Poezi nga Iliriana Sulkuqi
ËNDËRR MË ËNDËRR…
{ ËNDËRR më ËNDËRR
m’u shetit jeta…,
si bleta – lule më lule…
Por ajo ( dhe pse me jetë aq të shkurtër )
e kryen misionin e saj prej mjeku…
Po ëndrrat e mia, ëndrrat e poetëve,
thurrur prej vargshpirti,
sot, kujt i duhen…?}
***
Ëndërr më ëndërr shetita shpirtin…
Të parin, përqafova ÇEHOVIN…
Trëndafilat na mbetën në duar –
as nuk m’i fali, as ia dhurova…
U zgjova e trembur,
nga një vals me maska,
në zemër të Moskës…
…
Vrapova te Bërnsi, të qetësoja ëndrrën…
Më mbushi një gotë,
më pas – dy të tjera…
dhe në çast më ftoi në një dashuri…,
eh, nga ato të çmendurat…
-O Zot, thashë me vete,
pse njerëzit kur dehen- bëjnë krime
dhe jo, si kjo magji prej brenge…?
…
… Dhe shkova t’i rrëfehem Naimit,
si Përëndi nga vendi im trashëgimidhimbjeje …
As foli as fola…,
por heshtja na u bë
SHENJTËRIM I NJË FRYME …
Dhe vrap në frymë e sipër
Ndaj ag’ të ëndrrës,
ndala buzë liqenit të flas me një mjelmë…
Më drithëroi një krivecë valëzimesh…
tek ndjeva Lasgushin t’më përkëdhelë…
….
Ëndërr më ëndërr shetita shpirtin…
Dhe ende në ëndërr jam-
nusëruar pa dhëndërr më gjen zgjimi
dhe përëndimi, në ëndërr më ndjell prapë…
iliriana. s. – Sot, në Ditën Ndërkombëtare të POEZISË
Brooklyn, NY, 21 mars, 2022