Poezi nga Merita Paparisto

 
Poezi nga Merita Paparisto
 
 
Krejt ndryshe
 
Nuk po due
me t’hanger t’tanin
a me t’zbërthye damarët
e me t’thith gjakun etshëm
 
Nuk po due
as me t’shti zjarm
m’u djeg të dy shkrumb
e t’shpërndahena n’det
 
Kto t’gjitha
i kanë ba t’tjera para meje
e hala, kanë me i ba.
 
Pra:
-a mundena na t’dy
me takue veç nji gisht
at’ gishtin tregues
me vija t’holla delikate
at’ vulë vetiake
qe asht krejt ndryshe tjer’ve?
 
A mundena me takue veç at’ gisht
e t’avullohena nalt n’qiell? e t’marr mandej
e t’vimë prap ktu si shi.
 
 
Profeci për një bredh
 
ti do ringjallesh pas vdekjes- të thanë
në një tjetër bote krejtësisht të ndryshme
me gjasa nuk do ketë asnjëherë natë atje
në trup ca dritëza të vogla do të ndriçojnë
dhe ti nuk do mundesh të ndalosh fotosintezën
 
për më së shumti – të thanë – uji nuk do të mungojë
edhe pse ajri do jetë i thatë dhe shpues për halat e tua
çdo degë e jotja, do ngarkohet me zbukurime
çfarë janë këto – do pyesesh ti-
– gjëra të ndritëshme me ngjyra, dhe shkëlqim
të ngjashme me lojën e rrezeve të diellit
me degët e larta, në mëngjes herët.
 
e mban mend atë krijesën qe vuri sëpatën
mbi trupin tënd dhe të shkaktoi
një dhimbjen therëse të padurueshme
aq sa edhe pse i pagojë, ti ulërive “krrak”?
nga ato krijesa do shohësh shumë në jetën pas vdekjes
do vinë rrotull teje, do lëvizin e tunden,
si ti kur frynte erë e marrë dhe degët e tua
shtriheshin e zgjateshin për tu përqafuar
me nënën tënde a me vëllezerit e tu.
do nxjerrin tinguj të ulët e të lartë
por ti nuk do t’i kuptosh, sepse
nuk i ngjajnë as gjuhës së pyllit
dhe as asaj të erës.
 
në jetën tënde pas vdekjes,
në atë botë të çuditëshme
të cilën nuk do kesh kohë ta njohësh mirë
do dëgjosh zhurma që kurrë nuk i ke dëgjuar
dhe as marrë me mend,
atë që ata e qujanë muzikë,
këngë, të thirrura zënka sherr
pastaj ashtu i mahnitur dhe i drobitur
si të gjitha qëniet në jetën e tyre pas vdekjes
do të hedhin në një vend ku do përfshihesh nga flakët
do zvogëlohesh në grimca të holla e të lehta
do ngrihesh lart lart lart në qiell
së bashku me erën, do shkosh në origjinë
të prehesh i qetë
në rrënjët e nënës tënde në pyll.
 
 
 
EKSKLUZIVE
 
Pak verë mjafton që të më zhbëjë…
 
Kemi shtruar tavolinën në ballkon
dhe ti më qëndron në atë cep,
ku vetëm me bisht të syrit mund të të shoh.
 
Krahët si gjithmonë janë të pafuqishëm
dhe meqë nuk mundem të fluturoj
mbështes gjithë trupin në përqafim.
Ti më sheh me një buzëqeshje të kursyer nën buzë
ndërsa përpiqem të mos të të zhgënjej.
 
Majat e gishtrinjve mpihen dhe marrin udhë…
por më mirë kështu…
nuk do lë shenja gishtash , nëse bëj ndonjë “krim”.
 
Në trurin tim bëhen bashkë imazhe të së shkuarës dhe të tashmes…
E di? Në vargje të poezive e gjejnë veten shume njerëz
por po ta them vetëm ty që këto janë vargje ekskluzive!
 
Mesditë,
dielli luan me retë një lojë pafajësisht të rrezikshme
dhe unë qesh me të madhe.
Të gjithë e dinë tashmë që kam dalë jashtë trupit
dhe shpirt zhveshur më duan edhe më shumë.
 
Përqafoj duke ngjeshur gjoksin pas gjoksit
dhe vazhdoj të qeshurën.
Pastaj dua të kërcej, por hiqem si esëll
veç tundem në karrike majtas djathtas
sipas ritmit të muzikës dhe këndoj me zë të ulët.
 
Në mendje më shkon që duhet të fle dhe të pi shume ujë….
dëshiroj gjithashtu të shkruaj këtë poezi për ty
por para se ta bej, zgjedh një këmishe nate
nga më të preferuarat
(atë që vesh gjithmonë për një fat të mbarë….)
dhe përpiqem të shkoj në shtrat për të qetësuara rropullite e revolutara
që gjithmonë në të tilla raste
janë në opozitë ekstreme me trurin
që hedh valle dhe qesh si i marrë.
 
Vargjet më sulmojnë të çmëndura sapo vë kryet në jastëk
dhe unë detyrohem të ngrihem, ti përzë nga truri në ekran…
Tani jemi dy… unë dhe poezia ime e hallakatur …
që qëndrojmë para teje me kemishë nate
dhe të tundojmë…
të pëlqen?
 
Fjalë boshe!
Çfarë the? Mos i shkruajnë ata të tjerët më mirë vallë?
Patetizëm që më bën për të vjellë… me “ah”… dhe me “oh sikur… e dashur”!
Çfarë më bën për të vjellë?
patetizmi apo vera…
një Zot e di!
 
Në ëndërr më del si gjithmonë….
Çfarë më del në ëndërr?
-Mbylle këtë djall kompjuter dhe shtrihu e fli më parë
që të marrësh vesh çfarë të del në ëndërr
 
alkoli, kjo marrëzi e këndëshme
që brutalisht dhe ëmbël më sundon pa më marrë leje
dhe unë sa më shumë që vjetërohem …
aq më shumë jam edhe djathë edhe verë!
 
©M.P.
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s