Poezi nga Arjola Zadrima

 
Poezi nga Arjola Zadrima
 
 
***
 
Çdo ditë përpiqem me skalitë
në trup një ,TI,
prej syve,
mishi e gjaku.
Nuk e di.
Ndoshta due me të përzhitë
aq mirë ndoshta s’di, por due diçka tanden
me mishin tem me e përzi,
disi.
E një lloj instrumenti i bij
deri që flakët më përpijnë.
 
Ti sidoqoftë, rri,
shih si digjet çka s’mbaj mend,
do gaca tash ti ruej në hi
sa me ta ndezë nji zjerm
në zemër
mrendë
e digju.
 
 
***
 
Më bjen me ecë
në rrugët boshe të këtij qyteti
që struket herët
në grahmat e dimnit.
Kisha dashtë të ecnim për dore
tuj shiju ritmin
e avashtë të hapave,
dritat e vokuna
e freskinë që të nginë n’frymë.
Unë jam e heshtun
ti më thu, e dashtun.
Jam e thellë
e ti s’ke frikë se mbytesh
në dallgët e mia.
Unë mundem me kenë
andrra e nji nate të tanë
ti vdes më andrrue.
I marrë!
Eci kadalë e qeshi
se nuk mundem me të kallzu
sa beteja më njehin vitet
sa lodhje mban shpina
sa dimna mbartin supet.
Veç qeshi në mujsha
me e ngjallë shpirtin
që më rrin ndër dhambë
veç më të dashtë…
 
Se çdo natë më vjedh nga pak
ky qytet që e marr rrshanë.
 
 
***
 
Unë të kam dashtë,
ma së shumti atë ditë
kur mi ktheve krahët
e nuk renda mbas teje.
Gjithçka ra ,
kalaja jeme u shemb
e jo natën pra,
bota u plandos
e ndër kambë më kishte shku
krenaria.
Unë të kam dashtë marrisht
ndrysh s’kisha si me ta njohë aromën
mes mija tjerësh,
të betohem në asnjë burrë tjetër
s’të kam gjetë
veç netëve të gjata,
a ndonjëherë nëpër andrra.
“Unë të kam dashtë “
kaq bukur e kam mësue
këtë refren
sa ma lexon kudo.
Nën këmishë,
në qafë,
nën gjoks.
Se sa herë ti zhdukesh mes turmës
mjekoj plagët,
por të lutem shko pa e kthye kryet
e më len si një letër dashniet
e papostueme,
se unë të kam dashtë
o puthje e paharrueme.
 
Shko!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s