”Të çmendesh bukur, kur dhimbja merr zë ” – Libër thesar që dëshmon identitet kombëtar përtej zërit të poetit Sabit Idrizi / Nga: Valentina K. Dafa

 
”Të çmendesh bukur, kur dhimbja merr zë ”
Libër thesar që dëshmon identitet kombëtar përtej zërit të poetit Sabit Idrizi
 
Teksa lexon librin ”Të çmendesh bukur, kur dhimbja merr zë ”, një dhimbje e dinjitetshme të pushton ashtu siç është edhe dhimbja e poetit Sabit Idrizi, përcjellë po me të njëjtën ndjesi retorike nga autori Miftar Kurti. Gjithçka është e mbërthyer nga krenaria, nga fisnikëria e njeriut që me urtësinë serioze vuan po nuk jepet. E si mund të jepet një shpirt i tillë, kur vuajtjet e sakrificat i ka sfiduar përmes zërit të tij të pabujë, përmes fjalës së mençur?
 
Është një vepër me konstruksion monografik krejt ndryshe, e veçantë në llojin e vet, meritë e autorit novator i cili ka projektuar e ngritur kolonat vertebrale, ku derdhet mençurisht mendimi i poetit S. Idrizi, që shquhet për dimensionin e pasur informativ dhe emocional. ”Të çmendesh bukur, kur dhimbja merr zë ” është një vepër, ku është shpërfillur harresa institucionale ndaj poetit për të lartësuar në vetëdijen qytetare e kombëtare identitetin e tij.
….sa fillova të lexoj librin ”Të çmendesh bukur, kur dhimbja merr zë ”, entuziazmuar prej stilit të tij të veçantë dhe pasurisë leksikore, shpreh se është më tepër sesa një libër monografik, më vinte t`i përpija gjithë faqet njëherësh, por jo, nuk do të kishte kuptim, ndaj brenda një nate udhëtova për më tepër se gjysmë shekulli në këtë libërjete me timbrin e zerit të butë e të shtruar të poetit Sabit Idrizi, atë zë që e kisha fragmentizuar diku në vitet 2005-2006 në manifestimet e ndërsjella kulturore të dy qyteteve nga vinim….imazhi dhe zeri i tij më vjen prej viteve të njohjes 2005 në Manifestimin letrar “Kepi i shpresës së mirë- Fahredin Gunga” në Mitrovicë dhe “ Fjala poetike” 2006 në Fier.
Njeri i heshtur, i pa bujë, tepër modest që i ka peshë fjala. Përmes një narracioni, të admiruar nga lexuesi (unë), rrjedh jeta plot brenga dhe mall e poetit mbërthyer nga një realizëm i hollë psikologjik përgjatë ecjes së tij në kohë dhe hapësirë. Një intinerar i ethshëm drithërues për t`u kapur fort pas jetës, për t`u shtrydhur urisë e skamjes, për t`i shpëtuar luftës dhe për t`u arratisur fluturimit drejt tingujve të shqipes, të dijes për të formuar njeriun që sot mençurisht na tregon.
“Individi është institucioni që ndërton vetveten…”- shprehet Prof. P. Kabo ( Psikologji nr.79)
Dhe si i tillë vjen ai, Sabiti me historinë e jetës së tij, me historinë e gjaktë të kombit, me traditën e djepit e të këngës, përmes episodesh shpirtërore, ku ai shpërfaq një zë që të mahnit si nga dimensionet dhe forca e madhe e mendimit, ashtu edhe nga thellësia e rezonancave të shqipes narrative që prek fisnikërisht pejzat atdhetare, të gjenezës së tij farefisnore si dëshmi autoktone e trojeve.
Qysh në fillim ai dëshmon mbi karakteristikat gjurmëlënëse të onomastikës – mbi emrat e përveçëm të cilat i trajton edhe në optikën patronimformuese (mbiemrat) në rrjedhën farefisnore, kur cilëson se: ” …të gjithë banorët e fshatit Cerajë i mbajnë si mbiemra emrat e gjyshërve… si Jakupi, për shembull, i cili e ka ndryshuar mbiemrin në moshë madhore dhe e ka bërë Ceraja. Pra, brezi im, jemi të dytë kushërinj me ata që mbajnë mbiemrin Sejdiu, Halili, Ferizi, Hajra… dhe të tretë e të katërt kushërinj pothuajse me të gjithë të tjerët që mbajnë mbiemra të tjerë. Pra, jemi shumë të afërm që të gjithë, të një zjarri, siç thuhet në popull.”
Këtë traditë e kam ndeshur edhe në rrëfimet e prindërve të mi, për gjyshërit e mi në Myzeqe – Fier, ç`ka dëshmon se përpos ndarjes krahinore, gjithçka mblidhet rreth një boshti unikal tradite dhe kulture shqiptare.
Ai dëshmon imtësisht historiografinë e trojeve ku ka jetuar, lëvizjen demografike të popullsisë dhe e një shoqërie në tranzicion prej pasigurisë jetësore, varfërisë, por me një kujtesë emocionale që prevalon në çdo fjalë të Sabitit, sepse ato nuk janë thjesht gjymtyrë fjalie, por secila fjalë ka peshë specifike antropologjike, antropologji që shtrihet sa gjatë e gjerë linjave e nuancave të veta me përcjelljen e qartë e të pasur sociolinguistike.
Dhimbja e poetit, nga e cila ai nuk mund të çlirohet është substanciale…”. Vendlindja është epiqendra e botës, epiqendra e galaktikës, epiqendra e universit… Është, para së gjithash, djepi dhe arkivi i kujtimeve dhe i ëndrrave të fëmijërisë. Është i vetmi vend në botë ku ndjehesh krejtësisht i vetvetes. I vetmi vend në botë, ku ke peshë dhe ku të zë këmba dhé, ku të pushon trupi dhe shpirti.”
Ndaj, shqetësimin, rebelizmin dhe kurajon e tij të gjithëhershme për lirinë e mohuar, dinjitetin e individit, identitetin e të cilit ia dha e ia jep ky dhe, e ndjejmë në vibrimin e botës së brendshme të poetit gërshetuar ndjenjës dhe mendimit të ligjëruar me një lirizëm të hollë, plot finesë, me një pasuri leksikore vjelë dimensioneve të zgjeruara kohore nëpër të cilat ka hedhur hapin poeti dhe që na tregon qartë kulturën dhe maturinë e tij në përcjelljen artistikisht të informacionit si kurrë ndonjëherë.
Drithërues paralelizmi dialogues i pazëshëm i ëndrrës dhe i pamundësisë në poezinë në kryetekst, ku këndohet një ecje drejt fatalitetit të së shoqes dhe e jetës që s`mund të kapërdihet lehtë nga poeti …
Nuk ka frazë të mos ndihet zeri i poetit, i njeriut në fokus që përshtat melodinë e fjalës për ne, me një vërtetësi të shprehur fund e krye me forcën e kurajos elitare (në një kohë që zëri i mungon).
Nuk ka frazë apo episod në libër që të mos gjesh mendimin estetik për elemente të hollësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare si argument vlerash dëshmuese etnie në udhëvazhdimin integrues mbi raportet krahinore, pavarësisht gradacionit të shprehur ato janë vlera kombëtare .
“Të çmendesh bukur kur dhimbja merr zë”; libër në përbrendësinë e të cilit ka poezi e prozë, eseistikë e publicistikë; rrëfime lirike dhe dramatike; opinione për historinë, politikën, kulturën, letërsinë, etnografinë dhe etnologjinë; …” shkruan autori.
Ndërtesat, aredimi, mënyra e jetesës, janë tabllo të gjalla trashëgimie në libër që lëvizin në kujtesën e lexuesit, timen, sepse unë i kam njohur e jetuar ato në vendlindjen time, pavarësisht se kam jetuar dekada e shume kilometra larg poetit Psh:
“ Mund ta merrni me mend, po ky fëmijë i veshur, i mbathur e i qethur keq, duke luajtur me vëllezër e me motra në një oborr të madh të rrethuar me lisa të gjatë shekullorë.”
” Më kujtohet, bukur shpesh, edhe përparësja e nënës (i thurnin në vek nga leshi i deleve) me plot pemë dhe perime, që na i sillte, kur shkonte për ta ujitur kopshtin”
“Jetën në fshat e kemi pasur shumë të vështirë…Verës kishim bulmet me bollëk, kurse dimrit mish e turshi të shijshme. Nga çdo lloj peme a fryti që hahej, nëna na bënte reçel, me të cilin e lyenim bukën. Por, sa i përket bukës, shumë shpesh kemi ngrënë, me muaj të tërë madje, vetëm bukë misri. Kur kishim bukë gruri (bukë të grytë i thoshim) ishte festë për ne.”
 
Sabit Idrizi
 
Ceremonialet e dasmës dhe vdekjeve, ritualet fetare sipas burimeve gojore, formave dhe lidhjeve rituale janë po ato që kemi njohur e njohim në traditën shqiptare …
“Vajzën që shkonte nuse e hipte në kal apo në qerre tërheqëse me qe apo kuaj ndonjë nga vëllezërit e saj, apo ndonjë i afërm tjetër…. . Qerrja e nuses mbulohej e stolisej për mrekulli…. Kur bëhej nusja “përhajr” dhe niseshin krushqit, të parët shtinin me armë këta të familjes së nuses, pastaj ata të familjes së dhëndrit… Dasmat asokohe organizoheshin të ndara: burrat veç, gratë veç. ”
“Varrimet bëheshin, si gjithherë, me ceremoni fetare….”
“Nga festat pagane e kemi festuar kryesisht Shëngjergjin, por edhe Shënmitrin (Shmitrin). Natën e Shëngjergjit varnim kudo nëpër shtëpi degë të sapogjethuara të pemëve, sidomos të shelgut, mbase për shkak se gjethonte i pari, kurse ditën e Shëngjergjit zgjoheshim herët, pa zbardhur mirë dita, apo më mirë me thënë na zgjonte nëna, duke na spërkatur me hidhra që i fuste në një enë me ujë të freskët të kroit a bunarit.”
Shqetësimi i poetit S.Idrizi vjen natyrshëm, kur gjithçka në të përditshmen tonë ka ndryshuar forcë e zakon,ku individi përcjellës dhe tradicionalja janë lënë në harresë nga shumë faktorë objektiv dhe subjektiv.
Ai shprehet: “si i ri që isha, mendoja se me shkrimet e mia do ta ndryshoja botën, do t’i luftoja fuqishëm padrejtësitë, sidomos ato ndaj popullit tim”
”Humbëm shumë pasuri shpirtërore e pjesë të traditave tona që nga ajo kohë, që nuk është edhe aq e largët.”
“Kam mësuar dhe mësoj vazhdimisht. Kurrë nuk është mjaft”
Sabit Idrizi trajton artin sublim, poezinë me një zë krejt original.
Një libër – thesar që sjellë antropologjinë shqiptare në të gjitha këndvështrimet e linjat e saj përmes zerit e jetës së poetit Sabit Idrizi që dëshmon përtej të qenit thjesht individ frymor.
Një libër i vlertë që tashmë është një burim i kthjellët studimor i etnotrashëgimisë socialkulturore, historike e politike, leksikore, në gjithçka ai dëshmon me fakte përgjatë sfidave të përthyerjes së profilit të tij, por jo të identitetit të tij, si përfaqësues i identitetit kombëtar.
 
Ashtu siç e lexova me një frymë , ashtu munda të hedh opinionin tim për këtë libër që më la mbresa të thella. Ndoshta në një moment tjetër do të qëndroj më gjatë duke specifikuar optikën time mbi antropologjinë e artit të përfshirë në këtë monografi të veçantë e të zëshme të poetit. S.Idrizi, ndërkohë edhe për punën dinjitoze të autorit M.Kurti.
 
 

Dhjetor 2021© Valentina Dafa, Fier

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s