Poezi nga Bilall M. Maliqi
U NIS VARGU
U nis vargu rrugës së motit të ri
Për të takuar diku
Pas shkurreve të shpresës
Dhe…
S’ka të ndalur në pikat e zeza
As në dendësinë e mjegulluar
Të takon caqeve të (pa) ditura
Me epitetin
Si në bisht të dallëndyshes
U nis udhës së pambarimtë
Mbushur me frymë
Me metaforën në ballë
E ti prite e buzëqeshur
Si një engjëll
Te kufiri i kuq i dashurisë.
TË DUA
Të dua deri në shterje lotësh
Në dhembje
Në plogështinë e shtrirë
Të dua i fjetur
Në zgjimin e gëzuar
Në ëndrrën e keqe
Në zgjëndrrën befasuese
Të dua të shtrirë
E të ngritur
Me zjarr (malli) në shpirt
E me dashuri në zemër
Të dua… të dua!
DËSHIRË E PAREHATUAR
Thellësisë së malit shpeshtak
Një erë (e) lehtë
M’i trazoi kujtimet e heshtura
Ato pahiten si në krah të cicërimave
Të zogjve të përmalluar
(Ri) kthyer në fillim të stinës së parë
Nëpër ato gjethe lisash
Fërkohen pikat e ftohta të durimit
Për t’u nxehur
Me frymë të ngrohtë të malit
Në flatrat e një zogu
Që kaloi kufirin e dhembjes sime
Gjeta një porosi të pikturuar
Një dhimbje që përbirohet
Nëpër dëshirën e parehatuar
Për të të parë (edhe) njëherë
Në sytë e lotuar të zogut kasnec.
E PASHË…
E pashë
kur i dyti e vodhi fjalën
e nuk tha gjë
e pashë
se hapi i madh
i preki në vijën e dështimit
e pashë
kur doli i pari
si përpara kalit gomari
e pashë
e pashë…