Poezi nga Odise Kote
ATJE MUND T’I KUJTOJ QË TË GJITHË …
Atje mund t’i kujtoj që të gjithë,
sepse bëmë diçka që s’e kishim bërë kurrë.
Shkundëm një pemë për të parë
se ç’do të binte në tokë,
Nga qartësia siderale e ditëve të mbetura.
Atje mund t’i kujtoj që të gjithë,
Pasi zëri i njeriut është ndryshe
nga zhurmat e tjera,
Pëshpërima dëgjohet e dallohet lehtësisht
Nga fishkëllima e gjethes dhe ujërave të nëndheshme.
Atje mund t’i kujtoj që të gjithë,
Frikën që shkon rrotull dhe kohën që është fat.
Mbase natyra na bëri pjesë të vetes
dhe ne u bëmë urtësisht netë të bardha,
pulëbardha drite janari …
Atje mund t’i kujtoj që të gjithë,
Ishte dashuri si përmbytje dhe s’mundëm
t’i thoshim mjaft!
Përdore na çoi ku deshi …