Një mesazh nga Shqipëria, në ditën tënde më të bukur… / Nga: Alma Zenellari

 
Një mesazh nga Shqipëria, në ditën tënde më të bukur…
 
Amela, emocioni i ri poetik, sot më vjen si një trinom që ndërthurret natyrshëm, me poezinë dhe shpresën e bukur.
”DUA”…, kjo është befasia e dytë, sepse e para mbetesh ti. Një befasi e këndshme që më bën të mendoj dhe të të them me zë të plotë ..”SA BUKUR”. Duke parë të realizuar librin, më vjen dhe befasia e tretë, ajo lulesë e bardhë mbi kopertinë, gati puplore dhe farërat e saj që përhapen në mënyrë fluide, në një rënie të lirë mbi tokë duke të dhënë idenë se përmes teje, frymës dhe zërit tënd, do të përhapen farat e një shprese të re, mbi një tokë të ndezur dhe pjellore, që mban emrin KOSOVË.
“DUA” nuk është thjesht një tingull foljor, përkundrazi, është tingulli i brendshëm i identitetit ekzistencial të cilin Amela e nxjerr me guxim, jashtë në eter, për t’i kujtuar botës ekzistencën e saj, jo vetëm mish e gjak, por edhe si një shpirt i pasur që pulson me forcë.
“DUA”, këto tre gërma krijojnë hallkën më të qënësishme për të kërkuar, për të dashur dhe për të ëndërruar, shumëçka. “DUA”, një thirrje e zëshme që mbart një shumësi dëshirash njerëzore, dua të jetoj, dua të jem e lumtur, dua të jem e lirë, si një zog shqiponje, të cilit vetëm atij i lind e drejta për të qenë vazhdimësia krenare e shqipeve krahëlira.
Ndaj unë e përshëndes dëshirën ngazëllyese dhe fluturimin tënd, Amela.
E përshëndes nga i njëjti vend që flet dhe këndon shqip, nga i njëjti vend ku thirrjet e tokës dhe jehona e maleve kanë të njëjtin pushtet, të njëjtin zë dhe tingull, atë tingull që vetëdija jote e ka brendësuar në shpirt, në deje, në gjak.
Ti, Amela, je vazhdimësia e atyre luftëtarëve që brenda gjakut iu përkundën këngët dhe dashuritë më sublime, për lirinë, flamurin, për atin dhe dheun, për Atdheun.
Je vazhdimësia e të gjithë atyre që sot janë frymë e përcjellë në eter, sepse jetën e bën fli për ideale të çmuara, që toka e shenjtë e Kosovës të mbetet përjetësisht oazi i shqiptarëve, që emri Kosovë të jetë shëmbëlltyra e krenarisë dhe qëndresës, shëmbëlltyra e lirisë.
Kam shumë arsye ta përshëndes penën tënde Amela, sepse ti dhe pse e vogël ke kurajën për të na bashkuar paqësisht rreth fjalëve të tua përzgjedhur me kujdes. Me penën tënde, në çdo faqe libri, ti ke lënë gjurmët e shpirtit, shkëlqimin e syve, madhështinë e zemrës tënde.
Trokitjen e asaj zemre kanë fatin ta ndjejnë jo vetëm prindërit e tu, por edhe bashkëmoshatarët dhe të gjithë ata që do ta kenë në dorë librin tënd të parë, Amela.
Kjo është lumturia më e madhe e njeriut, të mbetet në kujtesën njerëzore…
Të falenderoj që më dhe mundësinë të takoj botën tënde shpirtërore, sa të dlirë, të butë, e të ndjeshme, e cila patjetër do të vazhdojë të bëhet më e plotë, më e pasur duke u rritur. Dhe kjo besomë, është një tjetër mrekulli që zoti ta ka rezervuar ty. Më beso kur them është mrekulli, sepse ti Amela, ke fatin të rritesh, ndryshe nga fati i hidhur e mjeran i atyre fëmijëve që duar gjakatare nuk i lejuan të rriteshin, duke ua ndërprerë fluturimin padrejtësisht në mënyrën më mizore.
Ke fatin të rritesh madje bukur sepse ti je fytyra fisnike e Kosovës, e cila duhet të buzëqesh në përjetësi. Në regëtimat e zemrës tënde duhet të mbetet e gjallë legjenda e tërë Kosovës, sepse vetëm kështu ajo fiton pavdekësinë.
Jam me fat që të takova përmes tingullit ritmik të poezisë tënde. Përmes vargut tënd njoha ëndrrat e tua fëminore, dëshirat e tua të cilat do të vazhdojnë të rriten bashkë me rritjen tënde. Ndjeva forcën e zërit tënd, preka guximin tënd të bukur që thotë “DUA”.
Doja ta puth atë dorë të vogël fluturake që ka nisur të vallëzoj mbi letër. Unë të them vazhdo të shkruash, vazhdo të thuash DUA., sepse vetëm në duart e atyre që guxojnë, fati i Atdheut është i sigurt.
Të përshëndes në ditën tënde më të bukur, ty dhe Kosovën.
 
Sinqerisht Alma ZENELLARI, poete nga i njëjti vend ku lindin shqiponjat.
 
 

Nga: Alma Zenellari

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s