Vasil Simonenko
Kalendari poetik: Vasil Simonenko (1935-1963)
U lind më 8 janar Vasil Simonenko ((Василь Симоненко), poet, gazetar dhe pjestar i lëvizjes disidente ukrainase. Në vitin 1957 kur punonte si gazetar në Çeçeni, raportet e KGB-së e cilësonin “jo-bashkëpunuese” sjelljen e tij dhe bënë çmos t’i hiqnin të drejtën e botimit dhe kështu u detyrua shumë prej shkrimeve t’i nxirrte jashtë shtetit me ndihmën e miqve, por shkrimet që ranë në duart e spiunëve u zhdukën. Në vitin 1962 bashkë me dy miq pati zbuluar vendin ku varroseshin viktimat e KGB-së. Kjo gjë e sosi durimin e shtetit kriminal. Më 13 dhjetor një grup prej disa agjentësh të KGB, me tesha civile e kapën në një stacion treni dhe e rrahën për vdekje. Vdiq pas disa orësh në spital nga plagët. “Dora e ngrohtë” shënoi në kartelën e spitalit “vdekje nga kanceri”. Ja një poezi e poetit martir:
LESJA UKRAÏNKA
Seç i bie violonçelit kjo erë,
Mbi dritaret gishtat akull pa kujdes,
Ti krejt vetëm, në një shtëpi të mjerë,
Përkulur, ëndërruese mbi tryezë.
Si një skllav i heshtur përmbys mbi një shkëmb,
Betejat dhe fitoret e mbretit gdhënd,
Ti mbi letër hedh vjershat më të reja,
Dete të tërë me të trishta ndjenja.
Vajz’e sëmurë, netëve të shurdhëta
përjetësi u jep fjalëve të prushta,
Profetike për shekuj drite që vijnë,
Deri sa të përmbysin frone të zinj,
Derisa të ngrejnë shpejt, sa më parë,
Legjione Spartakësh të rinj fitimtarë.
shënim: Lesja Ukrainka është pseudonimi i poetes ukrainase Larysa Petrivna Kosaç-Kvitka (1871-1913) mbështetëse e pavarsisë së Ukrainës.
© shqipëroi Maksim Rakipaj