Poezi nga Myrteza Mara

 
Poezi nga Myrteza Mara
 
 
PSE VONOHESH
 
Po ti përse vonohesh kaq shumë,
nuk i dëgjon zilet e orëve të mbrëmjeve?
Natën edhe urat verbohen mbi lumë
yjet orkestrojnë uverturat e këngëve.
 
Në odën e pritjes janë shtruar pikëpyetjet,
vonesa si një dritare e thyer në dimër.
Po ti eja, eja, duhet të nisesh patjetër,
nuk dua të vish siç erdhi Doruntina.
 
Pemët s’po marrin frymë, zogjtë në koma
po ti përse vonohesh kaq shumë?
Eja sa mjegulla nuk ka pushtuar botën
dhe bota s’është përmbytur në gjumë.
 
Mos pi ujë nëpër burimet shtegëtare,
ku ujqët synxehtë padisin qengjat.
Eja, të pres nën vesën e luleve të majit
bashkë me zjarrin e violinës së bilibilave.
 
Përse, përse mendohesh kaq gjatë?
Eja se u lodhën akrepat e orëve.
Dhe hënën e zuri nata jashtë
me dritën xheloze të meteorëve.
 
Eja, siç vijnë dallgët e nxehta drejt bregut
dhe shuajnë etjen me puthje kanibale.
Eja, se edhe të duam nuk kemi jetë tjetër,
madje, atë tjetrën, unë nuk e besoj fare!
 
 
KËNGËT E POETIT
 
Ah, këto këngët e poetit, si fole zogu në shkëmb
Vijnë përlotur duke qeshur, shërojnë plagën që më dhemb!
 
Kënga-shpirt, lot i diellit, psherëtim e ndezur zjarr
Pasqyrë si kristal i qiellit, ëndrra me vello të bardhë!
 
Ju që dini të këndoni, ju që këngën keni shpirt
Hapni zemrën e poetit, nuk ka çmim, ka veç dritë!
 
Është shpirt i endur muzë në tezgjahun e çdo ëndërre
Rrënj’e fjalës mbirë në buzë, është vallja e çdo kënge!
 
Ju që zjarrin keni mall mos kërkoni vatër tjetër
Vetëm kënga është zjarr, zjarr nga shpirti i poetëve!
 
Loti i nënës, lot i syrit e gjen veten në çdo varg
Është fllad i ngroht i gjirit, guri me rrënjë në prag!
 
Dhe ju vajza, oh ju vajza, tërbim i syrit të detit!
Ju që dallgët i bëni varka, dehur nga këng’e poetit!
 
Ju sirena, ju dhe nimfa nëpër dridhmat e tërmetit
Dhe aty ku mungon drita ndriçojnë yjet e profetit!
 
Udhët tona nëpër mote nëpër këngët e kësaj jete
Janë sa pesha e kësaj bote, janë sa brengat e poetëve!
 
Kur koha pikon gjak dhe kur tymi mbulon diellin
Ndez poeti këngën flakë, vetëtimë piskam e qiellit.
 
Edhe fjala, dhe bekimi mbajnë aromë poezie
Kënga është firmë betimi është frymë dashurie!
 
 
TË KAM BORXH
 
Ti që mbive në ëndrrën e poetit,
Nga ç’rrugë erdhe, nga cili shteg?
Ti, me atë zemër si dallg e detit,
Me kurorë shpirtit më bëre mbret!
 
Ti që ndeze një shkëmb, një mal,
Ti që zbute një qiell me trishtim
Thuaj: ku e gjen gjithë atë zjarr
Mos vallë je motër me Perëndinë?!
 
Ti që më shlodh duke të dashur,
Ti që ngazëllen dhe yjet ziliqarë,
Ti, e mira ime, më bëre të pasur
Dhe vitet gri m’i veshe me ar!
 
Ti që m’i blerova të tëra këngët
Të kam borxh dhe në jetën tjetër.
Në iksha do të të le ëndrrën
Dhe shpirtin e shkruar të poetit!
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s