Dekonspirim letrar i të rezervuarës (Esse analizë rreth romanit “Prognozë e Rezervuar” e poetes, romancieres dhe psikologes, -Ornela Agastra MULLA) / Nga: Raimonda MOISIU

 
Dekonspirim letrar i të rezervuarës
 
(Esse analizë rreth romanit “Prognozë e Rezervuar” e poetes, romancieres dhe psikologes, -Ornela Agastra MULLA)
 
Ornela Agastra Mulla prezantohet rishtas para audiencës së admiruesve, dashamirësve dhe audiencës së lexuesit të letërsisë, kësaj here jo si poete, por me risinë dhe befasinë e një romanciere bashkëkohore.
“Prognozë e rezervuar” titullohet romani i Ornelës, dalë nga Shtëpia Botuese “EMAL” Tiranë. Libri i sapobotuar mbërriti para disa ditësh tek unë, bashkë me një autograf të nënshkruar nga vetë autorja, autograf që tregon lidhjen e herëshme, të fortë dhe unike mes nesh, lindur, rritur dhe ecur ndër rrugët me kalldrëm të lagjes sonë, e cila quhet: “Lagja e Iljas Bej Mirahorit të Madh ose thënë ndryshe, “Lagja e Xhamisë”. Por jo vetëm kaq! Të dyja kemi qenë edhe kolege të gjuhës së huaj në shkollat e qytetit tonë të bukur, Korcës. Botimi i një vepre letrare, qoftë me poezi, roman apo me tregime është përherë nxitje, inkurajim dhe motivim për të forcuar marrëdhëniet mes njerëzvve dhe zhvillimit të intelektit individual, që ekziston midis natyrës, hyjnores dhe shpirtit njerëzor, të përcjella këto përmes rrëfimit artistik, mitikes, reales dhe mendimit filozofik, realitetit të përditshëm vëzhgues dhe analitik të cilat përcaktojnë edhe oringjinalitetin e botës sonë dhe të autores. Që në përzgjedhjen e titullit “Prognozë e rezervuar”, autorja Ornela e sfidon lexuesin dhe e bën atë ta shikojë botën ndryshe, jashtë një bote të fragmentuar në shoqëri dhe egos individuale, kundrejt të fajshmes dhe së pafajshme dhe përkundrejt botës së brendëshme e psikollogjike, përmes moralit e të vërtetës, trazimit dhe komplikimit të ndjenjave.
 
Shkrimtarja Ornela posedon artin mbresëlënës e të rrëfyerit dhe atë të komunikimit psikologjik, depërtimit dhe ndikimit të qartshëm artistik dhe filozofik. Me titullin “Prognozë e rezervuar”, autorja nënkupton energjinë shpirtërore të monologut të ndjenjave dhe përjetimeve, flirton brenda vetes, gjendjes shpirtërore dhe koshiencës së personazheve me detajet e një rrëfimi social-bashkëkohor me bukuri artistike dhe filozofike, ajo zbërthen kontekstin e identitetit dhe mentalitetit njerëzor. Madje Ornela nuk ngurron aspak të dekonspirojë castet e jetës social-ekonomike e kulturore të shoqërisë, si i përjeton dhe gjykon secili prej nesh, nga vjen e ku mendon të integrohesh, porse ajo interkulon me elementët tradicional të vet-dijes njerëzore, dhe kjo e lejon autoren dhe personazhet e veprës letrare të maturohen, të mësohen dhe të rriten me realitetin e përbashkët të përvojave jetësore dhe fatet e tyre njerëzore.
 
Ornela Agastra Mulla përdor mjeshtërisht figurat artistike dhe filozofike, thënje të mëncura dhe autorja ndërton mbi imazhin e tyre personazhet, të cilët vet-paracaktohen dhe vet-karakterizohen ndaj prezantimit intim dhe vetëdijes njerëzore. Jeta funksionon në mënyra misterioze dhe përfshin mistere të mbetura thellë forcës së dashurisë e shpirtit njerëzor, ndërsa humbja e një dashurie mund të jetë e vështirë, porse tejkalimi i të gjitha këtyre pengesave për dashurinë e vërtetë do t’ia vlente deri në fund.
 
Autorja Ornela na rrëfen strategjinë për të jetuar e mbijetuar, dhe ajo e bën këtë lojë rrëfyese nëpërmjet të shprehurit artistik dhe filozofik, përmes mitikes, psikikes dhe reales, dhe përmes rrëfimit dhe ndjeshmërisë të realitetit e surrealitetit në të përditshmen e udhëtimit të lumtur e të trishtë të jetës.
 
Është një roman bashkëkohor dhe struktura e librit është ndërtuar dhe e mirëkonceptuar në 15 –ë kapituj kronologjike, frymëzuesë e letrarë, dhe krejtësisht intelektual. Kapitujt dhe ngjarjet që zhvillohen në to, janë të koordinuara mjeshtërisht dhe ato përcillen përmes rrëfimit të personazheve kryesorë dhe personazheve të tjerë, por që autorja i mban të lidhur edhe me lexuesin, duke na rrëfyer kështu edhe anën tjetër se dashuria është gjithmonë e dhimbëshme, e bukur dhe mëkatare me kompleksitetin e shpresës dhe krenarisë. Ornela zhbiron dhe “shfrytëzon” me ndjenjë dhe delikatesë ngjyrat e ndjenjave dhe impulsivitetin njerëzor të sfidave, fateve dhe jetës së personazheve.
Teksa lexon secilin kapitull vemë re se gjatë rrëfimit ndjehesh tejet i/e impresionuar rreth personazheve që janë autentikë dhe sfiduesë, ndërsa rrëfimi për fatet e tyre njerëzore nga kapitulli i parë deri tek i fundit është mjaft tërheqës.
 
Jerina Bogdani është një grua e bukur, e fortë, unike, dhe inteligjente me profesion mjeke kardiologe, gjithashtu ajo prezantohet edhe bija e një mjeku mjaft të njohur në vend. Jerina është heroina kryesore e romanit dhe historisë së dashurisë me Enea Danajn, me të cilin u njoh në auditorin e universitetit, e dashuronte atë dhe i besonte vetëm atij, ajo jetonte me ëndrrën që një ditë do të ishin përjetësisht bashkë! Enea Danaj një personazh liridashës, me karakter tejet njerëzor, tradicional, guximtar dhe i sinqertë, që ndjek zemrën e tij dhe respektonte të dashurën dhe të tjerët. Dashuria e Jerinës së bukur dhe Eneas, djaloshit i erdhur nga zonat rurale dhe rritur nën kujdesin mëmësor dhe në mungesë të pranisë së babait, porse dashuronte jetën dhe njerëzit, është një rrëfim i mrekullueshëm me qëndrim të fortë ideo-emocional dhe një histori njerëzore, interesante dhe intensive dashurie. Jerina dhe Enea bien thellësisht në dashuri dhe mbështesin njëri-tjetrin, edhe pse të dy e dinë se lidhja e tyre është sfidë e fortë, por ata vendosin të rrezikojnë bashkë, madje edhe duke mos u përpjekur fare, vecse kur ata e gjejnë veten të kapur në dashurinë e heshtur që lindi mes tyre. Ornela zbërthen mjeshtërisht botën e brendëshme dhe të jashtëme të cilat mbajnë lidhur lehtësisht personazhet, Jerinën dhe Enean me dobësitë dhe të mirat e tyre dhe autorja na përcjell metamorfozën e kompleksit të emocioneve se besimi dhe shpresa janë drita jeshile për ëndrrën, mundësitë dhe alternativat që të ofron jeta, qofshin ato edhe të parëndësishme në dukje, por nëse përpiqesh t’i realizosh, hera-herës ato kanë ndikimin e tyre në të ardhmen. Përkundrazi, të padrojtur dhe të guximshëm ata i treguan gjithkujt për dashurinë e tyre, duke testuar kështu jo vetëm besimin e njëri-tjetrit, porse edhe besimin e prindërve dhe të njerëzve që i rrethonin. Autorja Ornela penelon personazhe të paharrueshme dhe sjell në vëmendje alegorinë e së kaluarës në lidhje me të tashmen në kontekstin gjeografik dhe njerëzor historik të lidhjeve dhe marrëdhënieve njerëzore, të artit të komunikimit dhe vet-transformimit që pëson njeriu brenda vetes kur dashuron.
 
Romani karakterizohet nga lirizmi dhe shpalosja e ndjenjave të holla njerëzore; romancë, tradhëti dhe inteligjencë që evoluojnë brenda një kornize përgjithësisht psikike dhe reale për cështjet e kompleksitetit të identitetit, prezantimit intim dhe komplikimit të ndjenjave, për shqetësimet e personazheve të veprës nën vëmendjen letraro-artistike të autores, duke shfaqur kështu vizion e saj udhërrëfyes bashkëkohor.
 
Autorja sjell në vëmendje personazhin e Rina Danajn, si pjesa më dominante e njerëzores në roman. Ornela paraqet me hollësi karakterin e një vajzë të re, në të tetëmbëdhjetat, e bukur plot ëndrra e shpresa, porse ka lindur me problem të crregullimit kardiak, c’ka do të ndryshojë rrjedhën e jetës të Rinës, Jerinës, por edhe të prindërve të saj.
 
Autorja Ornela ndërrthur fort bukur linja të ndryshme në retrospektivë dhe në kohë të cilat plotësojnë njëra tjetrën, ajo zbulon sekretin e ngjashmërisë të emrit të “Rinës” me Jerina Bogdanin, paraqet arësyet pse Rina është në dilemë për ëndrrat e saj, si edhe ato linja që paraqesin jetën intime të personazheve brenda realitetit të kohës kur zhvillohet ngjarja, përplasjes së mentaliteteve dhe brezave.
Ornela sjell edhe një personazh tjetër, atë të Marjana Kananit, personazh interesant, egoiste dhe me komplekse të ndërlikuara, e etur për praninë mashkullore, si linja më intensive dhe e rëndësishme e romanit, duke i dhënë audiencës së lexuesve edhe një arësye më tepër për ta lexuar romanin e saj. Autorja e konsideron kohën si qënje njerëzore në tokë dhe ndërton karakterin befasues të Marjanës, e cila në emër të narcizmit, përfitmit moral dhe material, të parasë, egos dhe urisë seksuale lëndon dhe sakaton dashurinë dhe shpirtin e trazuar të Eneas dhe Jerinës. E tillë është Marjana që simpatizon dhe dashuron në vetminë e saj Enea Danajn. Ajo mendon se si ta shkëpusë atë nga Jerina, dhe ta bëjë për veten e saj.
 
Ajo fillon të shtiret dhe manipulojë në disa linja; me argëtim, romancë, tërheqjen dhe energjinë e urisë seksuale të moshës, përpos egoizmit supernatyral, trillit, tekës dhe ambicjes që e karakterizon, për ta shkëputur atë( Enean) nga Jerina Bogdani, nëna e tij dhe familja, komplekse këto të karakterit të saj.
Ornela na jep me inteligjencë dhe elokuencë mpleksjen e idesë së egos dhe konceptit social, moral dhe seksual, duke realizuar e potretizuar një personazh me kompleksin e emocioneve kondradiktore që e mbajnë të lidhur Marjanën dhe Enean.
 
Abuzimi me seksin është përherë manipulim joshës, plot ankth, pasiguri dhe i frikësuar nga rrethanat, që do të verë në rrezik lidhjen e Eneas me Jerinën, deri në ndarjen përfundimtare të tyre. Tashmë të gjithë e dinë atë cfarë ndodhi me historinë e dashurisë mes Jerinës, Eneas dhe Marjanës, por të paktë ishin ata që dinin të vërtetën e asaj historie. Askush nuk e dinte se cfarë ndodhte brenda botës shpirtërore të Jerinës dhe Eneas, se ndarja i ndryshoi dhe u dha një mësim më tepër si të jetojnë në të ardhmen. Të dy personazhet kryesore Enea & Jerina, pësojnë ndarjen e shpirtit binjak, martesa e detyruar por aspak e dëshiruar e Eneas me Marjanën pësojnë ndryshimet e papritura dhe të dukëshme që sjellin divorcin mes tyre dhe jetën në emigrim të Eneas dhe fëmijëve. Nga kjo martesë e kushtëzuar lindin dy krijesa tejet të dashura; Rina dhe Klejdi.
 
“Prognozë e rezervuar” portretizon edhe një histori të beftë dashurie kaq të ëmbël, të sinqertëë, e maturuar dhe pozitive, sa që i kalon caqet e krijuara në atë të kaluarën ironike; njohja, dashuria dhe martesa e Jerinës me Robertin, është një histori epike dashurie që përcjell ndjesinë e vazhdimësisë së jetës dhe ekzistencës së saj mes dy realiteteve dhe forcës së shpirtit njerëzor. Por Jerina prej kohësh ka mësuar të jetë e forte, që nga dita kur Enea e braktisi dhe vdekja e papritur e Robertit, tronditi rëndë fatin e saj. Ajo vazhdoi të luftojë e të jetojë, të rrisë dhe të edukojë dy fëmijët e saj, Erikën e Dionin, me dashurinë e forcën se ata janë e vetmja mrekulli që i dhuroi Roberti, fati dhe jeta.
Dhe pikërisht në përshkrimin e personazheve realistikë me sens të hollë artistik-filozofik dhe delikatesë femërore përkundrejt vëshgimit të situatave e ngjarjeve në kohë, të cilat pasurojnë subjektin dhe gjuhën e romanit me ide konceptuale dhe kreative, inteligjencë emocionale dhe shpirtërore.
 
Në kreun e fundit të romanit, Ornela gjurmon alegorinë e së kaluarës me të tashmen, duke vendosur në plan të parë aromën e dashurisë së parë, brenda së cilës ajo qëndronte “e rezervuar” në heshtje, e bukur dhe krenare, dashuri që nuk mund t’i shpëtonte dot kujtimeve, që ishin më të forta se ndjenjat, këtu autorja Ornela vë në dukje të vërtetën e dashurisë dhe moralit në jetë. Ajo që është më interesante në lidhje me personazhet e tjera, të cilët pasojnë në të gjithë romanin, ata dhe autorja jetojnë me fatin njëri-tjetrit me episode krize identeti dhe fatesh njerëzore, që autorja i gërsheton ndjeshëm me pasazhet e tjera dhe bashkëbisedimet me seriozitetin e marrëdhënieve mes vedit dhe karaktereve. Ornela portretizon mjeshtërisht sfidën e mjekut të njohur dhe mjekes kardiologe Jerina Bogdani, për të bërë më të mirën në emër të dashurisë dhe për të ruajtur dinjitetin njerëzor në një botë të pandershme e mbytur nga pikëpyetjet ekzistencialiste që autorja depërton për të treguar të vërtetat, sado të fshehta të jenë ato.
Herë të thella e herë të shpenguara, kujtimet janë historia e njerëzve të zakonshëm me ambicjet morale e sociale të ndrojtura, për shërimin e botës nga “Karma” për të konturuar mendimet e thella dhe shpresat e fshehta të së ardhmes. Dhe së fundi, Poetja, Romancierja dhe Psikologja, Ornela Agastra Mulla, me personazhet e romanit dhe fatet e tyre njerëzore do të prekin vijën e fitorës në “fushëbetejën”-e jetesës e mbijetesës, ekzistencën e dashurisë së “rezervuar” e të shumëpritur që do t’i motivojë personazhet kryesore të qëndrojnë me këmbët në tokën e kujtimeve të injektuara nga respekti, malli dhe me romantikën e bukur të tyre, që edhe përcaktojnë marrëdhëniet e njeriut me to, c’ka na dekonspiron forcën e shkrimtarisë së autores dhe Prognozën e rezervuar të Jetës.
Postcriptum
 
Poetja, Romancierja dhe Psikologe Ornela Agastra Mulla ka lindur dhe është rritur në qytetin e bukur juglindor të dijes, kulturës dhe serenatave, Korcës. Është vajza e një mjeku të njohur stomatolog, dhe nëna e Ornelës ka punuar ekonomiste në një nga ndërrmarrjet industriale të qytetit. Ornela ka mbaruar studimet për gjuhën frënge dhe ka punuar mësonjëse në qytetin e lindjes, më pas mbaroi studimet pasuniversitare dhe u diplomua për Psikologji. Pasioni për poezinë dhe muzikën lindi që në fëmijëri, duke mbuluar këndin letrar të shkollës, në revistën “Pioneri”, më pas në gazetën “Studenti” dhe “Drita”, dhe pjesëmarrëse në aktvitet muzikore. Poezitë e para i ka ruajtur me kujdes të vecantë në ditarin e saj, të cilat njohën dritën e botimit në vëllimin e parë me poezi “Malli nuk ka gjumë”. Ndërsa kësaj here Ornela prezantohet me risinë dhe befasinë e një romanciere bashkëkohore. Aktualisht ajo jeton, punon dhe krijon në emigracion, ekzaktësisht në qytetin Gladbeck të Gjermanisë.
 
Përvecse krijimtarisë së saj letraro –artistike-muzikore, Ornela ushtron profesionin e Psikologes pranë Zyrës së të Rinjve dhe Familjes në Bashkinë e qytetit Gladbeck, Gjermani.
Romani “Prognozë e Rezervuar” nis me dashurinë e Eneas dhe Jerinës dhe përfundon po me dashurinë e e përjetëshme të Eneas, sepse është dashuria ajo që të çon në lumturinë shpirtërore, atëhere kur ajo është dashuri e vërtetë dhe e sinqertë.
 
Raimonda MOISIU
Author/Freelancer
Jacksonville, Florida USA
Shkurt, 2022
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s