MAGJIKU ZIJA ÇELA GJITHNJË BEFASON / Nga: Sami Milloshi

 
MAGJIKU ZIJA ÇELA GJITHNJË BEFASON
 
Pasi kam lexuar nobelistin Abdylrazak Gurnah me ” Admiring Silence ” dhe tregimet e reja të Haruki Marukamit “First person singular”, kam marrë të lexoj Zija Çelën me ” Thika pa gjak”.
Në faqe të parë Zijai ka shkruar një autograf për mua , a thua se ka hapur gjoksin dhe ka shtruar zemrën e tij. Por kjo është për një herë tjetër…
Me këtë libër, pa as më të voglin dyshim, Zija Çela e dëshmon veten ndër korifenjtë e prozës shqipe dhe, për mendimin tim, e rradhit veten krahas majave të letërsisë botërore. Nuk i përmenda rastësisht Gurnah dhe Marukamin.
E di që kam një dozë dashamirësie të hershme ndaj prozës se Zijait dhe vetë atij si mik për afër gjysmë shekulli. Por kjo, mendoj, nuk më pengon t’ia shpalos vlerat.
Së pari e mbi të gjitha, tregimet e Zija ÇELËS janë një aromë Shqiperie në çdo ind. Nuk janë fotografi, nuk janë skaner, nuk jane radiografi e indeve. Janë vetë indet njerëzore shqiptare të krijuara me mund prej mjeshtrit të fjalës.
Lexuesi e kupton se, kur mbaron se lexuari një tregim të Zija ÇELËS ka ndjerë së rrahuri dy zemra në një të vetme: zemrën e autorit dhe zemrën e njeriut që frymon në prozë. Mjafton të kujtosh tregimin fantastik “Miss luga”, që të ndjesh ashtu siç ndjen shkrimtari për fatkeqin, i cili edhe të ngopë stomakun me bukë e ka endërr.
Unë e quaj magjike prozën e ÇELËS jo thjesht për nivelin e fantazisë dhe të metaforës që e përshkon, sado që edhe këto i ka në një simbiozë tepër harmonioze. E quaj magjik sepse në gjithë regjistrin e vet emocional: dramë, humor, sarkazmë, etj., gjithëherë sublimon diçka hyjnore, që rreket ta fshijë të keqen dhe përpiqet si ajo lulja nën dëborë ta çajë koren e akullit dhe ta nxjerrë kryet e së mirës…
Tregimet “Trofeu”, ” Shuplaka e motrës”, “Banka e ankesave” janë disa prej titujve, por jo te vetmit që do ta dëshmonin këtë që sapo shkrova.
Unë mendoj se magjikja ne prozën e Zija ÇELËS nuk qendron në trillet e rrëfimit, porse ajo është palcë e rrëfimit, diçka që i jep temperaturën, ngjyrën, dritën dhe hijen e fjalës, gjithshka që të rrëmben e të mban pezull siç ndodh me një dashuri njerëzore. Është si të thuash një “Raw food” krejt I natyrshëm, që tretet në vetëdijen estetike të lexuesit, butësisht, pa shtruar kurrfarë pyetjeje banale për mesazhin që përcjell. Sepse Zija Çela as që ka ndërmend një mesazh, kur rrëfen. Për atë, sipas meje, më e rëndësishmja është të zbrazë llavën e vullkanit prej shpirtit të tij, se sa të modelojë mesazhe, qofshin këto edhe “jashtezakonisht të dobishëm” për lexuesin.
Me fjalë të tjera, lexues të ndryshëm janë krejt komodë t’u bëjnë lexime krejt të ndryshme të njëjtave tregime. Është merita e Çelës edhe kjo…
Por nuk dua të keqkuptohem: tregimet e ÇELËS megjithse kanë nje palcë universale, ato janë në të njejtën kohë tatuja e Shqiperisë së sotme. Tregimet emblematike “Koha e qenve”, “Tregtarët e tymit”,” I dyshuari I Samantës” apo ” Zonja e verbër”( sa për të përmendur disa) janë kryekëput pikturë e gjallë shumëngjyreshe e shoqërisë shqiptare në postdiktaturë, apo në autokraci. Në këtë vështrim, jam i mendimit se Zija Çela (jo vetëm me këtë vëllim me tregime, por edhe me gjithë korpusin e romaneve të tij ) i ka dalë borxhit me shumë se kushdo tjetër shkrimtar shqiptar ta gdhendë monumentin e kaosit të tranzicionit. I perket kritikës letrare të ndalet imtësisht në detaje…
“Thika pa gjak”, sikurse e thotë edhe titulli metaforik, është ndërkaq një simfoni Vivaldi ku shfaqen të ” katër stinët” e gjuhës shqipe me intonacionet më të mrekullueshme të saj. Mjeshtër i fjalës , Zija Çela na shetit me frazën e tij elegante gjithkund, me të gjitha mjetet moderne të udhëtimit, aty ku burojnë emocionet. Shpesh herë, madje, edhe me ciklin e tij të Horoskopit që, si një cikël prozash poetike, na fton për Shpresë dhe mirësi.
Dhe për t’i mbyllur këto pak radhë, dëshiroj të theksoj se një prej veçorive më dalluese të prozave të Zija Çelës është se lexuesi
dhe shkrimtari janë në një hierarki horizontale, krejt te barbartë me njëri-tjetrin, ndërsjellshëm të dobishëm për njëri-tjetrin, ashtu siç janë rrënjët e pemëve dhe dheu.
Zija Çela i bën lexuesit një transfuzion gjaku falas me ” Thika pa gjak”. Lexojeni miq dhe shpresoj të më jepni të drejtë.
 
Botuar në Gazetat: Telegraf dhe Nacional 
 
Nga: Sami Milloshi
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s