Poezi nga Dhurata Haxhiu Kasa

 
Poezi nga Dhurata Haxhiu Kasa
 
 
Sërish!
 
Mjegull, shi, erë dhe dashuri,
sërish kthime, largime dhe përsëri takime,
monotonia që bën shekullin,
të jetuarit që bëjnë minutin.
 
Shkenca nxiton të ecë para kohës,
dhe në mbrëmje joga ulet këmbëkryq me fatin,
parathotë legjendën e Noes,
guri blatohet me whisky,
të gjithë puthen,
dhe duan të vdesin nën të.
 
Fotografim i vështirë “Puthja” në Vjenë,
një femër që ngre fytyrën si një Kleopatër që epshon gjarprin e pjellë dhe rritur me shumë kujdes,
dhe ai një burrë që lart qëndron si aksiomë mbi prenë e vet.
 
Sërish puthja dyshuese dhe dilematike,
sërish shi, mjegull erë dhe dashuri.
 
Vitrinat dhe manekinët ndryshojnë stil,
sy që vështrojnë ato dhe hapat e vet,
sërish Mikelanxhelo i ulëret Davidit:
-fol, fol të gjitha t’i dhashë, çfarë do më?
Dhe çekiçi godet kohërat,
mbase një puthje për absoluten.
 
Diell, kthjelltësi por ftohtë,
sërish plaset toka në dimër,
nga ngrica kur dielli shkëlqen rrejshën mbi ujët nën akullin tokësor,
shket stilografi mbi pergmenë njerëzorë,
si këmbët e një balerinë mbi akull shpirti,
puthja kuadraton pamjen,
deri sa monotonia pelerinën e vjetër të Helenës së brishtë e gropos si fajin e vetëm,
tashmë shekulli vdiq vetë për një puthje përtej numërimi mekanik të vetes.
 
Nuk ka gjë më të thjeshtë se një puthje e thjeshtë,
aliteracion i shurdhët i shekullit.
 
Njerëzit kanë filluar të numërojnë veç minutat,
ato janë shekuj puthjesh.
 
Sërish ka shi, mjegull dhe dashuri!
 
 
Nën peshën e shikimit.
 
Në prush dimri më hedh si provë,
këmbët nuk më digjen por është prushi që shuan veten nën peshë,
ngjiten flakime shikimesh që valëzojnë mbi qerpikë,
aq lehtë sa hiri shtrin duart drejt ikjes së tyre,
dhe hiri mbet,
në oxhakun e fjalëve ku tingulli i një pianoje trok mbarimin e sonetit.
Aty nën peshën e shikimit,
lëvrijnë kufijtë e gjurmës së verës ngjitur gotës
që tund xhelozitë dhe tundimet,
flakimet u pronësuan në amor’ në këndin e lëkurtë,
unë mbes me hirin ndër gishta,
aty ku fillesa puq fundin,
eklips.
E ndez hirin me frymën që dhurova në vite,
një thëngjill që nuk më tradhëton kurrë feks miliona shkëndja nga guri i fatit,
gjithmonë më ka pëlqyer sfida,
kur gurët e shahut kanë mbetur veç dy,
mbret e mbretëreshë,
të zinj si hiri i qymyrit a të bardhë si fjalët e mesnatës
kur përplasja feks veç ekzistencë.
Një zjarr i vogëlth lëvron në bebëza,
pas shahut mat,
tashmë shputat shkelin mbi të,
lehtë,
me durimin e malit kur shikon rrjedhën e rrëkesë që rreth tij nazohet
përlotet,
dhe pikëzat ndalin prushin të shuhet,
sepse ato bien mbi shikim.
 
 
Për mua ka rëndësi……
 
Për mua nuk kanë më rëndësi shumë gjëra,
vetëm pak,
vetëm ai/ajo që kam përballë,
të ndjehet mirë,
paçka se portreti nuk më gënjen kurrë.
Për mua nuk ka rëndësi nëse një balonë ngrihet lart apo griset pafajësisht prej shikimit vrastar të perëndimit,
më duhet veç rrugica e shkretë,
ku të shkel pse-të.
Për mua nuk ka fare rëndësi nëse bie apo ngjitet dielli në marrëveshje me hënën,
më mjafton toka dhe këmbët e mia të zbathura.
Për mua nuk kanë rëndësi fare,
po fare ama rreziqet e shembjes së dheut sepse unë u ula këmbëkryq në ferr dhe tashmë purgatori dhe parajsa zili më kanë.
Për mua nuk ka rëndësi më një shtëpi e bukur,
dua veç kolltukun tim me lëkurë të grirë që mbajti miliona shkastisje duke vështruar zogj në parvaz,
të vetmit që jetojnë me sy mbi ushqimin e tyre,
dhe fluturojnë,
gjithmonë hedh thërrimet e mia në strehën e ballkonit,
me shpresë të konvertoj fluturimet.
Tashmë për mua ka rëndësi veç shikimi me sytë e zogjve që ikin!
Ama,
çasti i fundit ehhhh sa rëndësi ka,
më duhet veç një moment,
ai i fundit,
t’i lëshoj prej vetes,
Ata!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s