TE DEUM DARDANICUS LAUDAMUS (Lavduar qoftë Zoti i Dardanisë!) / Poezi nga Kadrush Radogoshi

 
Poezi nga Kadrush Radogoshi
 
 
TE DEUM DARDANICUS LAUDAMUS
(Lavduar qoftë Zoti i Dardanisë!)
 
Liria jote, Dardani, paska nevojë të merr frymë pa leje
Paska nevojë ta heq nga goja e hunda
Atë dorë të vrazhdë të instinktit shpellor
Me aq shumë virus lakuriqësh,
Me aq shumë virus hienash!
 
Liria jote, Dardani,
Paska nevojë ta mbush zemrën me oksigjen
Me oksigjen paska nevojë trurin ta mbushë!
 
Lirinë e paskan vjedhur nga koncepti “liri”!
Koncepti paska mbetur shportë e zbrazur, që mund të mbushet
Me dërdëllitma hienash për lirinë e xhunglës e barazinë hienore,
Për të drejtat e padrejta, për gëzimin e vrarë nga hidhërimi,
Për të gjitha fjalët, që ua kanë ngrënë kuptimin,
Ua kanë gëlltitur rrokjet,
Ua kanë vrarë barbarisht zanoret,
Ua kanë shurdhuar shtazërisht bashkëtingëlloret.
 
Poezia qenka bërë himn
Për t’ia kthyer lirinë lirisë,
Për t’ia kthyer dashurinë dashurisë,
Për t’ia kthyer atdheut atdheun,
Për t’ia kthyer kuptimin fjalëve e kumbimin tingujve
Për të jehuar në veshët e atdheut himni shekullor i Niketë Dardanit.
 
Poezia paska zbuluar jehonën e një himni të vjetër dardan
Jehonën e një himni të ri dardan e paska zbuluar poezia
Edhe Niketë Dardani nga përjetësia qenka nisur për rrugë
Për ta kënduar himnin e ri me titull
“TE DEUM DARDANICUS LAUDAMUS”
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s