Poezi nga Vjollca Koni – Ajasllari
Më Fal
Më bëhet loti ,si një mik i rrallë në sytë e mi
gëzimin të takoj çdo ditë, e pse e kam lënë aty qysh në fëmijëri.
Ohhhh, nënoke të lëndova që kaq larg ika nga ti!
Më fal, më fal, më fal, po qaj me mall, me lotë,
Je ti që më kupton më mirë se çdo kush në këtë botë.
Ke mall për mua aq sa kam e unë per ty
kam mall të prek duart e të të puth buzë e sy
më lëndon shpirtin largësia si lëndimi yt pa skaj;
Më fal, nënë, mos vuaj, se më shumë vuaj pastaj,
Se shumë vuaj me jetën që rrjedh kockë e lëkurë
trishtohem për ty kur gjaku të rrjedh në damarë si nëpër gurë,
se bija
me nënën është, lidhur si bima me tokën për ujë
më jep fjalën, se do të jetosh si gojëdhënat në shekuj, pa bujë,
E prapë do të përkëdhelem si fëmijë i vogël në prehrin tënd
çdo ditë vij tek ty më ndjen edhe pse s’më shikon, a nuk më mban mënd.
Pika shiu të dhuroj
Sa kam pritur gjithë kohës veç në ëndërr të shikoj
t’i dëgjoj hapat e tua në rrugicat e kalldrëmt,
se në dritat e neonit të qytetit plot larmi
disa ikin, të tjerė vijnë,por asnjë s‘më ngjan sa Ti.
Sa pranvera kam përcjellë e sa dimra kam pritur?
Dallandyshet në shtegëtim me zë dridhur porositur,
kur të vini herë tjetër, një haber të më sillni
nëse i jan zbardhur flokët, a lulëzon si lule bliri?
Në je plakur a je rrudhur për atë Zot, nuk të vë faj?
Unë e njoh mallin e vjetër, se loti mbi sy është tharë…
Në verbohem nuk shoh, eja veç një çast më shif,
do të njoh vetëm nga hapat të qetësoj këtë shpirt.
Do e mbaj zhurmën e hapave si më të bukurën melodi,
në botë të ndryshme jetojmë,aty diell këtu shi.
Pika shiu të dhuroj, kur djeg zhegu njomi buzët…
veç një rreze dielli lere të mendoj që s’të kam humbur!