Tango / Tregim nga Alba Dajlanaj

 
Tregim nga Alba Dajlanaj
 
 
Tango
 
Vetëm kur ndaloi përpara pallatit të operas e kuptoi që rrugën e kishte bërë me vrap. Në kokë mendimet për të e kishin bërë të dyfishonte hapat, të kapte minutat e para të shfaqes. U ndal një hop para pallatit, i cili ndrinte i tëri nga tymnaja e dritave që vareshin si shufra të portokallta në hapësirën e brendëshme të teatrit. Ndjeu frymëmarrjen e tij të shpeshtë, rrugën e kishte përpirë sakaq.
Shkallët i ngjiti dy e nga dy, por butësisht. Në çdo hap që afrohej dëgjonte tingujt ndjellës të Tangos që mbushnin ajrin brenda ndërtesës.
Perdia gjysëm e hapur në llozhën numër nëntë, ashtu siç kishin biseduar, e bëri të ngrinte pak cepin e buzës lart. Lëvizi lehtë perden për ti bërë shteg shikimit. Ajo qëndronte përhumbur në magjepsjen e lëvizjeve sensuale që ndërthureshin me aq finesë ndërmjet dy trupave. Vështronte anatominë e këmbëve të valltares dhe atë të duarve të partnerit që rrëshkisnin të forta e me muskuj ku ndjehej vibrimi i emocioneve tek mbanin me aq elegancë dhe hijeshi mashkullore vajzën. Ajo kishte humbur aq shumë në atë ritëm lëvizjesh, saqë dukej sikur do të binte mbi duart e djalit dhe të vendoste buzët e saj plot formë mbi lëkurën e tij të djersitur. Në llozhë endej një tymnajë drite e kuqerremtë dhe mimika e saj me atë shikim të butë e melankolik, e trëndafilta e buzëve të mbushura dhe ajo gropëz e vogël në mjekër si liqen i heshtur, lundronte në të me një ëmbëlsi gati të prekshme.
E ngrohtë si erë e jugut, frymëmarrja e saj e goditi si teh i ngrohtë. Ndjeu ti dyfishohej e tija. Mornica të ngrohta e të ethshme iu ngritën deri në gjoks. Me buzët të njoma nga djersa e lehtë, i preku supin e bardhë e të mëndafshtë si të linjtat e saj. Bëri një buzëqeshje që iu shpërnda në fytytrë dhe e mbajti atë për disa çaste ashtu të nderur si ato fytyrat e ëmbla të statujave të lashta që çmohen shtrenjtë vetëm për atë buzëqeshje. Shikimi i qeshur u shpërnda si parfum në atë hapësirë të ngushtë llozhe por që për ata të dy kishte qenë gjithmon aq komode për aq intitmitet sa i ofronte. Tangoja e kishte rrëmbyer të tërën, ritmi i saj i kishte gozhduar shikimin. Ia njihte mirë atë shikim, përdëllyes, fëminor, miklues, në të gjitha herët që e çonte në shtrat dhe në vesh i pëshpëriste ëmbël – a luajmë një tango?
-Po zemër, madje plot passion.
Tangoja arriti kulmin, tingujt pushtuan sallën. Iu afrua më pranë e puthi në atë shtegun e ngushtë pas veshit. Ajo u drodh lehtë dhe rënkoi. E mbështolli me krahët e tij si në një tango, ndërsa ajo nuk ia ndante sytë çiftit në skenën plot dritë që dukej sikur merrte flakë nga ajo tango. Trupat e tyre sensual krijonin gjarpërushe të forta. Të nxehur nga lëvizjet e shpejta ashtu si në një shtrat ku dy trupa kapërthehen dhe humbasin në ekstazë. As më shumë as më pak kjo tango e dërgonte netëve të nxehta ku çarçafët e bardhë të shtratit merrnin flakë nga rënkimet dhe puthjet e tyre.
Salla sikur valëvitej nga elektrizimi i tangos epshndjellëse. Prekja e duarve të tij e bëri të drthëronte përsëri.
-Të prisja- foli ajo, dhe ndjeu kokën e tij të mbështetej në sup. Si ujëra të nxehta, një afsh i ngjitej nga këmbët drejt karaharorit, buzët i digjeshin.
-Më shiko!
-Më ler ta shijoj deri në fund këtë tango.
-Nuk është më e bukur kjo e jona? Mund ta luajmë bashkë. Sytë e saj si gjethe e gjelbërt u ndezën nga një drirë e bruztë xixëllonje.
-Më vonë- qeshi ajo ledhatueshëm. Ndjeu duart e tij, çdo prekje rezononte me ato të djalit në skenë tek përpinte me lëvizjet e tij delikate çdo përthyerje që krijonte anatomia e trupit të partneres së tij. Mbrëmja lundronte në vorbullën e shikimeve, prekjeve, afsheve dhe magjepsjes që shpërndante fuqia shpërthyese e tangos. Të jepesh, të prekesh, të dashuroheshe gjarpërueshëm, vetëm kështu mund ta përktheje një tango.
Ca bulëza të ngrohta i rrëshkitën mbi buzë. I mbështolli me gjuhën që gjarpëronte brenda atij tempulli të nxehtë që kthente në fjalë mijëra çaste dashurie.
– Dy trupa që gjarpërohen tundueshëm dhe plot elegancë pasionale, –tha ajo dhe, me atë dorën e saj të vogël e nazike, fshiu ca yje bulëzash mbi ballë.
Vallëzimi mbaroi. Durtrokitjet dhe fishkëllimat elektrizonin dhe perdet e llozhës. Hodhi sytë në ndjenjësen përbri, hapësira boshe mbushej me një tufë rezesh të kuqerremta. Perdia e rëndë e llozhës ishte gjysëm e hapur dhe nga ajo hapësirë ai dalloi shpinën e djersitur të vajzës që lozte tango. Këmbët e saj elegante mbi taka humbisnin qetësisht nëpër korridorin e gjatë.
Ah.. – tango, si një akt dashurie – mendoi ai.
 
Shkurt 2022
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s