NJË NATË DHE NJË JETË (fragmenti 1) / Tregim nga Enertin  Dheskali 

 
Tregim nga Enertin  Dheskali 
 
 
NJË NATË DHE NJË JETË
 
(fragmenti 1) 
 
Marla kaloi përpara tij me një ecje të ëmbël, krejt të natyrshme. Iu duk si një fëmijë që as do t’ja dijë për askënd rreth e rrotull. Ai u ngrit qetësisht dhe e ndoqi me hapa të lehtë. Krejt si një fëmijë, ai i vendosi duart rreth belit të saj. Butësisht dhe ëmbëlsisht, sikur po prekte diçka delikate. Ajo lëshoi vetëtimthi dorezën e çantës dhe e trembur u bë gati të kthehej për t’ja ndezur me pëllëmbë atij që guxoi ta prekte në atë mënyrë. -Qofte, -përshpëriti me gjysmë zëri ai që e kish prekur. Ndjeu frymën e tij përmbi qafe dhe pranë veshit të djathtë dhe u ngjeth e tëra. Kurrë në jetë nuk e kishte provuar atë ndjesi që bashkë me zërin e tij, e çarmatosen. U kthye dhe dora e djathtë i mbeti ngritur. Zemra i rrihte me një ritëm të çuditshëm. -Buuuuf, -i klithi ajo në fytyrë. Erindi qeshi si një fëmjë dhe ia rrotulloi duart ngadalë përreth trupit, duke e shtrënguar pas vetes. Ndjeu aromën e trupit të saj dhe mori frymë thellë disa herë mbështetur në lëkurë. Marla sikur u bllokua krejt. Krejt çuditshëm mbylli edhe ajo sytë. Përjetoi… Era e tij i erdhi si një valë e ëmbël mbi shpirt. Një erë fëmijë dhe burri shkrirë në një të vetme. Ajo aromë e trullosi. Prej sa vitesh e njihte këtë njeri…?
-Ku ishe fshehur? Si nuk të pashë? -e pyeti ajo, por më shumë u duk sikur pyeti veten. Erindi ngriti vështrimin lart, drejt qiellit dhe ajo e ndoqi me sy. -Po ti pse u vonove kaq shumë? -e pyeti ai dhe e u përqëndrua tek buzët e saj. Fytyrën ia kish mbuluar ngjyra e purpurt, nga ajo surprizë e paplanifikuar. Marla e vuri re vështrimin e tij dhe u skuq edhe më shumë. Ngriti kokën lart duke buzëqeshur ëmbël. I ktheu të njëjtën përgjigje, pa asnjë fjalë. Ai i kapi dorën e majtë me të djathtën e tij dhe nisi të ecte drejt. Ajo e ndoqi pas si një fëmijë. Dukej sikur kishin një jetë që e njihnin njeri-tjetrin…
 
***
-Si është jeta…, -psherëtiu Marla me zë të ngashëryer dhe lëshoi vështrimin mbi diskun e portokalltë të diellit që po bëhej gati të zhdukej në det. Erindi ngriti vetullat në një formë miratimi, me një buzëqeshje të dhembshur në fytyrë dhe u përqëndrua mbi fytyrën e saj. E kuptoi që në sytë e saj po kalonte një rè, dhe thellë brenda shpirtit ajo po qante. Cepi i syrit të djathtë po i dridhej. -Sa ndryshe do ishte, -tha ajo, me zë më të ulët se më parë, por ku ngashërima ndihej me fort. Ai u çua qetësisht nga karrigia e tij, sikur të donte të mos zgjonte një foshnjë që sapo e ka zënë gjumi dhe u ul në gjunjë përbri karriges së saj. E preku lehtësisht në faqen e djathtë, i largoi pas veshit cullufet e saj të kaçurrelta dhe e pa thellë në sy. Gishti i madh i dorēs, ishte puqur si krejt padashur me cepin e buzës së saj. Ajo, në mënyrë krejt të pavetëdijshme lëvizi pak buzën dhe i puthi butësisht gishtin. Erindit atë çast iu duk se ajo nuk ishte femra dyzetvjeçare me të cilën ndante çdo gjë, por një femijë i vogël që ai e njihte prej një jete. Ndoshta që në kopsht. Ai u avit me po të njëjtën qetësi tek sytë e saj dhe i puthi një herë të majtin e pastaj me gjatë të djathtin. Buzët e tij të nxehta u lagën nga lotët e fshehur nën qerpikë. Marla nuk i hapi sytë për disa sekonda. E deshi pafundësisht ato çaste. Pafundësisht! Pa i thenē asnjë fjalë, ai e kapi prej dore dhe e ngriti nga karrigia. Ajo u bind. As e pyeti, ku do shkonin. Ndihej krejtësisht e qetë kapur nga dora e tij. Dikur e kishte habitur fakti se si e kishte bërë për vete ai njëri, zëri i tij, mënyra e argumentimit, guximi për t’i thënë gjërat troç, mosteprimi në sjellje… Kaluan kapur përdore nën disa portokalle të sapokrasitura dhe u afruan një pjesë të betontë që binte si ballkon ne det. Dielli kish humbur tashmë nën ujin e kaltër që përcillte pafundësisht drita të reflektuara. -Ku po na çon, buf, -foli ajo, e sapozgjuar nga ato çaste melankolie dhe dhimbjeje. -Ja të çoj ty si darkë për peshqit, -ja ktheu ai me zërin e tij lozonjar. Ajo qeshi. -Mire e ke, -vazhdoi lojen Marla. -Ç’më do mua, unë u plaka. Apo nuk jam mbushur me celulit. Qeshën të dy. Sa qindra e qindra orë ishin mbushur netëve, me batuta dhe lodra të tilla fjalësh mes atyre të dyve. -Patjetër, -e nxiti Erindi, -ti e di që peshqit i kanë qejf… qoftet… si ty. -Ti e do syve, buf, -ndërroi zërin ajo, aq sa ai mezi e mbajti të qeshurën. Mori një qëndrim si një fëmijë i pafajshëm në fytyrë dhe i tha me gjysëm zëri, “po hë, të bën zemra”. -I poshtër, kopuk, -e sulmoi sërish ajo. Ai e pickoi befas atë çast në bel, dhe ajo lëvizi instinktivisht. Buzët u afruan nga ajo levizje e beftë. Ai e puthi menjëherë, si një adoleshent, u shkëput nga duart menjëherë dhe lëvizi me hapa të shpejtë mbi rrugicën e betontë anës detit. Ajo pas një çasti habie, e ndonjë pas instinktivisht si një fëmijë. Pikërisht kur ajo ishte vetëm një hap pas tij, ai me një lëvizje ketri, ndaloi si një trung në rrugë dhe u kthye menjëherë. Ishte radha e saj… ta puthte. Pa dashje. Por per inerci, e perqafoi që të mos binte sipër tij. -Buf, hileqar, -klithi ajo e papërgatitur nga lëvizjet e tij. Mbështeti kokën, diku mes gjoksit dhe supit të tij të majtë. Ndjeu sërish buzët e tij, teksa përpinin ëmbëlsisht buzën e saj të poshtme. -Pse të njoha ty o kopuk? -pyeti, sikur po pyeste yjet e jo atë. Ai nuk u pergjigj, por e ledhatoi në fytyrë me një ëmbëlsi të çuditshme. Ku e gjen këtë durim, këtë fuqi o njeri, -e pyeti sërish, por tashmë me një tjetër ton. Erindi sërish heshti dhe i vendosi dorën e ngrohtë në mish, poshtë bluzës, anës brinjëve. Marla u drodh. Ai ndjeu diçka te çuditshme brenda barkut. Vetëm zëri dhe lëkura e asaj femre e kish bërë të provonte atë ndjesi në jetën e tij. -Ku ishe? Pse nuk të njoha… -belbëzoi ajo, me zë të dridhur. -Aaaa, qofteee, vendos tani, pse më njohe apo pse nuk më njohe? -e ngacmoi ai duke qeshur dhe ngriti dorën më lart, duke i përkëdhelur lehtë belin deri tek shpatulla. -A si nuk ndryshove një herë o buf! -ia ktheu ajo dhe iu var në qafë me të dyja duart. Dukeshin si adoleshentë që luanin lodrat e munguara të moshës, nën muzikën e dallgëve të lehta të detit dhe nën dritën e yjeve. Në ajër ndihej gjithkund aromë dashurie, që i perkundte midis ëndrrave të muajve që kishin kaluar dhe dëshirës për të jetuar bashkë deri aty ku ka jetë…
-Dua të bëj dashuri, -i përshpëriti ajo me buzët thuajse të puqura… -Tani?- e pyeti ai me një zë prej fëmije. I erdhi të dyve të qeshur, por para se të ndodhte kjo, buzët u puqën sërish. Përhere, thuajse çdo natë, kish qenë ai që ja thoshte nën ndjenjë, “dua të bëj dashuri”. Dhe perhere, si për ta ngacmuar e provokuar pa hile, ajo i përgjigjej me atë fjalë-pyetje; “tani”? Kësaj radhe, për herë të parë, rolet kishin ndryshuar. -Dua të bëj dashuri… -belbëzoi sërish Marla. -Dua të bëj dashuri… Tashmë ajo ishte e bindur. Do të shkonte pa frikë edhe në fund të botës me atë njeri…
 
Janar 2022

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s