Poezi nga Grigor Jovani
DET-NDALIMI
Si munde, imzot Polifem, të vendosësh
gjatë një vere të tërë në Lutraq
det-ndalimin?
Mbushe një breg të paanë me miliona meduza!
Tani deti na shtrihet ndër këmbë si një murg,
në një manastir me murgesha,
që e ka të ndaluar tundimin.
Zigolo i pamundur, që i kanë hedhur venduza.
Digjet ime shoqe në breg, me rrobat e banjos
të palagura nga uji. Mallkon Polifemin idhnak
dhe perënditë e tjera të detit dhe qiellit.
Ndjej fshehtas gëzim. Falenderoj meduzat përvëluese.
Edhe unë, shumë herë kam dashur të zhytem
në pellgun e saj… Por jam mjaftuar
veç me banjot e diellit.
VIZATIME
Numëroj miqtë që më kanë mbetur,
tani që përdor mendje,
përveç zemër.
Shkruaj dhe shuaj, vitesh mendjetretur.
Në fund… asnjë emër.
“Ku i ke miqtë ?! – habitet gruaja ime, –
Kishe aq shumë,
në listë asgjë s’të pashë…”
Heq bluzën. Plagët në shpinë, si vizatime.
“Numëroji!”, i thashë.
VAJZA TË PAPËRFILLURA
Ka kohë, nuk shkruaj më vjersha të reja.
Rregulloj të vjetrat. Të pabotuarat.
U bënë kaq shumë…
Ngjajnë me vajzat e mbetura. Të pamartuarat.
Rrojnë kështu: zgjimi për punë,
prapë gjumë…
Të gjorat vjershat e mia! Marrosen,
duke pritur një rast. T’u dalë fati!
I ngjajnë të zotit. Djaloshit pa fat,
nga Jergucati.
Të shkretat vjershat e mia! Nga kjo botë,
vetëm ju dua t’iu marr me vete.
Ashtu të ndrojtura, të papërfillura…
Të stolisurat me kaq pak salltanete!