Dita e fundit e mbretëreshës Teuta / Fragment nga romani”Teuta e Ilirisë” të autorit Resmi Osmani

 
Resmi Osmani
 
 
Dita e fundit e mbretëreshës Teuta
( Fragment nga romani”Teuta e Ilirisë”)
 
Pallati i gjeneral Dhimitër Farit në ujdhesën e Farit.
 
Një mëngjes rojet kapën një burrë tëpanjohur, që ishte fshehur pas një kthine të mureve që qarkonin pallatin.Kur e pyetën kush ishte,nga ishte dhe pse kishte ardhur, ai vetëtimthi nxori poshtë këmishës së gjatë një thikë dhe i sulmoj rojet, plagosi njerin prej tyre dhe u turr drejt portës,por nuk arriti.Rojet e kapën djhe e lidhën.Nuk vonuan dhe vunë në dijeni general Dhimitër Farin. Ai dha porosi ta vinin nën torturë derisa të rrëfente qëllimin e tij. Ashtu bënë. Ai rrëfeu s ishte aty të vriste gjeneralin tradhëtar që shiti trojet e Ilirisë dhe të hakmerrej.Tjetër fjalë nuk tha.E torturuan deri sa u vdiq në duar.
Dhimitri e dinte se pas këtij vrasësi ishte dora e Teutës, së verbuar nga urrejtja, që s’dinte të falte. Sa të ishte gjallë ajo grua, nuk do të hiqte dorë që t’i merrte jetën. Ishte pengesa e vetme në rrugën e tij drejt fronit të mbretërisë nën vasalitetin e Romës. Mendja e tij dinake prej greku, shestoi mënyrën sesi duhet ta shmangte nga rruga e tij. Ishte koha, bile ishte vonuar.
Në javën e parë të majit, ndaj të gdhirë u sulmua befsisht garnizoni romak i qytetit të Narbonës, që gjëndej pak më në veri të gjirit të Rizonit. Ushtarët të zënë në gjumë e në befasi, u vranë të gjithë. Askush nuk shpëtoi. Sulmuesit i përpiu nata dhe kurkush nuk e dinte kush ishin, nga erdhën dhe ku shkuan.
Dhimitrin e thirrën në Dyrrah për të dhënë spjegime.Ai e kishte të gatshme përgjigjen.
– Konsulli im. Prapa këtij sulmi të beftë e të përgjakshëm, të kryer me burracakëri, fshihet dora e Teutës hakmarrëse.Me natyrën e saj krenare, ajo nuk mund të pajtohet me humbjen e luftës dhe të fronit. Sa të jetë gjallë ajo, nuk do të ketë qetësi as Iliria as Roma!
Pasi iku Dhimitri, konsulli thirri komandantine një manipule dhe dha urdhër:
– Teuta të kapet, të vihet në hekura dhe të dërgohet në romë. Aty le të vendosin etërit senatorë se ç’do të bëjnë me atë grua-mbretëreshë.
 
***
Pallati mbretëror i Rizonit.
Brikena ishte në ditët e fundit të shtatzanisë. Befas ajo ndjeu të prera dhe dhimbje të forta dhe i plasën ujërat. I erdhën në ndihmë dhe e shtrinë në shtratin e dhomës së gjumit. Ujë në djersë ajo jepte e merrte, aq sa nga dhimbja që të mos bërtiste, kafshonte duart. Lajmëruan Nertilin. Ai vrapoi dhe i tronditur qëndroi në sallon.I këpusnin shpirtin rënkimet dhe ofshamat e Brikenës. E tillë ishte ardhja e njeriut në jketë: me dhimbje, gjak e lot.
Në këtë kohë, një nga rojet erdhi duke dihatur:
-Romakët, – i tha ai- po na mësyjnë nga deti dhe nga toka.
Nertili e harroi Brikenën, vrapoi në oborr dhe dha urdhër që garda të rreshtohej. Ishin dy gale romake triremëshe që po vinin drejt molit. Njëhershe me to, nga udha rrrëzë malit, buzë detit po vinte një manipul me këmbësorë të rëndë, të veshur me hekur e të armatosur gjer në dhëmbë. Duket që synonin portën veriore të murit rrethues të pallatit. Ç’kërkonin romakët në Rizon? Pas nënshkrimit të paqes, Rizoni ishte pjesë e mbretërisë së mbetur Ardiane. Kuptohej se ata s’vinin për mirë. Dërgoi një ushtar që të lajmëronte edhe mbretëreshën. Ushtarët i ndau më dysh, njeri për të pritur romakët në mol dhe tjetri në rrugën para portës së pallatit.
Galetë u afruan duke manovruar me kujdes, hodhën mbi murin e bregut urat, zbritën në tokë dhe u rreshtuan sakaq.
Nertili u doli para.
-Kemi urdhër nga konsulli Albino, ta arrestojmë dhe ta marrim me vete Teutën,- i tha prijësi i manipulës dhe nxori një rrotull pergameni me urdhërin e konsullit.
-Te Mbretëresha mund të kaloni vetëm mbi trupat tanë të pajetë,- qe përgjigja e Nertilit dhe ai vring nxori nga milli shpatën.
Nuk vonoi dhe nisi një përleshje e egër.Legjionarët u turrën përpara me ushtat gati për goditje. Gardistët u mbrojtën me mburoja dhe flakën vrullshëm ushtat e tyre.Disa romakë u goditën dhe u dëgjuan klithmat e dhimbjes.Nertili, trim e i vendosur, tendosi çdo muskul e nerv në dyluftimin me romakun. Ai jepte dhe priste goditjet dhe do ta kishte vrarë, por atij i erdhën në ndihmë shokët. Legjionarët, më të shumtë në numër, bënin përpara me hap të ngadaltë, duke dhënë goditje teksa gardistët tërhiqeshin duke u mbrojtur. Pranë murit të kështjellës u gjendën të rrethuar.Formuan një rreth duke mbështetur e mbrojtur njeri-tjetrin, por romakët shmangën ndeshjet trup me trup dhe nisën të gjuanin me ushta dhe shigjeta. Gardistët nisën të bien një e nga një, por edhe nga romakët të shumtë ishin të rënët. Krenaria dhe ashpërsia fodulle romake, ndeshej me trimërinë dhe besnikërinë ilire. Nertili u gjend i rrethuar.
Nga Brenda pallatit u dëgjuan piskamat e një fëmije. Nertili u drodh dhe u mallëngjye. Brikena kishte lindur. Ndoshta ishte djalë dhe djali i tij kishte ardhur në jetë. Jo, kjo nuk ishte kohë për të vdekur, duhet të jetonte që të rriste djalin e tij, por për të shpëtuar jetën e foshnjës, ai duhet të jepte të vetën. Prapa shpine ishte muri, përpara tre romakë, që donin ta zinin të gjallë. Ishin të veshur me hekur. Nertili ia nguli sytë të parit të tyre. Zbuluar kishte vetëm grykën. Me shpejtësi rrufeje nxori nga brezi thikën dhe ja nguli romakut në fyt deri në dorezë. Gjaku i tij i spërkati fytyrën, por edhe atë e goditën. Fuqitë iu prenë, tejzat e gjunjëve iu shkrehën, sytë iu terratisën dhe trupi iu hepua dhe nisi të binte ngadalë. Në sy i mbeti kaltërsia e qiellit, drita, blerimi i faqes së malit për karshi dhe në dëgjim jehona e zërit të fëmijës së sapo ardhur në jetë. Ai e ndjeu veten çuditërisht të lehtë dhe u fundos ngadalë në një hon të thellë të përshkënditur nga drita verbuese.
Teuta kur dëgjoi piskamat e foshnjës që erdhi në jetë, shkoi te lehona. Brikena e kapitur, në shtratin e lehonisë, pa e ditur se çfarë po ndodhte përjashta, buzëqeshi. Teuta e puthi në ballë. Foshnja ishte vajzë. Teuta hoqi nga gishti unazën e artë, me diamante e rubinë dhe figurën e saj në reliev, i mori dorën Brikenës dhe i vuri unazën.
-Kije kujtim prej meje. Kam një dëshirë të fundit: vajzës verja emrin tim, quaje Teuta. Lamtumirë zonjat e mia! Lamtumirë Iliria ime- tha me ngashërim dhe u largua nxitimthi.
Në portën e pallatit dëgjoheshin goditje të forta. Romakët po e shkallmonin që të hynin brenda. Më në fund porta ra dhe sulmuesit hynë brenda po ndonjë pengesë. Kërkuan nga të gjitha anët, dhomë më dhomë, skutë më skutë, por Teutën nuk e hasën askund. Pyetën shërbenjësit dhe zonjat e shoqërimit. Ato thanë se nuk e panë nga shkoi. Në pjesën e prasme të pallatit, në fund të një korridori të gjatë, ishte një derë e vogël. Ushtari romak e shtyu dhe doli jashtë.Pa një grua që po i ngjitej me shkathtësi shkëmbit të thiktë, që ishte prapa pallatit. Ja behën edhe të tjerët. Ai ngriti harkun që ta godiste, por oficeri e ndali.
-Jo. Mos e shkreh harkun! E duam të gjallë!Nuk ka ku të shkojë.
Ata nisën të kacavireshin me zor nëpër shkëmb, rrëshkisnin nga myshku i lagët, por Teuta u humbi nga sytë. Në gjysmën e lartësisë shkëmbi kishte një rrafsh, që nuk dukej nga poshtë.Kur arritën aty, panë që ajo kishte sosur në pjesën e sipërme.Veshur me xhubletën e bardhë, dukej sikur mbi shkëmb kishte mbirë një lule madheshtore zambaku. Flokët e shpleksura ja valëviste era. Me krahët e hapur, dukej si një gjeraqinë që do të merrte fluturimin drejt hapësirave qiellore. Me zor dhe duke u kacavjerrur, më në fund legjionarët arritën aty, por Teuta nuk ishte. Të habitur panë njeri-tjetrin. Nën shkëmb ishte një hon dhe më poshtë në një grykë të thellë rridhte një përrua i zhurmshëm ujëplotë e i rrëmbyer. Zbritën me litarë, por trupi i saj s’ishte askund. Pastaj shkuan në grykëderdhjen në det, por edhe atje nuk e gjetën trupin
Ishte si ta kishte përpirë dheu. Ata hoqën dorë nga kërkimi.
Kur u kthyen në oborr dhe po mblidhnin të vrarët dhe të plagosurit, pyetën kopshtarin plak të pallatit:
-Ku shkoi mbretëresha?
Ai nuk foli, por ngriti gishtin tregues drejt qiellit.
Fund.
 
Mars-shtator 2013.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s