NJË SHAKA MORTORE / Tregim nga Vullnet Mato

 
Tregim nga Vullnet Mato
 
 
NJË SHAKA MORTORE
 
Tri dhomat e apartamentit të përbashkët, kishin diktuar edhe afrimin miqësor të tre beqarëve të staxhionuar. Stefani, Joti dhe Bardhi banonin prej dy vjetësh me qira në katin e tretë të kësaj ngrehine të re, ku jetët e tyre pa gra, gërshetoheshin si tri familje paralele. Ndonëse me profesione të ndryshme, moshat e përafërta i kishin bashkuar ata, aq ngushtë shpirtërisht, sa mund të ndjeheshin jo vetëm shokë, por edhe pjesëtarë të një familjeje, me të gjitha orenditë e siguruara bashkërisht. Shpesh ushqeheshin nëpër restorante, por ndodhte që përgatisnin edhe ndonjë tryezë të përbashkët në njërën nga dhomat e tyre.
Ndodhi që Stefani për ditëlindjen e tij, vendosi të shtrojë një tryezë tejet të bollshme me ushqime dhe disa lloje pijesh cilësore. Ai kishte mbushur atë ditë plot tridhjetepesë vjeç, ndonëse as vet nuk e kuptonte pse duhej festuar me aq bujari e gaz, dita që shënonte plakjen e shkallëzuar të njeriut. Por gjithsesi zakoni i lashtë duhej respektuar. Aq më tepër, në raportet e krijuara më parë, kur edhe dy shokët e tjerë i kishin kremtuar këto ceremoni bashkërisht.
Për të përgatitur festën e shokut, ata punuan së bashku gjithë pasditen e mërkurë. Vet Stefani lau pjatat, gotat, zbukuroi tortën me qirinj dhe bëri gati gjithçka tjetër, për estetikën e tryezës. Bardhi me Jotin përgatitën sallatat, poqën bërxollat dhe ngrohën picat e sallamet.
-Për nderin tënd, të humbur me shumë femra, gjatë një çerek shekulli jetë beqari, unë sonte do të bëhem tapë shisheje! -iu drejtua Joti, me një gaz bubullues.
Stefani qeshi dhe ia ktheu në çast:
-Sidoqoftë, ty s’ta kam kaluar, po të kemi parasysh, se nderin tënd e ke humbur me një plakushe që vazhdon të të telefonojë pareshtur…
-Aaaa, ta hodhi dhe ka të drejtë, – reagoi Bardhi nga cepi tjetër. -Stefani e ka dorëzuar beqarinë vetëm te ndonjë zoçkë që fluturon në qiellin rinor, jo te klloçkë që kakaris në celular…
-Unë kam një parim human, – u rrek të mbrohet Joti. -Preferoj rrugët e shtruara. Sepse shtigjet e pashkelura paraqesin kurdoherë rreziqe të paparashikuara. E dini çka thënë poeti i madh Uitman? “Të bukura janë vajzat, të bukura gratë, po plakat janë më të bukura…” Kot nuk e ka thënë. Ai duhet t’ua ketë provuar lezetin plakave. Në fund të fundit, bukurinë e ka shpirti, jo faqja. Me budallaçkat e reja mund të bisedosh vetëm budallallëqe. Të moshuarat janë galeri ndjenjash dhe përvojash pafund…
-Duke të dëgjuar ty, m’u kujtua befas barsoleta e asaj plakës që i tha djaloshit: “Rrofsh more bir, që i vure shtëpisë së vjetër një tra të ri !” -tha Stefani duke fshirë duart me një pecetë te lavapjati dhe qeshi vet i pari.
– Ah, kur s’më bëri zoti një rrospi, nga ato që e shtyjnë jetën me kërthizë përjashta, pa ta shihnit ju, sa namusqar është ky njeri, do vinte të lëpihej pas meje apo s’vinte… – ia ktheu Joti.
Qeshën të tre dhe zunë vendet në tryezë. I pari Bardhi ngriti gotën e verës dhe uroi:
-U bëfsh njëqind vjeç dhe përvjetorin tjetër me një nuse, siç je vetë!
-U bëfsh njëqindepesëdhjetë vjeç e më pas vdeksh nga koronavirusi! -bëri humor Joti dhe gotën plot e ktheu me fund qysh në fillim.
Gazi i përfshiu të tërë njëherësh. Stefanit i kaloi vera në hundë dhe shkoi te lavamani.
Kështu, me gaz e batuta shakaje të lezetshme kaluar dy orët e para, gjatë të cilave Joti lakmoi te pijet, aq sa i përzjeu ato për dreq. Shokët e vunë re, që ai e teproi mjaft, por menduan, se ishte mbrëmje e shënuar dhe s’duhej penguar, kur ndodheshin në shtëpi dhe do të binte të flinte.
Por krejt ndryshe nga ç’medonin dy të tjerët, Jotit i ra pija në tru dhe filloi të bëjë marrëzira të padurueshme të atilla, sa ua prishi krejt mbrëmjen. Ai kthente pjatat përmbys, i përziente si llaç dhe gajasej kur i përplaste, duke i copëtuar në dysheme. Kapte shishet dhe merrte në shenjë çdo objekt të dhomës, derisa e shkërmoqi me një shpërthim prej bombe ekranin e televizorit. Tashmë u duk sheshit, se pija kishte shkatërruar tërësisht të gjithë strukturën e tij mendore.
Në rrethanat të tilla, kur ai u bë i padurueshëm, Stefani me Bardhin e kapën për krahësh, e shtrinë në krevat me forcë dhe e mbuluan me çarçaf. Por ai kërceu përpjetë si sustë dhe zuri t’i shante, duke përdorur një fjalor të ndyrë, të cilin nuk ia kishin dëgjuar ndonjëherë:
-Ua lëroftë nënat Kina dhe baballarët ua dërgofshin ushtarë në Iran! – jehonte me gjëmim, u binte me shkelma dhe shkumëzonte gjithë inat. – O mutër, o bajga gomerësh, o shkërdhata, o by..q… që u është tharë k… e u ka mbetur te vrima. Kujtoni ju, se unë kam palluar vetëm plaka… Po s’e dini ju, se unë kam një alamet palloshi, që i ka marrë me radhë nga plakat deri tek ca të njoma, që ju s’i shihni dot as në ëndrra…
Kupa u mbush plot, kur ai rrëmbeu tortën nga tryeza dhe ia ngjeshi Stefanit në fytyrë:
-Hë de, shuaji qirinjtë tani, o karuc, se na çave trapin dhe pirdhu në dhomën tënde!
Dihej që ai kishte pije të keqe, po sharje kaq banale e marrëzi si kësaj here, s’pati bërë kurrë. Sepse me sharjet e hedhura në mënyrë parabolike, doli jashtë të gjithë kufijve të pranueshëm. Kishte shkuar vonë dhe nga frika, se mos britmat e tij shqetësonin tërë pallatin, shokët e shtrinë edhe një herë me forcë në shtrat. Ata provuan një shaka paksa të rrallë, duke ia mbyllur gojën me një shirit të gjerë natriband. Mandej, duke mos e mbajtur dot më gjatë në zotërim, ia fashuan edhe duart e këmbët me natriband pas tubit të shtratit metalik. Pas një lidhjeje edhe me çarçaf për mesi, ai u bë krejt zap. Dhe sado të mundohej të shkëputej nga fashimi i tmerrshëm i natribandit, s’bënte dot asgjë tjetër, veçse të binte në gjumë të qetësohej.
Pasi Stefani dhe Bardhi u siguruan, se gjithçka ishte në siguri të plotë, biseduan se s’kishin ç’bënin më tej në atë mjedis të shkatërruar, pa asgjë të përdorshme për të vijuar festën.
– Eja dalim. Shkojmë me benzin tim të vazhdojmë darkën në ndonjë lokal, këtu s’kemi ç’të hamë se u bënë të gjitha për në kazanin e plehrave! – tha Stefani me sy të ndriçuar.
Pasi mbyllën mirë derën e blinduar të hyrjes me të dy çelësat, dolën në rrugë. Ata nxorën makinën nga parkimi dhe u nisën krejt të shkujdesur, duke menduar, se tani Joti, nuk kishte asnjë mundësi të zgjidhej, të hidhej nga dritaret, apo të thërriste për ndihmë komshinjtë. Nata e nxehtë e korrikut kishte filluar të freskohej dhe dritat vezullonin në të gjithë gjatësinë e bulevardit kryesor.
-A vemi te lokali me pisha matanë urës së Farkës? –pyeti Stefani befas.
-Shkojmë !- u tregua i gatshëm Bardhi, duke e shprehur kënaqësinë e vet, për atë lokal.
Paskëtaj benzi zuri të shushurijë me shpejtësi nëpër asfaltin me qarkullim të rralluar të orës dhjetë të natës. Kilometrat e rrugës po merreshin njëri pas tjetrit me një nxitim të të diktuar edhe nga tronditja që u kishte shkaktuar sjellja shijekeqe e Jotit të çmendur pa lezet atë natë gëzimi. Mes fluturimit të vetëtimshëm të objekteve në të dy anët e rrugës, dukej sikur ata vraponin për të arritur sa më parë në fundin e botës.
Duheshin edhe pesë minuta për tu ngjitur te lokali piktoresk që vezullonte mes dritave dhe pishave të dendura. Por pikërisht në këtë kohë ndodhi gjëja më e pabesueshme. Krejt papritmas, duart e verbërisë së fatit ishin zgjatur drejt tyre, sikur ata t’i kishte mallkuar vet zoti. Në hyrje të Urës së Farkës, gjatë ndërrimit me një kamion të madh, që mbante dritat ndezur, vetura e Stefanit fluturoi befas jashtë cepit të urës. Dhe sa hap e mbyll sytë, përroi i thellë i përpiu me një frymë të dy shokët, duke i plandosur në kthetrat e vdekjes.
Natë e zezë, përrua i heshtur dhe vdekje pa asnjë dëshmitar. Ky ishte fundi i tmerrshëm i asaj ditëlindjeje të pafestuar plotësisht, për faj të mendjeshkrepjes pa fre të shokut të tretë.
Të nesërmen paradite, dikush nga udhëtarët kishte diktuar shenjat e rrëshqitjes dhe kishte parë hekurishte e makinës së shkërmoqur në fund të përroit. Ai kishte lajmëruar policinë dhe kufomat e copëtuara të dy personave të panjohur përfunduan në morgun e spitalit të kryeqytetit. Duhej të kalonin tri ditë të tjera, të zbulohej identiteti i personave që mungonin në qendrat e tyre të punës dhe të njiheshin kufomat prej familjarëve të thirrur nga rrethet.
Në krye të gjashtë ditëve, policia hetimore mori në dorëzim çelësat e gjetur në xhepat e viktimave dhe bashkë me familjarët e tyre kontrolluan apartamentin e banimit.
Sakaq, Joti, i bërë njësh me krevatin, ishte katandisur, si ai derri i mbyllur në tharkun e vet, i mbështjellë me kutërbimin e urinës së një jave dhe me fekalet e gjakosura. Ngaqë ishte munduar më kot të duronte për të mos qelbur shtëpinë. Dhe sërish qëlloi me fat, që marrëzia vdekjendjellëse e pijes së tij dhe shakaja e llahtarshme e shokëve fatkeq, u zbulua para se të vdiste edhe ai, në një tmerr tjetër, të një natyre të fëlliqur…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s