Poezi nga Agron Shele

 
Poezi nga Agron Shele
 
 
Uji i Zi
Klisania (Këlcyra)
 
E di që e humbe betejën mbretëreshë
se dallgët u kthyen kundër teje
dhe liqeni s’ka më paqe
aty trazohen fatet
vorbullës në stenat *Aos*,
por askush nuk e di legjendën
e murosjes brenda një mali
teksa djemtë vdesin tehut të shpatës,
ardhur nga rrugë të frikshme
honesh të egër
për të njollosur gjakun e shprishtë.
 
Premti hoqi kurorën
dhe i dha lavdi dhimbjes tënde
në të vetmin gur që sundonte,
u hodh valëve dhe u përpi
se e dinte që ai ujë
dhe pse i Zi*
nuk do turbullohej kurrë para lotëve trishtim.
 
Sot vazhdon oshtima
e trazimeve dhe dhimbjeve në gji,
turbullimeve ku vdesin gjenezat
dhe sërish rrjedh prapë gurgullimë,
pse kurorat përhumbën malit
e u fshehën ujrave pa jetë
kurorës së thyer në dhimbje e dert.
 
Aos,
ti s’ je thjesht një rrjedhje e Olimpit
por burim që buzët i lag udhëtarit
e teksa shkon përmbys malit të thatë
flakërimë e bën dhe vetë Zeusi*,
ndërsa ai me skeptrin në dorë
ndez qiell e tokë në rrufe
për të vetmen shtëngatë në botë,
që ajo ujdhesë të mos vdesë mbi dhe.
 
Shkuan paraardhësit
u tretën në re,
kryqëzuar për mijëra e mijëra vjet,
pa zambakë e as orkide në prehje
trup e shtatore dergjur paskohës
prore e mbetur kështjellës së fundit
me bijtë e humbur lotit të *Zi
nimfa e fundit e gjakut tim – *Klisani!
 
1 – Uji i Zi – uji që nuk turbullohet kurrë në Lumin Vjosë
2- Klisania (Clisania) – Këlcyrë
3- Aos- Lumi Vjosa
4- Premti – Princi i Përmetit, nga ku më pas mori emrin qyteti Përmet, i cili nuk u dorëzua por u hodh nga Guri i qytetit, kur u pushtua nga romakët.
5 – Nimfa e liqenit Klisura – nimfa që humbi betejën, princeshë e rrëzuar nga froni dhe me djem të vrarë, vajtoi me lot të zinj, brenda zemës së Malit Dhëmbel, lotë që se trumbullojnë kurrë burimin e saj.
 
 
Kangjele
 
Beftas mendja më shkon në Kangjele
tek kangjelat e Deradës
këngë që u kënduan nën një lis
hijes së moçme
përvajtim i asaj që shkonte
e fshehur dhimbjes së shekujve
në ninulla të harruara,
por rikthyer
si kambanë e atij tingulli që jehon përjetë
në një iso që mbledh burrat me fustanellë
dhe këndojnë e vallëzojnë në këtë breg.
 
Kangjele
po më rikthen prapë në atë baladë
që dua ta dëgjoj sërish
dhe fustanellës së hedhur në erë,
si lot i një vajtimi që lind
mes burrave që jehojnë në shenjtërim
dhe këngës së derdhur në dert,
tek një dhimbje, që prehet bregut tënd të heshtur
dhe mërmërimës së një shpirti dergjur nojmave pa fund.
 
Kangjele,
kur të shikoj mes atij bregu
shushurimës së një lumi që buron në fund të një fushe
duke e lënë djerrë
dhe vërshuar shkrepave,
si një ujë që nuk do i lagi kurrë buzët e nemitura
por do e ktheje atë
në etjen e një pirgu, që sot ka ripëtërirë një flladimë
të një jehone,
që ka rikthyer bëmat e etëve tanë
në shtrojë të drithërimës sakrificë
palë e një vërtitje, përzhitur nën të njëjtin lis!
 
*Kangjele- Kangjell -Këngë
 
 
E verdhë
 
E verdhë është ngjyra e një libri, që qëndron bibliotekës
dhe sa herë nevojitet – shfletohet pluhurit të tij,
E verdhë është edhe ngjyra e vjeshtës
mallëngjim i prekur kontureve të stinës,
E verdhë është dhe piktura e Van Gogh
lidhur duajve të së nesërmes; kallëza -ushqim
E verdhë është dhe ngjyra e flokartës
që përvesh llërët në arin e *Salambos flori!
 
E verdhë është dhe zbehtësia e një fytyre
që sytë e gjelbër hedh në telajo
e ngelet përjetë peng i një dhimbjeje
në memorie të humbur pas vegimeve të shfaqura,
që s’ janë asgjë më shumë se një udhëtim i çastit.
 
E verdha ngatërrohet shpesh me të kuqen
se zjarri i shpirtit kthehet flakadan
në të vetmen kupë ku përndrit Hëna
kredhur mbi trupin e së bukurës Ofeli!
 
E verdhë është stina e avitur kaq beftas
pasyrë e thyer ndër sy
dhe nga gjithë shëmbëlltyrat e kësaj bote
sërish ndizen shandanët shkëlqim
Përndritje qirinjsh
zbehtësisë Magdalenë,
velit të larë yjeve në zgjim,
lutjes së vetme për një rrëzëllim të ri…!
 
*Salambo – princeshë e Kartagjenës
*Ofeli – Legjenda e prehjes mbi Zambake të bardhë
 
 
Pas diegies së Trojës
 
Pas diegies së Trojës
fatit të mërgimit nuk mund ti shpëtosh
as endjes përmes detrave të Circes,
që fanepsin gjalljen në dhimbje e lot,
për ata që largohen me flokë të përzhitur flakëve
pëvuajtjes së shkruar
të një orakulli që besë nuk i zunë
dhe një bukurie që përmes syve e shkatërroi .
 
Tashmë brigjet ndërruan stinë
ujrat shtyjnë dhe më larg
harresës nën myshqe gurësh
dhe të pathëna që vdiqën para syve
barkut të një kali
mureve lavdi
për të vdekur shtizës së vetme
në thembrën e më të madhit Akil.
 
Por ja shpata dhe mburoja e tij ngeli,
në një varr që kurrë nuk kishte çmim
vrapit për ta rrëmbyer një Aleksandër
e një Çezar ta kishte për triumf,
ndërsa brigjet ndërruan dyndje
dhe kurrë nuk reshtën së klithuri,
kryqëzata që nuk njohin fund,
për ata që humbën një atdhe
dhe fituan më të madhen perandori!
 
Pas flakës së përbindshme
*Apolloni do të thotë shkova në një orgji
me flotat tona në një det plot stuhi
ku udhekryqet e jetës
Dardanët dhe Jasët
rilindëm orgjinën
e atyre që erdhën pas
dhe me gërmat e shkruajtura e fshirë në ernajë eshtrash të hirësuara
çelëm një dritë,
një shkëndijë që shënon fillin e brigjeve dhe ngushticave
zanafillës
pët të shtrirë krahët në qiell.
 
Shënim:
Dardanë ( Dardania- Albanian people) and Jasë- Virgjili
Circe- nimfa që me hiret e tyre futën Odiseun në kurth.
Akili- heroi më i madh i luftës së Trojës
Aleksandër- mbreti i Maqedonisë
Çezar – pasuesit e Julio Çezar, (Julio – biri i Eneas)
Dardania – mbështetësit kryesorë të Trojanëve (sot ngushtica e atyre që e kapërcenin – ngushtica e Dardaneleve)
Apolloni- Përëndia mbrojtëse e Trojanëve
 
 
Hestia..!
 
Udhëtoj me kohën dhe paskohën
greminave të terrta ku hapësira mes tyre quhet jetë
aty ku shtegu të çon tjetërkund,
por dhe format e perëndive që e mbrojnë
si një shenjë që zbardh kurorën e Olimpit
e derdhet përfund trazimit të një lumi.
 
Ky lumë lag gurin e një qyteti
ndoshta shëtit dhe portave të harruara
që çelin besimin e një gjeneze
tek vdes e ringrihet prapë gurëve,
por prapë vajton rrjedhën
e një uji që kurrë nuk turbullohet
e ngelet përherë kristal
dhe sy i një nimfe ndër kroje.
 
Dallgë dhe flokë të harlisur
mbi të vetmin rrëmbim pa fund
flokëve të harruar faqe Hënës
dhe shelgut përkulur drithërimë,
aq sa syri i vetëm
pikërim i atij vështrimi
kujton angshtimin e botës
dhe magjinë e kurmit ndër zambakë të heshur.
 
Ajo ëmbëlsi është shenja e vetme
e lumit të bardhë, ku terri fik yjet
por dhe lumit të zi
kur vjen legjendash, për të deshifruar fragmerntet e vrullit oshëtimë
jehonave që kumbojnë thirrmën e kambanores
udhës, se dikur kanë kalëruar engjëjt e bardhë
aq ,
sa një çast i mbramë vdes kostelacioneve të qiellit
dhe galaktikat shëmbëllen me zjarrin e vetëm të një qielli.
 
Ku hapësira mes tyre quhet jetë – *Kanzanzaqis
 
 
Shëmbëlltyrës që e ngre
 
Koha ecën përpara
s’di të ndalojë akrepa,
as të ndryshoje fatin e rrugës që zgjedh.
E gjatë kjo rrahje, si kambanë e katedrales ku shkoj
apo thjesht një fragment i asaj që fluturon
Prapë e njëjta pasqyrë shfaqet;
një përkulje,
një dorë në emër të atit, birit dhe shpirtit të shenjtë
kryqtarëve që çdo gur e ngritën me gjak
dhe një kupolë me shenjtoren që përzë djajtë.
 
Ata sot janë mbi tokë
i shikoj festës së tyre
dhe përmbytjes në apokalips,
ku një det ngrihet përfund
e një Noe shtyn arkën e vet
të sosë
shpresën e endur mbi dhe
me lakmitarë të rinj që do ndërtojnë jetën mbi dhimbje
e shemben prapë Hadit që i pret.
 
Koha ecën përpara
me kokën e kthyer pas
te një falje që shpirtin e shpëton
nga mishi që përherë tundon,
jashtë lëkurës
tatuazheve me fytyra morformash
idhujsh dhe djegies së tyre
spiranca anijesh në kryqëzata piratësh
me veladonë ngritur përmbi erë
lutjes së sëmundjes:
pse asgjë s’mund të jetë më shumë se një njeri
përveç shëmbëlltyrës së baltës ngritur me aq mund.
 
 
Gruaja e borës
 
U ndala vetëm një moment të shikoj përtej atyre syve,
atij vështrimi që rrëzoi gjethet
borës së drerëve në mijëra fjolla fluturuar
dhe një hapi të vetëm,
takës së mbetur në memorie
shenjë e një jete të trazuar.
 
U ndala vetëm një moment
të shikoja bukurinë e harruar në këtë udhëkryq,
veç një imazh i zbritur nga shtatë qiej
dhe një botë që avullonte frymës së dlirë .
 
Shtrëngonte shallin rreth qafës
dhe ecte ; kush e di se ku,
por dija se hapat do ndalnin,
fishkëllimës së fortë, përbrenda nëndhesës së metrove
shkallëve të pandalshme
me të njëjtin vështrim, nën qerpik.
 
Dhe kështu gruaja e borës
tek nxitonte rrugës pa kthim
preku bardhësinë e një dimri
në deje dhe shpirtin pa kufi!
 
 
E njëjta ditë…!
 
E njëjta ditë lind ndryshe
këtu me erës dhe gjetheve të tetorit që rrëzohen
atje ende ngrohtë se hemisferat ndajnë
dy botë, por në të njëjtin çast,
që unë të kthej vështrimin nga ty
e të them;
bëra për ty kaq pak.
 
Ti je larg
por je dhe më afër,
se përmes kësaj dite, një makinë përshkon një autostradë
s’ ka kufij
por bashkon e njëjta muzikë
i njëjti shpirt binjak
e shpesh me humor të them më vodhe kalendarin ditë.
 
Ti je atje, por je dhe këtu
sepse unë për ty ndihem *doll
dhe pse harrakatjes time i shtova një numër që të dy na bashkon.
 
Dhe sot,
ti qesh, kur lexon këtë requem….
ndësa udhëtimit tënd i shtohet më shumë se një brengë.
 
 
Nuk mjafton…!
 
Këtu bie shi,
qielli është i bronxtë përherë dhe hapat trokasin rrugës së boshatisur
në mijëra këmbë,
pa melodinë e takave të tua,
atij timbri që e dëgjoja si muzikë
dhe pamjes që udhëtimit tonë i jepje largësi,
jo nga ato 100- vite vetmi të Garsias
por as dashuri në kohë të kolerës (covid)
thjesht një sharm i harruar nëpër erë
dhe një udhëtim që nisi pa lamtumirë!
 
Jam mësuar tashmë me humbjet e befta
të stinës që nxitojnë të zhveshë memorien
fillimisht nga gjethet e tjetësuara të së gjelbrës
pastaj në të verdhën, vjollcë dhe të kuqërremtë të Vjeshtës,
por pa sytë e tu
që shndrinin mijëra diej
e çelnin një flakëz jete
dhe kurrë nuk e mësova;
se e nesërmja do zgjohej pragut të një bote
farfurimë dhe fëshfërimë e një pylli të heshur.
 
Nuk mjafton kopshti i qershive
as hijëzimi i Hënën në pasqyrën e trungjeve të kopshtit të Nerudës,
as pështjellimet,
as Edeni që ndryshoi rrjedhën e shëmbëlltyrës,
por thjesht një avitje
një kërcim në botën e çmendur,
ku pamja e dëshpëruar e një gruaje
u kthye në lotin e dhimbjeve të mia.
 
 
Unaza e humbur
(motov persian)
 
Ç’ të shkruaj më shume mikja ime
kur damarët janë bërë stinë
e gishtat e zhveshur
i ngjyen vjeshtës pa kthim.
 
Ndoshta ke humbur një unazë
një rreth që shpirtin robëron,
por shiko më shumë përtej vetes
ndoshta tjetër diell ndiçon.
 
S’ është kurorë e harlisur
as mështenkë që degët përkund
vijëzim i një udhëkryqi tërthor
ku jetët pëherë ndryshojnë.
 
Çtë them më shumë mikja ime
kur dhimbja shkon në re
e zbret avionët e fundit
me udhëtarët që nxitojë pa fre.
 
Shikoj damarët e enjtur
gjak i shprishur në vena
zemër e harruar eremisë
dhe një unazë e humbur nëpër erë.
 
Çtë them më shumë mikja ime
kur hëna shkëlqen përmbi re
dhe ti suvenir i kohës
përjetë mbetesh atje.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s