Poezi nga Bilall M. Maliqi
NË PORTËN PA NUMËR
Para se të troket pleqëria
Në portën e përhirtë
Pa numër
Përpiqu ta gjesh udhën
Për të trokitur
Përmes ndjenjës së thinjur
Atë çast
Le të jetë heshtje
Flasim
Përmes syve të përlotur
Para se të na gjejë pleqëria
Fshehur
Qoshqeve të pluhurosura
Të përqafohemi
Qoftë përmes ëndrrave
Të bukura rinore
Pastaj…
T’ia ngrisim dashurisë
Së mbyllur në grusht
Një ngrehinë përjetësie.
FRYMA IME
(Më) ngeli (veç) një frymë
Për të arritur cakun
(mos qoftë frymë e fundit)
Aty ti derdhi ca vargje
Siç e shkund dergjen i sëmuri
Frymë(zim) që ndan idhtësirën
Nga ëmbëlsira
Dhe tremb ato ëndrra fatkobe
Pastaj…
Me dorë t’i shtypi fjalët
E mbledhura
Në sheshin e heshtjes
Fryma ime
(mos qoftë e fundit)
Një ditë
Do ta grimcojë në hapësirë
Edhe Asfiksinë e vdekjes.
FSHEHTËSI E ZBULUAR
Ajo erë shkundi pluhurin
Që kishte mbuluar ca fshehtësi
Për të zbuluar shkronjat
E mbyllura në kovertë të hirtë
Pastaj hijet me syze
E pa syze
Lexojnë çfarë shkruhet
Brenda tekstit të harlisur
Tanimë gjithçka shihet
E nuk fshihet
S’ka më mbyllje
As fshehtësi
Nëpër hullit e rudhura të kohës.