Fabula nga Iliaz Bobaj

 
Fabula nga Iliaz Bobaj
 
 
PËRZGJEDHJA
 
I thanë zogut fluturak:
-Do të zgjedhim në Kuvend.
-Kjo gjë, zotërinj partiakë,
nuk më duket punë me mend.
S’e lë dot gjithë hapësirën,
ku e kam lirinë, liri,
për t’u bërë robi juaj,
të rroj me hipokrizi.
Dhe u ngrit në qiell sipër:
-Kush do liri, s’vë kapistër.
 
 
LUANI SHKARKON MINISTËR MAJMUNIN
 
Si e shkarkoi nga ministër,
majmuni nis nga të sharat:
-Mbreti është i korruptuar!
Dhe nis i nxjerr të palarat.
 
E dëgjon një ka i urtë:
-Çfarë ministra zhgaravina,
kur janë në post, rrinë si lepuj,
kur ikin, hiqen si trima.
 
 
NGREHINA E GËNJESHTRËS
 
Gënjeshtra ndërtoi ngrehinën e vet.
Gjithë lëndën e ndërtimit,
ia mori së vërtetës,
(edhe bojën e lyerjes).
Ngrehina doli e bukur,
si pika e vesës.
Si mbaroi punë,
e ndjeu veten të lumtur, të qetë.
Në portë i vuri çelësin e vet.
 
 
URDHËRI
 
Vuri dora firmë e vulë,
thërret koka:- Ç’është kjo punë!
Kush urdhëron, e mori dreqi!
-I thashë unë,- ia ktheu xhepi.
 
 
KËRMILLI DHE GOMARI
 
Si u ndodhën përballë aty midis barit,
kërmilli brishpatë i foli gomarit:
-Çuditërisht i ngjashëm ky fati ynë,
të dyve na ka vënë samarin në shpinë.
Pastaj fjalës i vuri bisht:
-Kemi dhe ndonjë ndryshim, natyrisht.
Samari im është përherë i lirë,
tëndit i rrasin ngarkesën mbi shpinë.
-Ndryshojmë edhe gjetkë,- tha i urti gomar,-
unë eci në këmbë, ti zvarrë- zvarrë.
 
 
PËRROI DHE MALI
 
Përroi u fry në vjeshtë,
mori vrapin tatëpjetë,
mori trungje,
gurë e shkarpa
dhe s’e ktheu kokën prapa.
Duke zbritur nëpër shkrepa,
i thosh malit:
-Mora ç’gjeta.
Mali me mjegull si gunë:
-More ato që lash unë.
 
 
IRIQI, MOLLA DHE FERRA
 
Nga dega, molla,
ra drejt në ferrë.
Aty iriqi,
për zot i del
dhe i buzëqesh:
-Imja do jesh,
moj faqekuqe
e cipëhollë,
sa të jetë ferra,
këtu, nën mollë.
 
 
 SYRI, BUZA DHE GJUHA
 
Qante syri bot e bot,
breshër rrjedhin ata lotë.
Midis faqes, midis hundës,
lotët mbrrijnë tek cepi i buzës.
Tha buza:- Çdo gjë me fat,
kur je poshtë, pret ç’vjen nga lart…
Gjuha shtyn më tej shpotinë:
-Pret, po vetëm hidhërim.
 
 
TRURI DHE VESHI
 
-Kam një det me dituri,-
tha truri, pa qenë nevoja.
Goja aty për aty:
-Sa di ti, e tregon goja.
 
 
NJERIU DHE QENI
 
Një njeri ka një shtëpi,
në oborr qenushi rri.
E mban roje ditë e natë,
ndaj i jep dhe një kafshatë.
Herë- herë e ledhaton,
qeni hidhet, lot, gëzon.
Dhe mburret në sytë e botës:
-Ah, më do me mendtë e kokës!
Thotë i zoti:- Kot po kruhesh,
unë të dua se më duhesh.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s