DJALOSHI I GRACKAVE / Skicë nga Edmond Llaçi

 
Skicë nga Edmond Llaçi
 
 
DJALOSHI I GRACKAVE
 
TË mëllënjave. dikur në adoleshencë pranë kroit të fshatit.
Megjithëse shiu kishte pushuar, nga gjethet e ullishtave, shkurreve dhe ferrave përreth ende pikonin bulëza uji të shndritshme. Era kishte rënë. Ngritësi i grackave duhej të shfrytëzonte momentin pa zbritur ende në tokë mëllenjat. Ishte ngritur herët dhe prej grackave të para kishte kapur tre prej atyre zogjve pendëzinj. Mendoi se në thellësi të atyre ferrave që ndodheshin në anë të rrugës, nga ana e poshtme e saj, do të qe më i sigurt gjahu. Duke kaluar me kujdes në brendësi të atyre degëve gjemb shpuese u përpoq të mos dëmtonte asnjë prej tyre. Mendoi se dy tre copë do të mjaftonin. Me instiktin e tij prej gjahtari, shpesh mendonte se ata fluturakë mund të kishin filluar ta ndjenin mungesën, zhdukjen e ndonjë prej tyre poshtë atyre pllakave. Dhe për këtë arsye kishte raste të kthehej me duar bosh në shtëpi.
Teknikën e ngritjes së tyre e kishte mësuar nga më të rriturit. Ajo trashëgimi e cila nuk dihej se kur qe krijuar nuk ishte vetëm një zbavitje por edhe një mënyrë për të siguruar një ushqim të këndshëm. Mjetet për të ngritur ato gracka të thjeshta ishin më rrethanoret që siguroheshin po aty. Një pllakë guri e hollë jo shumë e madhe në raport me trupin e mëllenjës dhe disa thupra nga degët e ullinjve. Të prera në një gjatësi të barabartë, do të mbështeteshin në skajet e njëra tjetrës dhe do të mbanin gati pothuajse në këmbë pllakën. Diku, aty në qendër të atij trekëndëshi në gropën e hapur do të vendoseshin dy-tre kokra ullinj. Ishte një kalkulim tepër i thjeshtë ku vetëm me një prishje ekuilibri të atyre degëve nga këmbët e kujtdo fluturaku, pllaka do ta zinte rob atë. Pasi u bind se çdo gjë ishte në rregull mori prej degës aty pranë gjahun e mëparshëm dhe u drejtua nga monopati që kalonte nga kroi i fshatit i cili ndodhej diku aty pranë.
Si gjithmonë do të qe tepër i kujdesshëm në hedhjen e hapave. Me instiktin e gjahtarit, tek shkelte nuk do të dëgjohej as kërcitja më e vogël e gjithçkaje ku ai do të vendoste këmbën. Duke ndjekur vijën e monopatit që shkelej vazhdimisht nga fshatarët me bagëti, mushka e kuaj, vuri re se diku pranë kroit ishte ngulur një familje rome. Një nënë e re mbi zjarrin e ndezur mes trekëndëshit të ngritur kishte vendosur një kusi. Aty pranë, duke ndjekur gati çdo lëvizje të saj, dy fëmijë të mitur me duar të mbërthyera gati në grusht të shtrira përgjatë trupit, qëndronin në këmbë. Nga zjarri i fortë midis ujit tek lëvonte, kokra të pakta orizi tentonin të dilnin mbi sipërfaqe. Më pas, dy domate gati të pa pastruara duke i copëtuar me duart e saj të ashpra ajo i hodhi në brendësi të kusisë. Gjithashtu, me dorën e zhytur në fundin e një traste rrobe tepër të vjetruar nxori një kokër qepë. Pasi e shqeu edhe atë si domatet e hodhi në ujin e valuar. Dhe me një lugë druri të vjetër, orizin së bashku me perimet e sapo hedhura i trazoi fort. Kripën e mbledhur brenda pëllëmbës të dorës tjetër të cilën gjatë gjithë kohës tek kryente ato veprime e shtrëngonte fort, e hodhi si me inat brenda saj. E gjithë ajo skenë, kusia e varur mbi zjarr tek lëpihej nga poshtë saj nga gjuhë të kuqëremta të shoqëruara edhe me tym, të dy vocërakët dhe çadra më tej e mbuluar me pjesë mushamaje jo vetëm e habiti por nuk mund ta kuptonte se jetohej edhe kështu. Mes asaj që po përjetonte ndjeu lëvizjet dhe shikimin e saj të rënë mbi të i cili rrëshqiti deri tek gjahu që mbante në duar. Si për t’u larguar atij përballimi e drejtoi shikimin nga të dy fëmijët e saj. Edhe ata të dy si pjesë e asaj skene por me një qëllim tjetër, po prisnin të bëhej gati ajo drekë e vonuar. Shikimi i tyre fëmijnor shfaqte një padurim të theksuar, atë të uriturit. Gati sikur numëronin minutat dhe flluckat e shumta të vlimit që tentonin të dilnin mbi sipërfaqe. Padurimi i madh i shfaqur në kokërdhokët e zinj të syve të tyre atë e tmerruan. I tronditur, djaloshi i grackave të mëllenjave u ndje shumë keq. Ishin tepër të mitur që të dy. Të dobët dhe të paveshur mirë. Të zbuluara nga gjuri e poshtë, kërcinjtë e tyre ishin vazhdimisht të lagur. Ajo lagështi e thithur prej shputave të këmbëve tek binin në kontakt me baltën e kthyer në llucë, transmetohej me dridhje të lehta në trupat e tyre. Të përqendruar mbi flakët tek pushtonin pjesën e poshtme të kusisë, ku në të njëjtin çast në mënyrë instiktive, me kurizin e dorës fshinin ujrat që u pikonin nga hundët, kthyen shikimin prej tij si për ti kërkuan ndihmë.
Shpirti i tij i pa njohur me një realitet të tillë ishte gati t’i shpërthente. Zemra po i rrihte me furi. Ndjeu t’i shpërfytyrohej fytyra dhe pika loti ishin gati t’i kërcenin mbi fytyrë. Pa u menduar u drejtua prej saj duke i lënë diku aty pranë gjahun. Të dy fëmijëve u shpjegoi se disa metra më tutje, në brendësi të atyre ferrave, poshtë grackave do të gjenin mëllenja të tjera. Ishte i sigurt në atë që thoshte.
Nuk shkoi për nga kroi por mori pak më të majtë. Tek po ecte mbi rrugën automobilistike mori për nga fshati e drejt për në shtëpi duke mërmëritur gjëra gati të pakuptimta.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s