Poezi nga Leoreta Xhaferi
Ah nënat!
Ja dëgjoj hapat në korridor
Fjetur pa fjetur nëna u zgjua,
Me mashë e dru merret tani
Do të ndezë zjarrin për mua.
Dritares jashtë dimër i egër
Gjithçka e ngriu, ujë s’ka pikë,
Në oborr doli të marrë dru
Akullin nëna nuk e ka frikë.
Më pas bën kafen e saj me filtër
Mësuar nga djemtë në Amerikë,
Në telefon i thërret me rradhë
Duke qëruar mollë me thikë.
E mbylli nëna dhe një ditë tjetër
Shtratit i shkon por gjumë s’ka më,
Me shpirtin ndarë në kaq shumë copë
Emrat e bijve thotë një nga një.
Lori XH 26. 01. 2022