Poezi nga Enertin Dheskali
NJË COPËZ SHPIRTI
Merrma një copëz shpirti, e shpjere larg,
Mbaje në gji, aty ku tani mbaj emrin tënd,
Mbaje të gjallë, kur unë më të mos jem,
Në sy, me lotë e me vështrime jepi jetë.
E di, do të dhembë pa fund ikja ime,
Më shumë se çdo plagë dhe çdo dhimbje,
E di, pa zërin tim do mbetesh jetime,
Do qash kur të flesh, do trembesh në zgjime.
E do kujtohesh, atëherë sa shumë të desha,
E do kujtohesh, çfarë do të thotë premtim,
Një ditë kur zemra ta provojë si të ther dhimbja,
Të marrësh forcë nga ajo copëz e shpirtit tim.
ËNDËRR DHE SHPRESË
Lastarë shiu aviten xhamave të dritares,
Me frymën time përplasen në ftohtësi,
Një ëndërr bredh nëpër kthinat e mendjes,
Ku me ty, plot pasion bëj dashuri.
Zëri yt, epsh e ndjenjë mpleksur në damarë,
Energji që derdhet butësisht këtë mëngjes,
Teksa shiu në dritare, zvarritet në lastarë,
Në shpirtin tim përplasen mërzi dhe shpresë…