Jan Skácel
Kalendari poetik: Jan Skácel (7 shkurt 1922 – 9 nëntor 1989)
Sot, më 7 shkurt, në Çeki përkujtohet 100 vjetori i lindjes së poetit çek Jan Skácel, i vlerësuar si njëri nga poetët më të mirë të gjuhës çeke. Poezitë e tij përmenden në librin “Injoranca”, të Milan Kunderës. Kundërshtar i regjimit komunist, u detyrua të largohej nga drejtimi i revistës letrare ‘Host do domu’ (Mik në Shtëpi), të cilën e drejtonte qysh nga viti 1963 dhe për dhjetë vite me radhë iu hoq e drejta e botimit; por gjithsesi shkroi dhe botoi sipas sistemit “samizdat” të disidentëve rusë. Nuk pranoi të largohej nga vendi edhe pse oferta për të punuar në një revistë gjermane do të tundonte cilindo; gjithsesi, në ish Çekosllovaki nuk janë varur, pushkatuar ose burgosur poetët disidentë, si në Shqipëri. Eksperimenti me sistemin më të ashpër socialist u krye vetëm tek ne, prej vampirit enver hoxha dhe “shtojzovalleve të Partisë”, si qesëndiste i madhi Lasgush poetët e oborrit. Ja njëra nga poezitë që kam nga poeti çek:
POEZIA
Heshtjen kemi ashtu si fëmijët kanë ftohtë
nuk dihet prej sa e sa kohësh
e shtyjmë duke nxjerrë shfajsime
dhe plot të tjerë do të gjejmë më pas
Jemi si një qepje e shqepur në errësirë
dhe ç’na sjell e ardhmja nuk dimë
Jemi si shiu që shkon përpjetë
dhe kthehemi mbrapsh e biem në çastin
kur e vërteta është gishti mbi buzët.
© shqipëroi Maksim Rakipaj
Nice post