Poezi nga Myrteza Mara

 
Poezi nga Myrteza Mara
 
 
LARG ORBITËS
 
Dimri po tërhiqet zvarrë,
Vera u struk e plagosur
Shpresa si një zog i vrarë
Etja për jetë e marrosur!
 
Dhëmbët përtypin mallkim,
Hidhërimi vjell veç natë
Era si ortek e ngrirë
Zemra nuk ka vend për plagë.
 
Dritat që dolën nga shpellat,
Thamë-ja dielli që kërkonim!
Në humnerë kupat e vrerit
Vetëm diell, asgjë nuk donim!
 
S’ishin diej, ishin pishtarë,
Tym i pishës i verbon retë
Zjarri nuk kursen as trarët
Flakë dhe dallgët nëpër det!
 
Të verbër si Diogjeni,
(Oh, ç’na bëri flak’e pishës!)
Ditën po kërkojmë diellin
Jemi ende larg orbitës!
 
 
NËN SHI
 
Më pëlqejnë ditët me shi dhe erë
Muzika e tyre më ngjanë simfoni
Më pëlqejnë dhe ditët që s’kanë diell
Sepse diell i jetës time je vetëm ti.
 
Ka nevojë kjo tokë të pi lotët e saj
Rrënjët e etura duan dimrin e ashpër
Qielli është i bukur kur retë qajnë
Lotët e qiellin mbajnë sytë të pastër.
 
Më pëlqen të udhëtoj nëpër shi
Dua të lagem tok me kujtimet
Kaq herë pa ombrellë, unë edhe ti
Kaq herë në shi dhe në ëndërrime!
 
Më pëlqen të jemi diku në një mal
Ku shiu dhe era mbi shkëmb përplasen
Në një grykëshpelle të ndezim zjarr
Deri sa dhe hiri të tretet në atë vatër.
 
Pastaj të dehemi duke pirë rreze dielli
Të çmpijmë krahët mbi velat e erës
Një tufë lulelutjesh bekimit të qiellit
Pas çdo rrebeshi buzëqesh pranverës!
 
 
NË GJË ËSHTË E VËRTETË
 
Unë çuditem me shinat e fatit,
Me ortekët e fjalëve të thëna e pathëna
Më vjen të plas prej inatit
Kur korbat thonë: U ngjirrëm nga kënga!
 
Më vjen çudi dhe për të gjitha çuditë
Fati s’ecën mbi shina, kush e ka thënë?
Kemi pyetur kaq herë qiellin, perënditë
Askush përgjigje nuk na ka dhënë!
 
Më çudit ujku kur ankohet për drejtësi
Dhelpra e pajisur diploma dhe master
E mbushur kjo botë vetëm me çudi
Gërxhet të pasur, gjithë fusha e varfër!
 
Jeta është luftë-kështu është shkruar,
Përse nuk është paqe edhe dashuri?
Lindim nga dashuria duke vajtuar
Ndaj ngre supet dhe përsëris: Çudi!
 
Çuditem me udhëkryqet, trillet lozonjare
Çuditem dhe me ty, o fati iynë i shkruar
Gjithë jetën duke rendur në zjarret polare
Mes psherëtimave duke lotuar!
 
Unë i çuditur do të iki nga kjo jetë
Ndoshta çudinë do le trashëgimi,
Por një gjë di se është e vërtetë
Vetëm dashuria di të lind dashuri!
 
 
KALORËS ËNDRRASH
 
Po kollet bastuni i Vitit të Vjetër,
Nga pas zilkat e lodhura të Vitit të Ri;
Në trungun tim një rreth më tepër,
Por unë do të mbetem përsëri Ai.
 
Do shtohet një thinjë, edhe një rrudhë,
Një fije floku do iki në moskthim;
Të gjithë mbi këtë dhè jemi për udhë,
Nuk qajmë çfarë iku, por vitet që vijnë.
 
Sado që shpresa, si dashuri e ndezur,
Më deh me verën e ëmbël të kujtimeve,
Ai që isha, Ai kam për të mbetur,
Kalorës kokëkrisur i ëndërrimeve…
 
Dëgjoni ju vajza, me buzë ngjyrë zjarri,
Në u rëntë në dorë, një ditë, kjo poezi,
Në shekullin që iku linda unë i marri,
Do iki në shekullin që nuk ka dashuri!
 
Prandaj nxitoni zbukuroni lumturinë
Në historinë e kohës që po shkruani,
Nëse s’e shkruani çdo lini trashëgim?
Apeleve të stinëve s’duhet të mungoni!
 
Mbushni jetën me shpresëdashuri
Për gurët, për tokën, për qiellin
Nuk është e lehtë të jesh sot NJERI
Kalorësit e ëndrrave shijojnë diellin!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s