KUSH JEMI? / Përsiatje-Esse nga Edmond Shallvari

 
Përsiatje-Esse nga Edmond Shallvari
 
 
KUSH JEMI?
 
Sa më shumë pyesim “Kush jemi?” dhe kërkojmë gjithandej përgjigjen e kësaj pyetjeje, aq më larg i largohemi gjetjes të së vërtetës dhe hyjmë më ngatërruar labirintheve të kohës, të përzierë nga e shkuara dhe e sotmja e saj.
Kjo, sepse më shumë se kërkimi i së vërtetës, endemi nga orientimi i dëshirës, i cili edhe në rastin e gjetjes të diçkaje me të vërtetë interesante për origjinën tonë, interpretohet brenda kësaj dëshire. Duam pra të jemi ose një arritje kulmore e evolucionit të qenies me vetinë më të çmuar e të veçantë nga çdo qenie tjetër e gjallë, mendimin, ose një produkt direkt hyjnor, shembëlltyrë e vetë Zotit, për ta trajtuar dhe vënë veten në krah të tij, si krijesa më e çmuar e universit.
Përmes disa të vërtetave bindëse lashtësore e të sotme, krijojmë kështu sofizmin më të volitshëm, të dëshirueshëm e të kënaqshëm të origjinës sonë, qoftë dhe nëpërmjet pranimit të dy interpretimeve të kundërta mes tyre, atij evolucionist dhe atij hyjnor. Të dyja kanë plotësira e mangësira në vetvete, superioritete e inferioritete ndaj njëra-tjetrës. Këto ndryshime e përbashkësi relative, edhe në çastin e absolutizimit, edhe në çastin e oportunitetit pranues të disa pikave ngjashmërore mes tyre nga interpretuesit e kundërt, mbeten sot dy teoritë e vetme, mbi të cilat njerëzimi noton si një anije mendimin, herë qetë e herë stuhishëm, oqeanit të njohjes.
Përderisa historia njerëzore është histori e ndeshjes mes të mirës dhe të keqes, pra përballimit të dy forcave gjigande qysh në shfaqjen e jetës në planet, edhe njohja njerëzore është determinuar nga kjo përballje, përplasje, ndeshje, luftë, kompromis mes tyre, duke e vënë njeriun gjithmonë në njërin apo tjetrin kah sipas këndveshtrimit dhe instiktit të tij për të mirën dhe të keqen. Kështu njerëzimi, i njëjtë si qenie e gjallë brenda ekzistencës së vet, gjithmonë është frontuar brenda vetes dhe jashtë saj në kontradiktsionin mes të mirës dhe të keqes, pa arritur deri më sot të jetë unik ndaj të vërtetës të së mirës së vërtetë. Pra, e mira brenda vetes për një individ ndodh të ndjehet si e keqe brenda vetes së një tjetri dhe e kundërta. Dalë nga vetja, përtej saj, ky realitet absurd në thelbin e vet, ka energjuar të njëjtën ndjesi të individit në grup, në shtresa shoqërore, pushtete, sisteme. E mira me simbolin e Zotit, shenjtëve të tij, e keqja me simbolin e djallit, demonëve, gjithmonë kanë mbetur të tilla vetëm aparencës klasifikuese në gjuhën e të dy palëve të shfaqura si e vetmja palë e së mirës.
Pra, e mira, e shfaqur si e vetmja premisë, si i vetmi qëllim e synim njerëzor nga të dy palët e kundërta, është kthyer në mjeti më hipokrit e vrasës i njerëzve jo vetëm fizikisht, por më shumë shpirtërisht. E mira e fjalëve i ka paraprirë të keqes së gijotinës. Njerëzimi, shpesh i grackuar prej së mirës, i ka shërbyer instiktivisht të keqes qysh në fillim të historisë së tij e deri më sot.
Ky fenomen, ku psiqikja njerëzore ende punon me mendime të konservuara, vazhdon akoma e do vazhdojë fatkeqësisht edhe shumë kohë, për aq kohë sa psiqika të çlirohet nga ky konservim i tmerrshëm i mendjes njerëzore.
Mos po largohem gjë nga tema, nga pyetja e fillimit, “Kush jemi?”
Jemi pra krijesa rastësore, me fillesë origjine një masë plazmore tepër larg asaj të sotmes, por që përmes trransformimit të saj u kthye në e tillë apo një krijesë e menjëhershme e miliarda viteve më parë, e njëjtë me këtë që jemi sot?
E para, plazma jonë e dikurshme, sipas logjikës së thjeshtë krahasuese me të sotmen, të çon në mendime sa të logjikshme, aq dhe absurde për të ardhmen tonë. Nëse kemi qenë jo ne dikur, nuk do jemi përsëri po ne, në një të ardhme të largme.
Dmth, unë i sotmi, kam një të shkuar ekzistente tjetërsisht ndryshe dhe po tjetërsisht ndryshe do e kem atë në të ardhmen. Sipas kësaj logjike, unë i jam kënaqur qoftë dhe në formën më të ulët të ndjesisë ndaj çdo lloji të ekzistencës sime, sikurse i kënaqem të sotmes sime dhe e njëjta gjë sigurisht nuk përjashtohet për të ardhmen. Kjo, sepse tjetërsimi qenka i tillë që nuk trondit njohjen që unë kam për veten time. Sot pra e njoh veten time për njeri me këtë formë fizike e psiqike, më parë e kam njohur sipas formës së mëparshme, më vonë do e njoh e pëlqej sipas formës së ardhme.
Duke pranuar këtë lloj tjetërsim të qenies njerëzore, po sipas kësaj logjike do ndodhë e njëjta gjë me çdo qenie tjetër të gjallë, dmth, nëse sot unë përkëdhel një mace apo qen, nesër unë-tjetri mund të përkëdhel një përbindësh apo një insekt sipas përshtatjes e harmonisë qe do kem si krijesë me krijesat e tjera të tjetërsuara.
Absurditet?
Mbase.
I pranueshëm?
Dyshoj!
Pse?
Sepse pafundësia përmban për mendimin tim transformimin brenda çdo lloj ekzistente plazmore të dukshme e të padukshme në univers dhe pikërisht brenda këtij lloji transformimi, do jetë gjithmonë duke më patur mua thelbit të vet dhe jo tjetërsimit të tij në thelbe ekzistencash të tjera. Nuk mund të ndodhë pra kurrë që merimanga të njerëzohet dhe e kundërta, etj, etj.
Pra, “Kush jemi?”
Nëse përjashtoj tjetërsimin plazmor miliarda vjeçar të qenies sime, kush kam qenë, kush jam dhe kush do jem?
Kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë krijesa ime qysh në pafundësinë e kohës së shkuar, ashtu dhe në atë të ardhme, gjithmonë i kënaqur për formën time të dukshme e të padukshme.
Nëse kam patur një fillim krijues të gatshëm në një çast të kohës së universit, do vazhdoj këtë ekzistencë për aq sa do më mbajë ai kusht krijues, por edhe po mos më mbajë dot ai kusht qysh nga çasti krijues e në vazhdim. Vetëm prishja absolute e atij kushti krijues mund të më zhdukë, por që të ndodhë kjo, duhet të zhduket bashkë me mua edhe vetë ai kusht krijues.
Me krijim të gatshëm nuk kuptoj thjesht shfaqjen time në univers kështu siç jam sot me një të rënë të shkopit magjik. Mendoj, që dhe brenda grimcës sime krijuese kam qenë po unë, sikurse jam sot brenda po kësaj grimce e po brenda saj do jem në vazhdim.
Jam krijuar apo transformuar brenda qenies sime, për të qenë po kjo qenie që jam sot, me emrin Njeri dhe po me këtë emër do vazhdoj pafundësisht.
Sepse dhe nëse do kem një fund, do mbetem përsëri pafundësisë i njohur si i tillë ekzistues në një kohë të saj, pra si Njeri.
 
@Edmond Shallvari

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s