Poezi nga Sokrat Habilaj

 
Poezi nga Sokrat Habilaj
 
 
KUR TË IKËSH NGA UNË
 
Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,
Që unë të mësohem me ikjen tënde.
A thjesht të mendoj se do kthehesh prapë,
Muzgjeve të vjeshtës si vegim hëne.
 
Ti do të ikësh, por mos ikë e gjitha,
Që unë mos ta ndjej se të kam humbur.
A thjesht të më lesh pas ikjes si grimca,
Çdo pore të lëkurës që të kam puthur.
 
Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,
Që të besoj se pendohet dhe vdekja.
A thjesht të gjej shpesh vetëm një shkak,
Për të të thënë sa shumë të desha…!
 
 
NDOSHTA KE HARRUAR
 
Mund të thosha:-Vazhdo më goditë!
Nëse të pëlqen ta bësh këtë gjë.
Të thosha të më vrisje në pritë,
A mund të kafshoja buzën pa zë.
 
Mund të thosha:-Derdhë edhe vrer!
Po deshe shpirtin mbushma në gjak!
Ikë pastaj, mburru me të tjerë,
Se gjete dikë që nuk merr hak!
 
Mund të thosha:-Kur të jem i shtrirë,
E të kem pranë shpirtin e copëtuar.
Shpresoj të paktën të ndihesh mirë,
Por këto fjalë, s’ke për t’i dëgjuar!
 
Madje në bishë më kthehet zemra,
Se mbroj një tjetër, jo veten time.
Ndoshta ke harruar që të kam brenda,
Por kur më godet si nuk ndjen dhimbje!?
 
 
GRATË DASHUROJNË BURRIN QË MUNGON
 
Natyrisht, ne s’i kemi thënë të gjitha,
Po dhe vetëm një çast të ketë mbetur.
Kam për t’i thënë të presë diku ikja,
Sa të sqaroj ty një merak të fshehur.
 
Sa të sqaroj ty fjalët që më the dikur:
-Më duaj sikur s’je, kur të jemi pranë.
Ndryshe gratë ikin sa u bëhesh burrë,
Se gratë dashurojnë, atë që s’e kanë!
 
Sa u bëhesh burrë, shpesh ato treten,
Dhe humbasin tutje, si një pikëz vesë.
Ndaj dhe m’u desh të rivrisja veten,
E që të rikthehem, veçse si mungesë.
 
Unë s’të bëra hile, se s’më linte malli,
Po them se fjalën se mbaj dot më vonë.
E ndoshta një ditë do të pyes nga varri:
-Dashuron ti ende, burrin që mungon?
 
Sa të më dëgjosh zërin tim të largët,
Kujtohu se për ty e bëra këtë dredhi.
Ti pa menduar, do ikësh nga të gjallët,
Duke kërkuar ndjesë:-Më mungon ai!
 
Rrasën përmbi mua do lëvizësh pa zë,
Si cepin e çarçafit, kur vije në shtrat.
E do më pëshpëritësh:-Tani s’iki më,
Jeta ish’ e shkurtër, po vdekja e gjatë!
 
 
FOLMË PËR DREDHITË!
 
Nëse për zjarrin tim, do bëhesh merak,
Të kam besuar, të ndezësh një shkrepse.
Ti më thua:-S’mjafton, është fare pak,
Kështu mund t’i thuash edhe një tjetre!
 
Nëse do shikosh që fjalët s’di t’i ndreq,
Të kam besuar, kthemi në të puthur!
Ti më thua:-Hesht, mos u bëjë i keq,
Ndonjë grua tjetër, i kthen më bukur!
 
Nëse do ndodhë, të humbas në pyje,
Të kam besuar, të ndriçosh për mua.
Ti më thua:-Në qiell ka plotë yje,
Prek kë të duash, për ty bëhet grua!
 
Rrëfehem tek ty, po s’jam ky i gjithi,
Gjëra që s’thuhen, kanë dhe dashuritë.
Unë të kam besuar, çastin kur do iki,
Ti më thua:-Mjaftë, folmë për dredhitë!
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s