve janë të lidhur me jetën e vetë qytetit, zakonet dhe traditat madje edhe me zanatet dhe mjeshtritë e tij. Njerëz të të gjitha moshave, këto personazhe, mund të themi se janë banorët tipikë të Gjirokastrës, por kësaj radhe në Gjirokastrën letrare të krijuar nga pena e shkrimtarit dhe që nuk është e shkëputur nga qyteti real, me jetën dhe njerëzit e tij.
 
 
93707371_240353370654700_6428615239431880704_n
Odise Kote
 
Tek tregimet e titulluara “Qilari”, “Pusi” apo “Shirat” autori i merr motivet nga Gjirokastra e vërtetë, madje të përngjason se duke qenë banor i këtij qyteti, ke më shumë mundësi për të shijuar rrëfimin artistik të shkrimtarit. “Të banoje në shtëpinë tonë ishte si të jetojë gjithë kohës hypur në aeroplan. Frikë. Sikur në çast mund të bije. Kur e shihje shtëpinë nga poshtë të merreshin mendtë. Nga sipër duhet të hypje mbi bedena të kalasë që ta sodisje. Ishte si një vetëtimë qielli e ngulur thellë tokës. Sikur nuk ishte dakort me zotin. Sikur e kishte detyruar të vetësakrifikohej. Të mbulonte gjithë hijeshinë”. Është ky përshkrimi i banesës së gurtë gjirokastrite në tregimin “Pusi”, sa i vërtetë aq edhe i letrarizuar. Në tregimin “Shirat” shkrimtari përshkruan me një ndjesi të veçantë artistike por edhe reale shiun e një dite vjeshte. “Ai sa kishte mbëritur në mesditë kur shiu nisi me furi çmendurake. Qemerët dhe rasat e gurit tendosur nga furia zunë të kërcasin dhimbshëm nën ujëra. Hëra-herës qielli lëshonte zigzake vetëtimash. Të madhërishme vizatime zjarri, qiell tokë të frikshme. Një nga këto zigzaket e tmerrit ra mu në Qafën e Pazarit, mu në atë kupën e kthyer nga qielli. Shigjeta e zjarrtë rënë krejt papandehur lëvizi nëpër gurët e kalldrëmit, një shkretëtirë gri dhe ai gati e shkeli me këmbët e qullura”. Kështu përshkuhet një ditë shiu vjeshte në faqet e librit aq e ngjashme me motivet gri të vjeshtës së Gjirokastrës. Por tregime të tilla nuk përjetohen emocionalisht dhe estitekisht vetëm në rrafshin lokal, falë vlerave dhe mjeshtërisë të rrëfimit ato përcjellin mesazhe jetësorë dhe gjithëpërfshirës. Mbi këtë mënyrë artistike të të shkruarit bazohet një pjesë tjetër e tregimeve të kësaj përmbledhje. Tregimet “Hoteli nordik” “Pengu”, “E çmendura e Tiranës”, “Dashuria është diçka e zezë”, “Mery Zingler”, “Akullnaja”, etj rrëfejnë për ngjarje të ndryshme, ndërkohë që gjeografi e tyre është e gjerë. Rrëfimi artistik zhvillohet në Shqipëri, Itali madje edhe në vende të tjera. Megjithatë tregimet nuk e humbasin vërtetësinë. Personazhet e tregimeve janë të natyrave dhe profileve të ndryshme njerëzore dhe letrare, një pjesë të lidhur me zinxhirët e së kaluarës, disa të tjerë me forcë shpirtërore për të përballur sfidat e jetës. “Kapellua blu, me spreth të bardhë i nxjerr në pah atë ngjyrë të përjetshme bronxi që lëkura ia ruan si të ishte pasuria më e shenjtë e jetës. Ajo lëkurë është si papirus deti. Qyshkur e pabesueshme, po ky është një mister që lidhet ndoshta me jetën e tij prej harrakati, gjithnjë ujërave, në kiç të anijes. Po ta gërvishtësh më guaskë, aty lexon aventurat, udhëtimet, trishtimet, fërshëllimat, pendimet, këngët shkruar me dallgë e furtuna që kanë kaluar nga njera plagë në tjetrën”. Kështu e përshkruan pena e shkrimtarit personazhin kryesor të tregimit “Pengu”, një detar i vjetër që megjithë forcën e tij jetësore nuk mund të shkëputet nga kujtimet e së kaluarës. Personazhi kryesor i tregimit “Biletë për në qiell”, prej të cilit ka marrë edhe titullin libri, viziton Shqipërinë dhe vendlindjen në ditët e fundit të jetës. Lena Mihallari, e diagnostikuar me një sëmundje të pashërueshme, së bashku me vajzën dymbëdhjetëvjeçare fluturon drejt Shqipërisë për të kaluar ditë e fundit dhe mbledhur kujtimet dhe dëshmitë e jetës, për t’ia transmetuar vajzës së saj. Ndërsa rrotat e avionit prekin tokën në fluturimin e kthimit nga Shqipëria ajo është e pajetë, por vajza e vogël tashmë mban si relike me dhjetëra dëshmi të mbledhura në vendlindje. Pjesë e botimit “Biletë për në qiell” është edhe një grup tjetër tregimesh mbështetur mbi temat aktuale dhe sociale me të cilat përballet shoqëria shqiptare. Tregime si “ Në Tiranë ka një gjyqtar të mire”, “Shtëpia e dasmës”, “Karriget”, etj në rrafshin letrar mbështeten mbi motivet jetësore dhe problematikat që përjeton shoqëria jonë. Në këto tregime autori është i vërtetë si vëzhgues jetësor ,si krijues dhe shkrimtar. Pra mund të themi se në botimin e tij të fundit shkrimtari Odise Kote shënon një stad të ri dhe cilësor në krijimtarinë e tij letrare.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s