SENDI I NDRITSHËM NË DET / Tregim nga Vullnet Mato

 
Tregim nga Vullnet Mato
 
 
SENDI I NDRITSHËM NË DET
 
Deti jehonte nga dallgëzimet e lehta. Era që turrej nga Kanali i Otrantos, për të rrahur brigjet shqiptare, na freskonte shpirtin. Sytë tanë mbeteshin te vaporët e mëdhenj turistik, që përshkonin herë pas here ngushticën e Korfuzit dhe ngjanin tamam si ishuj lundrues të bardhë. Bota e madhe e panjohur prej nesh, lëvizte plot gjallëri. Por edhe krejt shpërfillëse ndaj kufijve të hermetizuar, ku dergjeshim ne duke dëgjuar rënkimin e dallgëve që vdisnin nëpër shkëmbinj. Ishte koha kur lejohej që rrethimin e telave me gjemba ta kalonte vetëm ajri dhe rrezet e diellit.
Në verën e nxehtë të vitit nëntëdhjetë ndodhesha në Sarandë, për të shijuar ca ditë plazhi me tim vëlla. E shtynim ditën të shtrirë nën një çarçaf të bardhë të lidhur në të katër cepat mbi katër hunj, te pllakat matanë kodrës së qytetit. Kuvendonim për poezinë dhe lexonim krijimet e njëri-tjetrit. Dhe ja, papritmas, sytë gri të vëllait, dalluan rreth shtatë – tetëqind metra larg diçka të ndritshme, të hedhur nga turistët e trageteve. Dallgët po e shtynin drejt nesh, por gjëja e huaj, që kishte guxuar të hynte në kufijtë tanë të rreptë, po vinte mjaft ngadalë. Kur pamë se sendin e ndritshëm po e shtynin dallgët në drejtimin e qytetit dhe mund të na shpëtonte, u turrëm me not për t’i prerë rrugën…
Mirëpo, duke nxituar notin me pashë, u lodhëm aq, sa mezi merrnim frymë. Më në fund arritëm ta kapim dhe pamë me kënaqësi se ishte pikërisht nga ato shishet plastike, njëlitërshe e gjysmë, të pijeve freskuese që përdorte bota perëndimore. Prodhime fare të lehta, të cilat shfaqeshin rrallë në duart e disave që kishin dalë jashtë shtetit dhe krenoheshin duke i mbajtur me ujë nëpër plazhe. Ato sfidonin përdorimin e shisheve të vendit prej qelqi të rëndë, me atë ngjyrën jeshile nga materiali ranor i papastër. Pasi e kundruam si një dhuratë qiellore, duke e kaluar shpesh te njëri-tjetri gjithë kënaqësi, filluam të kthehemi me të në duar. Por kishim harruar, se distanca e nisjes dyfishohej me kthimin. Dhe shpejt filluam të ndjejmë lodhjen e tejrënduar. Bregu tani dukej me kilometra larg dhe mbytja në det gjendej fare afër.
Si më pak i stërvitur me detin, pas disa lëvizjeve me pash, fillova t’i ndjej krahët krejt të këputur dhe i thashë vëllait:
– Kaq e pata, jam lodhur tmerrësisht e nuk lëviz dot më tutje. A mund të mbështetem pak tek ti?…
– Kthehu në shpinë, se jam i këputur për vete! – tha ai gjithashtu tepër i lodhur.
U ktheva në shpinë dhe qëndrova disa sekonda pa lëvizur. Frymëmarrja më ishte vështirësuar dhe pas pak ndjeva se këmba e majtë po më mpihej.
– Vëlla, më zuri cërma këmbën! – thirra i mposhtur ca më tepër nga paniku.
Ai m’u afrua pa e lëshuar shishen bosh nga dora dhe ma vuri poshtë barkut, për të më lehtësuar paksa me atë pak ajër që kishte brenda shenjtëria plastike e saj.
– Mbahu! – më dha kurajë duke më ndihur edhe me dorën e tij. Por shpejt e tërhoqi, se po ç’ekuilibrohej për vete.
Duke vërejtur se isha ende mjaft larg bregut, më hyri frika keq. Hodha sytë në largësinë e kodrës, por nuk dukej asnjeri. Hej dreqo punë, mendova, të humbasësh jetën për një shishe bosh! Po të rrezikoheshim diku afër, mbase do të kishim njëfarë shprese te ndihma e ndonjë njeriu, që mund të na dëgjonte thirrjet e të afrohej me not. Por kaq thellë!…
U mbusha me frymë dhe zhyta kokën në ujë, për të ecur disa metra me fundosje, që të mos më pengonin dallgët. Pamja e bregut filloi të më errësohej dhe pata ndjesinë, se pikërisht tani nuk mund ta përballoja lodhjen më tej. Por njeriu gjithmonë paska disa rezerva të fshehta në organizmin e vet, të cilat i shfaqen në çastin, kur ndjen se ka mbaruar tërësisht. U ktheva vertikalisht, duke menduar se mund të cek fundin e detit, por ishte ende shumë thellë dhe piva ujë. Pastaj bëra edhe një herë fundosje të gjatë dhe diku më tej, me shumë mundim kapa mbështetjen e tokës. U gozhdova aty me kokën mbi ujë, duke dihatur aq thellë, sa po më çaheshin mushkëritë.
Vëllai gjithashtu tepër i shqetësuar gjendej pranë meje, krejt i zverdhur në fytyrë. Në sytë e mi ai u pasqyrua si një kokë prej limoni. Së fundi dolëm ngadalë, duke u zvarritur si fokat dhe qëndruam përmbys te pllakat e shkëmbit, pa folur për gati gjysmë ore. Shtypa barkun përmbys sipër shkëmbit dhe volla ujë të kripur disa herë.
Kur e mora veten paksa, vura re se vëllai nuk e kishte lëshuar ende shishen plastike nga dora. Ai e rrotullonte dhe e studionte me kujdes. Pasi u mendua një grimë, duke e përkundur nëpër duar me dashuri prindi, më tha:
– Këtë s’kemi si e ndajmë, po merre ti që desh u mbyte për të…
– Mbase ti e ke shumë qejf!… – thashë pa vetëdije.
– Këtu jam, mund të hedhin vaporët ndonjë tjetër, – tha me bujari.
E falënderova me kënaqësi. Dhe pasi shkuam në shtëpinë e tij e vura në vendin më të mbrojtur të valixhes sime të teshave që të mos shtypej. Kur e çova në shtëpinë time, gruaja u gëzua, si për një dhuratë të madhe. E mbushi me ujë dhe e vuri në vendin më të dukshëm të bufesë. Për të ekspozuar sendin e rrallë për ne, por krejt pa vlerë për ata që e kishin hedhur të notonte në detin e varfërisë shqiptare.
E kam ruajtur dhe do ta ruaj për shumë kohë atë shishe plastike, me të cilat janë mbushur e ndotur kanalet e rrugëve nga skaji verior, deri në fund të Shqipërisë. Që të kujtohem t’u tregoj nipërve dhe mbesave; “Për punën dhe jetën tonë si proletarë në rrethim”. Për përdhosjen e dinjitetit të njeriut, në mbledhjet marramendëse të kolektivit, Për zboret “me një dorë te kazma dhe tjetrën te pushka”. Për gatimin kundërmonjës në wc. Për dushin tymues me vajguri. Për tallonat varfanjak të ushqimeve. Për radhët e gjata të qumështit, në pesë të mëngjesit. Për boshllëkun e frikshëm të rafteve në dyqane.
E ruaj sepse nga të gjitha qeniet e gjalla të kësaj bote, njeriu paska kujtesën më të dobët. Harron shpejt edhe çfarë hëngri në darkë. Harron si ishte ajo e kohë e djeshme, që ia futi të dy këmbë në një këpucë. Harron dhe s’ke si ia mbush mendjen ndryshe, veçse t’i tregosh atë shishe plastike, për të cilën mund të vihej jeta në rrezik…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s