Poezi nga Kolec P. Traboini

 
Poezi nga Kolec P. Traboini
 
 
FËMIJËT E KOSOVËS 
 
Fëmijët e Kosovës u zgjuan
si zogj të turitun,
me bomba mbi krye
e shtëpi që digjeshin.
 
Fëmijët e Kosovës
Iknin, veç iknin,
si fluturim pëllumbash
në një qiell të turbullt.
 
Fëmijët e Kosovës
rrugë e pa rrugë,
arave e baltërave,
predhave e zjarrit.
 
Fëmijët e Kosovës
të përlotun shihnin
nënat të mbyteshin
e baballarët të vriteshin.
 
Fëmijët e Kosovës
armiku i heq zvarrë
nëpër tokë të shkretuar
me fëmini të vrarë.
 
Fëmijët e Kosovës
engjëj të tokës,
me gjunjë të përgjakun
e plumba sipër kokës.
 
Fëmijët e Kosovës
shpresa e Kosovës,
e ardhmja që vjen
e shkuara që s’e harrohet.
 
Fëmijët e Kosovës
bozhuret e shqiptarisë,
plagë e përgjakun
në flamur të lirisë.
 
 
11 M I N U T A 
(Poemë për 11 minutat e fundit të jetës së studentes Klea Shyti)
 
Njëzetvjeçare, e bukur, e brishtë
si tulipanët e parë të pranverës
Klea vendosi t’i ngjisë shkallët një e nga një.
Nuk e mori ashensorin kësaj herë,
nuk e dëshironte praninë e njerëzve
në njëmbëdhjetë minutat e fundit në jetë,
të udhëtimit të saj për në qiell.
 
Në katin e parë të ngjitjes
e përshëndetën dy njerëz
një grua e një burrë, të lumtur,
dukja është gjithçka kur nuk njihesh;
“si lulja kjo vajzë e bukur!”
e shoqëruan me një shikim përkëdhelës.
 
Klea u ngjit në katin e dytë
minutën e dytë
një gjyshe që fshinte pragun i tha:
“Moj bijë, më qofsh e lumtur!”
Pastaj në katin e tretë e minutën e tretë
një djalosh me sy e përpiu
sikur i thoshte mos shko më lart
lëri engjëjt në qiell
bëhu dashnore në tokë e njeriut,
kam një dhomë e një krevat këtu
në këtë dimër të ftohtë
a po kthehesh të bëjmë dashuri.
 
Po minuta e tretë kishte ikur
ajo s’mund të ndalonte
duhej ngjitur në katin e katërt
ku një vogëlushe e priste.
Klea mendoi për një çast se ishte vetja
që i thoshte: “Si më harrove,
mos ik, më lart mos u ngjit
eja të luash me kukullën time!”
Po Klea ishte rritur e fëminia e saj
qe larg, njëzet vjet larg
dhe asgjë s’mund ta kthente
se jeta e njeriut nuk ishte një film
që mund ta shohësh pafundësisht.
 
Në katin e pestë dy vajza prostituta
e ndollën, i thanë të bëhemi shoqe
ikim në Europë nëpër semaforë.
Klea s’u ndal, por ngjiti shkallët,
babain e nënën iu duk sikur pa.
“Eja Klea, pse po vonohesh?”
 
U ngjit dhe më lart,
në katin e shtatë në minutën e shtatë
aty qielli mund të shihej
por e ndalonte pallati përballë,
ndoshta në katin e tetë do të shihte
ca re puplore ëndrrash që iknin
për t’u tretur e kthyer në pika shiu.
 
“Më lart, më lart,- i tha vetes –
atje ku mund ta prek qiellin.”
U gjend në katin e nëntë,
minutat iknin,
aty nuk pipëtinte frymë njeriu
dhe ajri sikur qe ngrirë.
 
Ecte mes e përmes akujsh
u gjend në katin e dhjetë
nisi të shfaqej qyteti në mjegull
e njerëzit në ikje si miza lëvrinin
në panikun e ditëve të dimrit.
 
Donte veç një ditë për të ardhur Krishtlindja
mrekullia që pritej të ndodhte,
një qiri shprese ndezur nga pleqtë
një pemëz, ca dritëza si yje,
blegërima e një qengji, zëri i vogëlushit
që ende flinte brenda njeriut.
 
Të gjitha këto ishin në ardhje
duhej veç një ditë, 1440 minuta,
por asaj veç një minutë i kish mbetur
sa për t’u ngjitur në katin e njëmbëdhjetë
atje ku frynte erë,
atje ku me siguri ca engjëj e prisnin
me flatrat e tyre si diell.
 
Gjeti aty veç një zog të mardhur
që trembur rrahu krahët në qiell
sikur t’i thoshte eja dhe ti
ta shohësh botën nga lart, botën gri.
Duhej fare pak mundim
veç pak, të hidhej,
engjëjt nuk do ta linin të binte.
 
Klea hapi krahët, i dha vetes lart
ajri si xham akulli u thye
zemra përpëlitej në erë
ku po shkoj tani, ku ndodhem
pse engjëjt s’po vijnë
ndoshta erdhën e morën shpirtin tim
e trupin e lanë të përplasej
në trotuar, pa frymë, mes njerëzve.
 
Ndërsa sirenat e urgjencës
e mbushnin qytetin me pikëllim
u deshën njëmbëdhjetë minuta
për t‘u ngjitur në katin e njëmbëdhjetë
pa llogaritur kohën e rënies
e kohën kur njeriu jep shpirt.
 
24 dhjetor 2015
© Kolec P. Traboini
Nga libri “ODEON” Washington DC-Tiranë 2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s