NË MES DY BOTËRAVE PA EMËR / Tregim nga Sevëme Fetiqi

 
Tregim nga Sevëme Fetiqi
 
 
 
NË MES DY BOTËRAVE PA EMËR
 
Pas disa muajsh pas vdekjes sime, kisha dalë nga varri ashtu si e çmendur me shumë dëshirë t’ i shoh ata për të cilët ndjeja mall, që as ajo botë tjetër nuk ma shuajti e as lagështia e tokës që kishte filluar të me trette. Thojnë se për çdo gjë që dëshiron në botën e rrejshme, vetëm dheu mund të ta ngopte syrin. Nuk qenka ashtu! Kjo dëshirë që unë e mbajta gadi një jetë të tërë nuk u shua e as nuk u tretë as me dheun që më mbuloi. Nuk gjeta qetësi as aty. Dola nga aty, erdha prap në ferrin tim. Bota e rrejshme ishte pêr mua çdo gjë, vetëm parajsë nuk ishte. As edhe një atom i saj nuk e kishte aromën e parajsës. Thonin se në botën e përtejme ekziston ferri dhe parajsa. Tash po qeshi, po zgërdhihem, po ofshaj aq shumë, po çjerrem aq me ironi sa që edhe gjethet e thara nëpër degët e zymta të vjeshtës po këputen, po bien dhe po i dorëzohen tokës si viktima të thara. Po kjo botë a thua nuk paska ferr e parajsë? Si një mumije e mbështjellur në shpirt me fasha të zeza, e shikoj varrin tim dhe nuk shoh asnjë emër. Varri im paska mbetur pa të. Si do të më gjejnë ata engjëjt e mi pêr të më vizituar, apo më kujtojnë ashtu vetëm në kujtimet e tyre si të gjallë, një imazh që nuk ka vdekur. As lule nuk më paska sjellur askush tërë këta muaj që kaluan pas vdekjes sime. Kaçubat e thara me gjemba e paskan rrethuar këtë varr. E unë jam ulur pranë tij me savanën time të bardhë e të leckosur, me buzë të mavijosura dhe sy të vragëlluar. I pres tre engjëjt e mi me trëndafila në dorë ashtu të frikësuar e të vuajtur ngadalë të më vijnê pranë.
Heshtje! As edhe një pipëtimë gjethesh të zeza përveç krrokamës së korbave. E ju do te thuanit se ka parajsë mbi tokë?
Po, pajtohem. Vetëm ata të tre e bënin këtë botë të bukur për mua. Por, djajtë m’ i larguan engjëjt. Më quajtën të çmendur. Më mbyllën në spitalin e çmendurisë ku disa të sëmuar ecnin me katër këmbë, zvarriteshin si zvarranikë nëpër korridore me erë të rëndë nevojtoresh, qeshnin, qanin, prap qeshnin, pastaj hidhëroheshin, çjerreshin pa ndalur duke përsëritur fjali që i mësova përmendësh, i zbritnin hënën dhe yjet në tokë e tokën e bënin qiell të kaltërtë. Brenda secilit pacient rrjedhnin lumenj lotësh e vuajtjesh, por ata qeshnin. Unë heshtja duke i shikuar premierat e tyre të përditshme, përmes shtëllungave të dendura të tymit të cigares që e tymoja pandërprerë dhe i pëshpërisja vetes: ” ti nuk je e çmendur”. Ty vetëm të kanë nda nga engjëjt e tu, të cilëve iu dhe jetë, i ushqeve dhe i rrite me qumshtin e bardhë të gjirit tënd e djajtë të rrëmbyen për krahësh dhe të dëbuan në rrugë. Të ndanë nga parajsa jote dhe të sollën në ferr mbi tokë. Askush nuk më ndihmoi, askush nuk ma dha dorën e shpëtimit nga ky ferr. U mundova të ikë nga aty shkallëve të dashurisë dhe të dalë fitimtare. Më humbi fuqia. Ato rrugë që duhesha t’ i gjeja deri te parajsa kishin adresa, por unë nuk dija t’ i lexoja. Pëllëmbët e duarve i kisha të zbrazta.
Shtatë vjet qava, shtatë vjet sytë mu verbuan nga lotët, sepse nuk i pashë. Shtatë vera trungjet u veshën me gjelbrim e shirat e vjeshtave qanin bashkë me mua, duke pritur në dritare ag e terr, por ata nuk erdhën. Nuk kishin fuqi se ishin të vegjël me u përballë me ferrin e pafund. E kishin humbur rrugën e hirit deri te unë. Si do të vinin në atë vend të të çmendurëve ku as hyrje e as dalje nuk kishte. Jetoja në një labirinth duke u sorollatur pa kokë dhe në fund prap u ktheja e vetmuar në atë dhimbjen time, e cila dita më ditë kishte filluar të ma zvogëlojë trupin, gjymtyrët të m’ i dobësojë, lëkurën të ma rrudhte dhe shpirtin të ma lodhte. Edhe me atë dëshirën për t’ i takuar, për t’ i puthur e ledhatuar, nuk munda ta përballojë këtë kurth të ferrit. Ika në tjetrën botë me mall për t’ i përqafuar. Nuk e pashë sa ishin rritur. Nuk munda t’ ju falë së paku një buzëqeshje.
Dhe, tash ulur në mes therrash, me savanë të bardhë e dalur nga ajo botë, as emrin tim nuk e shoh në muranën mbi kokën time. Më paska humbur varri. Nuk më paskan gjetur as pas vdekjes. As edhe një lule pranvere mbi dhèun tim.
Së paku të janë shëndosh e mirë engjëjt e mi. Unë akoma do të sorollatem e digjem në flakë ferri në mes dy botërave, pa emër.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s