Poezi nga Sadik Bejko
PSALM Gjon Buzukut
Përherë na mbetet të jemi po ata: zotin na e vrasin
edhe vetë e vrasim, e kryqëzojmë në veten tonë.
Përherë me po ato hordhi: hunë, khanë a skithë
rrëqethje në shpinën e n’së dashunës botës sanë.
Ati ynë, Gjon Buzuk, të vemi më shumë në klishën e fjalës së dhanë.
Përherë kodrat tona lëvruar, me nga një masakër
e perherë ca nga barinjtë tanë me ujqit ndajnë bukë.
Na dhunohen gocat, çunat të bukrit , i lënë pa sy e pa gluhë,
gjyshat me bukën në shkop marrin të thneglave karvan
Ynë Zot, Gjon Buzuk, të lutemi për e n’së dashunës botës sanë.
Na duhet t’i shpikim nga e para famullitë e dritës,
të abecesë. Paj, si zogjtë e gjelbër e si gjethet
t’i zbresim në korijet bisk të reja brenda gojës
së fëmijve tanë e thellë në shpirt e në mish.
Ati ynë, Gjon Buzuk, për gjindjen tonë të lutemi në tënden klishë.
Përherë e përziemë me gjak burri, me kurm foshnjesh
vijën e burimit, hanën e pusit, amën e lumenjve tanë
përpara se ta mbledhim në gastare a në stomnë.
Të lutemi, pëllumbi em ndë plasë të gurit
e në e nfshehunat e gjerdheve, o fjalë, o gluha jonë.
Eja se dimni shkoi dhe shiu vote. Në veten tonë
të mos na e vrasin dhe të mos e vrasim më Zotin
për flligështinë. Vdekur, çdo ditë prapë të ringjallemi
te Gjaku, te Buka, te Vera e kroit Amë.
Ati Ynë, ma shumë të mblidhemi te klisha e gjuhes shqipe,
te klisha e fjalës së dhanë.
Mars 2001