Kalendari poetik: Forough Farrokhzad (1935-1967) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

 
Forough Farrokhzad
 
Kalendari poetik: Forough Farrokhzad (1935-1967)
 
Sot, më 5 janar, është data e lindjes së poetes iraniane. Pa u trembur prej klerikëve dhe shkrimtarëve konservatorë të vendit, shprehu me guxim gjendjen e femrave në Iranin e viteve ’50-’60 (nuk ia priste mendja si do të bëhej Irani i saj pas viteve ’80). Në vitin 1962 një film dokumentar i saj mbi jetën e leprozëve u bë i famshëm në të gjithë botën. Ato kohë edhe birësoi djalin e vogël të dy prindërve leprozë.
Në Iranin e ajatollahut, që erdhi dhuratë nga Franca për iranianët në fillim të viteve ’80, do ta kishin varur. Poezitë e saj u ndaluan me ardhjen në pushtet të ajatollah Khomeinit. Femër e emancipuar, poete, skenariste dhe regjisore filmash. Ishte poete që solli modernizmin në poezinë iraniane. Vdiq rastësisht, në një aksident automobilistik, për të shmangur përplasjen me një autobuz shkolle që vinte përballë, u përplas me një mur dhe vdiq pa arritur në spital. Ishte 32 vjeç. Përzgjodha këtë poezi nga shqipërimet që kam prej saj:
 
 
MBI TOKË
 
Nuk kam shpresuar
yll në pasqyrën qiellore të bëhem.
Nuk kam shpresuar,
engjëjt e heshtur të shoqëroj
si shpirt i zgjedhur.
Nga toka kurrë s’jam ndarë,
as yll kam takuar ndonjëherë.
Më këmbë jam, përmbi tokë.
Trupi im: një fill bari
që diell, ajër dhe ujë thith
për të jetuar.
Me dëshirat e mia,
me dhëmbjen time
mbi tokë jam:
lëvdata yjesh dua,
dua ledhatimin e erës.
Sytë jashtë dritares hedh.
S’jam veçse jehonë e një kënge:
e përjetshme s’jam.
Në një këngë vetëm jehonën kërkoj,
në klithmën e një dëshire
më të dlirë se heshtja e dhëmbjes.
Në një trup të shtrirë
fole, si vesa, nuk kërkoj
as ndër lule shpatoret e trupit tim.
Në mur të jetës sime,
njerëz, udhëtarë,
kujtimet e tyre kanë shënuar
me thëngjill të zi dashurie:
një zemër prej një shigjete shpuar,
një qiri përmbysur,
pikëza të zbehta, të heshtura
mbi letra marrëzie.
Të gjitha buzët
që buzët e mia prekën
një yll krijuan
në natën time,
që mbi lumin e kujtimeve qëndroi.
Përse pra, yjet t’i kem zili?
Kjo është kënga ime.
Asgjë s’ka qënë, kurrë, para saj.
 
 

© shqipëroi Maksim Rakipaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s